21 Maj 2018

Thaçi: Vendet e Ballkanit Perëndimor të hyjnë bllok në BE

Sofia, 7 dhjetor - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është duke marrë pjesë në konferencën rajonale të organizuar nga Qeveria e Bullgarisë dhe Banka Botërore.

Liderët e Ballkanit Perëndimor kanë diskutuar për bashkëpunimin rajonal dhe për dinamizmin e procesit të integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Pjesë e diskutimeve të liderëve të rajonit me përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian ishte edhe kompletimi i rrjetit të rrugëve dhe përmirësimi i infrastrukturës së kalimeve kufitare.

Presidenti Thaçi ka thënë se të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet t’u jepet perspektivë e qartë evropiane dhe BE-ja të ketë qasje gjeostrategjike për rajonin.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të hyjnë në BE në bllok, që të sigurohet paqja dhe bashkëpunimi afatgjatë në rajon”, u shpreh Presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi sot do të zhvillojë një takim bilateral edhe me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, me të cilin do të bisedojë për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 Maj 2018 - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, do të vizitojë komunën e Kaçanikut, ku do të takohet me kryetarin e Komunës, Besim Ilazi. (Zyra e kryetarit Ilazi, ora 9:00)

- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, do të vizitojë shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Jusuf Gërvalla” në Biqec. (Objekti i shkollës në Biqec, ora 9:45

- Instituti për Politika Zhvillimore organizon tryezën ”Sistemi Pensional në Kosovë: sfidat dhe mundësitë”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Në kuadër të kampanjës “Drejtësia dhe biznesi” Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, së bashku me përfaqësues nga KIESA dhe Oda Ekonomike Amerikane, do të takojnë bizneset nga rajoni i Mitrovicës. (Hotel Palace në Mitrovicë. ora 10:00)

- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, do të vizitojë shkollën e mesme “Feriz Guri dhe Vëllezërit Qaka”. (Objekti i shkollës, ora 10:30)

- Oda Ekonomike e Kosovës publikon studimin “Bottleneck” me qëllim identifikimin e barrierave që pengojnë të bërit biznes në vendin tonë. (Oda Ekonomike e Kosovës, ora 11:00)

- Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, pret në takim futbollistët e FC Drita, të cilët të dielën u shpallën kampion. (Zyra e Kryetarit, objekti i ish-gjykatës, ora 12:00)

- Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në  Kosovë, Qemal Minxhozi viziton komunën e Dragashit, ku do të pritet nga kryetari i komunës, z. Shaban Shabani (Komuna e Dragashit, ora12:30)

- Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj merr pjesë më inaugurimin e rrugës Krushevë-Shishtavec, e financuar nga BE. (Krushevë, Komuna Dragashit, ora 15:00)

- Drejtori i misionit të USAID-it Xhejms Houp do të flasë me rastin e ceremonisë zyrtare që do të shënojë partneritetin me Cacttus Education. (Cacttus Education, rr. Bashkim Fehmiu. Arberia 3, BC2/11, nr. 4,  ora 16:45)

- Dega e OVL te UÇK-së në Kaçanik në bashkëpunim me SHIL, SHFD, institucionet komunale organizon orë përkujtimore me rastin e 19 të rënies heroike të dëshmorëve: Danush Kurtaj, Mejdi Dalloshi, Tefik Raka, Avdylgafurr Luma dhe Suad Brava, të rënë në Masakrën e Dubravës së Istogut me 22 maj ’99. (Shtëpia e Kulturës “Xheladin Kurtaj” në Kaçanik, ora 17:00)

- Bëhen homazhe me rastin e 19 të rënies heroike të dëshmorëve të rënë në Masakrën e Dubravës së Istogut me 22 maj ’99. (Varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, ora 18:30)