22 Shkurt 2019

Banka Botërore mbi 20 milionë euro për bujqësi dhe zhvillim rural

Prishtinë, 31 janar – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, ka pritur në një takim menaxherin e Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin e mëtutjeshëm në kuadër të Projektit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (ARDP) të BB-së, përmes të cilit investimet në sektorin e bujqësisë do të arrijnë vlerën prej 20.8 milionë euro.

Ministri Rikalo falënderoi Bankën Botërore për mbështetjen që kanë dhënë deri më tash për zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë, si dhe angazhimin e tyre në shumë projekte të rëndësishme në këtë sektor.

Duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunimin e mëtejmë në kuadër të vazhdimit të Projektit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të BB-së, ministri Rikalo theksoi nevojën që kjo mbështetje në kuadër të këtij projekti të shtrihet në sektor të ndryshëm të bujqësisë, duke ndikuar kështu zhvillimin e mëtejmë të bujqësisë në vend, rritjen e prodhimit dhe motivimin për t’u marrë me bujqësi.

Nga ana tjetër, menaxheri i BB-së, Marco Mantovanelli, vlerësoi zhvillimet e deritashme në avancimin e sektorit të bujqësisë në vend dhe rikonfirmoi gatishmërinë e BB-së për mbështetjen e mëtejmë të sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural në Kosovë përmes projekteve konkrete në kuadër të vazhdimit të projektit për këtë sektor.

Ai ka treguar se përmes këtij projekti katërvjeçar, i cili arrin vlerën prej 20.8 milionë euro, synojnë avancimin e një sektori bujqësor konkurrues, produktiv dhe të qëndrueshëm.

Të dy u pajtuan se suksesi i deritashëm i projektit  për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, që zbatohet nga MBPZHR dhe BB, duhet të jetë bazë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.

Ndryshe, vitin e kaluar Qeveria e Kosovës e ka nënshkruar marrëveshjen financiare me Bankën Botërore për vazhdimin e Projektit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural për katër vitet e ardhshme.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 shkurt 2019 - Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti do të​ takohet me Kryetarin e Federatës së Shahut, Nysret Avdiu (Objekti i Kryeministrisë, kati VIII, zyra 806, ora 8:30)

-  Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, Shefi i Ambasadës Japoneze në Kosovë, Mitsunori Ogasawara dhe Drejtori gjeneral i kompanisë Jetro Vjenë, Satoshi ABE vizitojnë kompaninë Gjirafa. (Kompania Gjirafa, Dragodan, ora 9:30)

- Let’s Do It do të mbajë konferencën “Efiçienca e energjisë dhe Ruajtja e ujit”, në bashkëpunim me Oden e Gjelbër Ekonomike te Amerikës. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Koordinatori  Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës Rexhep Hoti do të mbajë takim me drejtorët e shkollave të komunitetit boshnjak në Komunën e Prizrenit ku do të prezantohet Programi Nacional për Rininë. (Drejtoria Komunale e Arsimit, Prizren, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilën do të shqyrtohet raporti i auditimit për pasqyrat vjetore financiare të ZKM-së, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, mban konferencë për media. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 11:00)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi i shoqëruar nga kryetari i Komunës se Rahovecit, Smajl Latifi do të vizitojë Palestrën e Sportit, ku do të shohë punimet e realizuara deri më tani në këtë objekt sportiv, projekt kapital në të cilin MKRS-ja ka investuar. (Komuna e Rahovecit, ora 11:00)

- Mbahet debati publik me temën 'Transparenca e punës së komunës së Graçanicës'. (Qendra Mediale në Çagllavicë, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor në të cilën do të shqyrtohet projektligjit për pijet e forta alkoolike, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Ambasada Norvegjeze në Prishtinë, IPKO Foundation dhe RIT Kosova organizojn ngjarjen për projektin KosLift i cili ka për qëllim të mbështesë deri në 1000 student të Universitetit të Prishtinës dhe RIT Kosovë si dhe 60 biznese kosovare në sektorët e energjisë, TIK-ut dhe prodhimit në ngritjen e aftësive të nevojshme dhe kapaciteteve për të rritur konkurrueshmërinë e tyre në sektorin e biznesit në Kosovë dhe rajon. (Residenca Norvegjeze në Fshatin Ndërkombëtar, ora 12:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Zyret qendrore të Vetëvendosjes, ora 13:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës Rexhep Hoti i shoqëruar nga Drejtori Komunal i Arsimit, Agim Blakçori do të vizitojë shkollat “Ibrahim Rugova”, “Naim Frashëri”, dhe “Aleksandër Xhuvani”, në Podujevë për të përcjellë mbarëvajtjen e garës. (Podujevë, ora 13:30)

- Kryeministri Ramush Haradinaj vizitë pune në Komunën e Mamushës. (Fshati Mamushë, ora 14:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj viziton disa sera në Komunën e Mamushës. (Fshati Mamushë, ora 14:40)

 - Kryeministri Ramush Haradinaj vizitë pune kompanisë “Liri” në Prizren. (Prizren, ora 17:00)

- Fondacioni Lumbardhi dhe Fondacioni Kosovar i Arkitekturës kanë kënaqësinë organizojnë ligjeratën publike “Bukuria e asaj që mbetet” të arkitektes Aslıhan Demirtaş. (Kino Armata, ora  17:00)