26 Prill 2024

Presidenti Thaçi shpreh pakënaqësinë me izolimin e Kosovës nga BE

New York, 21 shtator - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë pjesë në takimin e gjashtë të liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, me nikoqire Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, që është zhvilluar në New York.

Presidenti ka shprehur zotimin se Kosova mbetet e përkushtuar për të përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësimin e Kosovës ne BE.

Në të njëjtën kohë Presidenti ka shprehur haptazi pakënaqësitë e tij me izolimin dhe mungesën e perspektivës së qartë për anëtarësimin e Kosovës në BE.

Ai ka theksuar se qytetarët e Kosovës më së shumti po e ndjejnë këtë izolim, duke qenë të vetmit në Evropë që iu mohohet e drejta e lëvizjes pa viza. 

Presidenti Thaçi theksoi se Kosova megjithatë mbetet e përkushtuar për t’i jetësuar objektivat në rrugëtimin e saj evropian.

Ai ka rikujtuar se çdo vonesë në integrimin e rajonit në BE, mund te sjellë pasiguri në rajon.

Presidenti Thaçi, po sot ka takuar edhe Kryeministren e Bangladeshit, Sheikh Hasina.​

I shoqëruar nga Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, presidenti Thaçi shprehu kënaqësinë për takimin e parë dypalësh mes dy vendeve përkatëse, qëkur Bangladeshi e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Kreu i shtetit tha se Kosova është e përkushtuar për të rritur bashkëpunimin me Bangladeshin dhe se dy vendet do të vendosin së shpejti marrëdhënie diplomatike dhe do të shkëmbejnë ambasadorët.

Presidenti Thaçi iu falënderua kryeministres Sheikh Hasina edhe për mbështetjen e Bangladeshit për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Mbështetja e Bangladeshit në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OBI) për njohjen e mëtejshme të Kosovës është e rëndësishme dhe ne ju jemi mirënjohës për mbështetjen që ju keni dhënë rezolutës që përkrah pavarësinë e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi gjatë takimit me Kryeministren e Bangladeshit, Sheikh Hasina.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)