15 Tetor 2019

Hapet aplikimi për integrimin socio-ekonomik të fermave të vogla

Prishtinë, 17 shtator - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, që nga nesër hap periudhën për aplikim në “Programin për Integrimin Social - Ekonomik të Fermave të Vogla në Komunitet". 

Përmes këtij programi MBPZhR-ja synon përmirësimin e kushteve socio-ekonomike të fermerëve në zonat rurale, krijimin e vendeve të punës, si dhe rritjen e të ardhurave duke integruar fermerët e vegjël në sektorin bujqësor.

Investimet e ministrisë përmes Programit arrijnë vlerën prej 3 milionë euro dhe përmes këtij fondi do të mbështeten sektori i përpunimit të frutave, sektori i mishit, vezëve, qumështit, prodhimi i mjaltit, prodhimi, përpunimi dhe grumbullimi i produkteve pyjore, si dhe përpunimi i produkteve bujqësore në shtëpi.

Përfituesit e këtij programi mund të jenë të gjithë fermerët në përputhje me Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural që plotësojnë kriteret e këtij Programi.

Afati për aplikim për këtë program fillon më 18 shtator dhe përfundon më 18 tetor 2019.

Gjatë periudhës për aplikim, fermerët dhe agrobizneset për të gjitha informatat lidhur me procedurat e aplikimit, kriteret e vlerësimit mund të informohen në detaje në ueb faqen e ministrisë www.mbpzhr-ks.net, si dhe në ueb faqen e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë www.azhb-ks.net.

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 tetor 2019

-  Oda Ekonomike e Kosovës do të mbajë konferencë për media lidhur me zhvillimet në sektorin privat. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëorganizim me MASHT-in dhe OJQ – të mjedisore do të shënojë Ditën Ndërkombëtare të Ecjes së Lirë në Natyrë. (Parku “Germia”, ora 10:00)

- Shoqata Down Syndrome Kosova në bashkëpunim me GIZ-in gjerman organizon “Panairi i karrierës: takimi i punëdhënësve me punëkërkuesit” i cili zhvillohet në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese për punësimin e personave me aftësi të kufizuar. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Fakulteti Ekonomik i Universitetit Publik të Gjilanit “Kadri Zeka” organizon takimin Fakultet-Biznese, ku do të diskutohet për të ardhmen e Fakultetit dhe mundësitë e bashkëpunimit dhe praktikes per studentet. (Objekti i Universitetit të Gjilanit, ora 12:00)

- Hapet edicioni i dytë i Metamorphosis. Flirting with leftovers e cila është një  intervenim artistik, specifik për lokacionin,  konceptuar nga artistja Koja. (Ish Restorant Marsi, rr. Bedri Gjini - Kodra e Trimave, ora 18:30)