27 Nëntor 2021

Nuk mund të ecet përpara duke injoruar mësimet nga historia, as realitetet aktuale

Shkup, 14 tetor - Demokracia funksionale, përballja me të kaluarën dhe zhvillimi ekonomik dhe drejtësia sociale, u theksuan si të domosdoshme për Ballkanin Perëndimor nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Samitin e dytë të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga magazina prestigjioze britanike “The Economist”.

Në hapje të Samitit, titulluar "Promovimi i gjithëpërfshirjes dhe solidaritetit të Evropës", kryeministri Kurti theksoi nevojën për demokraci funksionale dhe sundim të ligjit kundër autokracisë dhe korrupsionit. Tendenca në Ballkanin Perëndimor dhe brenda Bashkimit Evropian për shmangie nga vlerat dhe parimet kryesore demokratike, paraqet kërcënimin më të madh për stabilitetin e rajonit tonë, tha ai.

“Për të filluar me të vërtetë pajtimin duhet ballafaquar e kaluara; me të gjithë gjakderdhjen, spastrimin etnik, gjenocidin dhe mizoritë e kryera në vitet '90, por pa ndjenjën e përgjegjësisë apo pendimit nga agresori. Kjo është e gabuar. Nëse nuk ndjeni asnjë faj dhe asnjë përgjegjësi për atë që ka ndodhur, atëherë do ta përsërisni prapë,” tha kryeministri Kurti.

“Pas Luftës së Dytë Botërore, Bashkimi Evropian u ndërtua mbi themelet e pranimit të përgjegjësisë dhe përballjes me të kaluarën. Ne në Ballkanin Perëndimor duhet të ndjekim të njëjtën rrugë”, shtoi ai.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri veçoi zhvillimin ekonomik dhe drejtësinë sociale për rritje të sigurt dhe të drejtë.

“Për të arritur një zhvillim më të madh ekonomik, ne kemi nevojë për më shumë integrim dhe më shumë lidhshmëri. Është e mundur të integrojmë më plotësisht ekonomitë tona duke realizuar katër liritë, ndërsa njëkohësisht  integrohemi në tregun e vetëm të BE-së dhe më pas anëtarësohemi plotësisht në BE,” tha ai.

Në panelin e diskutimit me temë “Ballkani Perëndimor dhe bota pas COVID 19: Cila është rruga për të arritur stabilitet dhe prosperitet”, krahas kryeministrit Kurti, ishin edhe kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, dhe zëvendëskryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 Nëntor 2021

- Forca e Sigurisë së Kosovës organizon manifestimin qendror të Ditës së Forcës ku do të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetërorë. (Kazerma “Adem Jashari”, ora 10:00)

- Komuna e Skenderajt përuron poligonin sportiv në fshatin Burojë. (Tek shkolla fillore Abedin Rexha,ora 10:00)

- Komuna e Malishevës vendos buqeta me lule të shtatorja e Adem Jasharit. (Malishevë, ora 10:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani merr pjesë në shënimin e Ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës. (Kazerma “Adem Jashari”, ora 10:00)

- Komuna e Skenderajt përuron poligonin sportiv në fshatin Kuqicë. (Kuqicë, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e përbashkët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë. (Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit në Tiranë, ora 11:00)

- Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e Ditës së Forcës organizon “Ditën e Hapur’’. (Kazerma “Adem Jashari”, ora 11:00)

- Komuna e Malishevës viziton varrezat e dëshmorëve në qytet, Kleçkë dhe Prekz. (Malishevë, ora 11:00)

- Komuna e Skenderajt përuron shtegun për çiklistë. (Rruga Merita Murtezi në Skenderaj, ora 12:00)

- Komuna e Skenderajt  organizon natën e dytë të festivalit Rapsodia shqiptare. (Qendra e Kulturës Hasan Prishtina, ora 16:00)