19 Mars 2024

BE jep 1.5 milion euro për ruajtjen e tokës bujqësore

Prishtinë, 26 maj - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) në bashkëpunim me Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian kanë lansuar projektin “Mbështetje e mëtutjeshme e shfrytëzimit të tokave”, projekt ky qe kap një shumë prej 1.5 milion euro dhe është i financuar nga Bashkimi Evropian.

Ky projekt synon të ruhet toka nga ndërtimet e pakontrolluara, shfrytëzimin e saj në mënyrë më të mirë për bujqësinë si dhe parcelizimin e saj.

Blerand Stavileci, Ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka thënë se toka bujqësore ka një rëndësi fondamentale për rritjen dhe qëndrueshmërinë ekonomike të popullatës rurale. 

\"Sikurse edhe projektet e tjera edhe ky projekt është në linjë të plotë me politikat e qeverisë së Kosovës dhe është në linjë me politikën e përbashkët bujqësore të Bashkimit Evropian si dhe me planin e bujqësisë dhe zhvillimit rural 2009-2013\", ka deklaruar Stavileci.

Sipas ministrit Projekti “Mbështetje e mëtutjeshme shfrytëzimit të tokave” është vazhdim logjik i rezultateve dhe koncepteve të zhvilluara në projektin e shfrytëzimit të tokës bujqësore të viteve 2006 dhe 2008 si dhe aktiviteteve të shfrytëzimit të tokës në projektin tjetër në vitin 2008 dhe në fillim të vitit 2009.

Prioriteti i parë sipas tij është konsolidimi i tokës në veçanti përfundimi i  komasacionit të papërfunduar i tokës në vitet e 80-ta.

Ministri Stavileci ka premtuar se do të punohet në ruajtjen e tokës nga ndërtimet e pakontrolluara që po ndodhin, duke shtuar se edhe komunat do të kenë një rol udheheqës në këtë drejtim.

 “Një tjetër prioritet është shfrytëzimi i tokës bujqësore dhe ruajtja e saj nga ndërtimet e pakontrolluara. Të gjithë e dimë dhe të gjithë jemi unik rreth këtij konstatimi që është më se thelbësore për të ardhmen e bujqësisë së Kosovës dhe jo vetëm për të sepse ky sektor është i një rëndësie i veçantë ekonomike dhe sociale dhe si rezultat është i rëndësisë së veçantë për tërë ekonominë e vendit tonë dhe për një zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë në periudhën vijuese. Edhe komunat këtu luajnë një rol udhëheqës”, ka thënë Stavileci. 

Ministria e Bujqësisë që një kohë ka filluar implementimin e programit për  grande për zhvillim rural dhe subvencionimin e disa sektorëve në bujqësi. Ministri Stavileci ka thënë se për këtë qëllim ministria ka themeluar njësinë e pagesave që në të ardhmen do të jetë një agjenci e pagesave sipas kritereve të BE. Në mënyrë që këto pagesa të bëhen në mënyrë të kontrolluar nevojitet një sistem informimi në lidhje me parcelizimin dhe shfrytëzimin e tokës në Kosovë.

Ministri ka shtuar se projekti për  “Mbështetje e mëtutjeshme e shfrytëzimit të tokave” është një projekt ambicioz, por ka shfaqur shpresën që ky projekt do të jetë i suksesshëm së bashku me ministrit, komunat dhe palët e tjera.

Kjartan Bjornson nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian ka thënë se projekti i lansuar sot ka për qëllim rritjen dhe zhvillimin e produktivitetit të tokave dhe shfrytëzimit të tokave.

 “Ky projekt ka për synim rritjen dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të produktivitetit të tokave dhe shfrytëzimit të tokave përmes reformimit të tokave dhe një planifikim të duhur hapësinor. Ne besojmë që projekti kontribuon në arritjen e objektivave të cilat janë në kuadër të partneritetit të Bashkimit Evropian ose të politikave të përbashkëta bujqësore evropiane si dhe planit zhvillimor rural për Kosovën”, ka thënë Bjornson.

Ai ka shtuar se sa i përket partneritetit me evropianët projekti adreson çështjet që janë një bujqësi e qëndrueshme dhe mjedisore e cila ofron resurse të nevojshme natyrore dhe do të përmirësoj menaxhimin e tokës së punueshme.

Sipas Bjornson që nga viti 1999 Bashkimi Evropian ka dhënë rreth 70 milion euro për tokat, ndërsa ka shtuar se projekti i lansuar sot kap një vlerë prej 1.5 milion eurosh.

\"Kjo duhet të shihet në një kontekst më të gjerë edhe të mbështetjes që ofrohen përmes projektit të IPA-së janë dhënë edhe 7 milion të tjera në këtë sektor përfshirë këtu edhe 5 milion mbështetje për mbështetje të zhvillimit rural në Kosovë\", ka pohuar ai. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)