26 Prill 2024

Kurti: Nuk ka marrëveshje pa dialog dhe nuk ka dialog me harta

Mynih, 15 shkurt - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk e konsideron takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pjesëmarrjen e përbashkët në një tryezë në Mynih.

Kurti tha për Radion Evropa e Lirë se nuk është takuar me Vuçiqin.

“Unë nuk jam takuar me Vuçiqin. Kemi qenë në një tryezë të rrumbullakët, ku kanë qenë të ftuar të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti, pas pjesëmarrjes në një diskutim mbi mundësitë për Ballkanin Perëndimor.

Ky diskutim u zhvillua në margjina të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë, i cili nisi punimet të premten në Mynih, me pjesëmarrjen e rreth 35 udhëheqësve të shteteve dhe qeverive.

I pyetur të komentojë debatin me dyer të mbyllura, për të cilin Vuçiq tha se ishte “i ashpër”, Kurti tha se nuk dëshiron të japë detaje, duke u thirrur në rregullat e organizatorit të panelit, që nuk lejojnë të bëhen publike pikëpamjet e pjesëmarrësve (Chatam House Rules).

Megjithatë, Kurti pranoi se ka pasur tensione në tryezën e rrumbullakët.

“Ai (Vuçiq) ndjeu shumë presion për shkak të asaj që thashë. Pastaj pasoi reagimi i tij me nervozizëm”, tha Kurti për Radion Evropa e Lirë.

Vuçiq: Takimi me Kurtin, i ashpër

Vuçiq tha më herët se është takuar me Kurtin në Mynih dhe se takimi ka qenë “i ashpër”.

Duke folur për Radio-Televizionin e Serbisë, Vuçiq tha se ka luftuar për interesat e Serbisë.

Ai tha se nuk guxon të nxjerrë detaje nga debati i mbyllur, por deklaroi se “ka folur të vërtetën” dhe se ka mbrojtur popullin serb “në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Vuçiq tha se e konsideron të rëndësishme të shikohen marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe marrëdhëniet “brenda Prishtinës”.

Ai tha se i njeh mirë “politikanët nga Prishtina”, madje “edhe atë që ka qenë i panjohur për të”, duke aluduar në kryeministrin e Kosovës.

Diskutimi për Ballkanin Perëndimor në Mynih të Gjermanisë shënoi herën e parë të pjesëmarrjes së Kurtit dhe të Vuçiqit në të njëjtën tryezë.

Kryeministri Kurti, në konferencën e Sigurisë që në Munih të Gjermanisë, ka thënë se ka ardhur koha që Serbia të çlirohet nga Kosova.

Kurti ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë; mirëpo Kosova duhet t’i ketë parasysh tri parime për t’i shëruar plagët e planit të dështuar, njofton Klan Kosova.

Sipas tij, 1) nuk ka marrëveshje pa dialog, 2) nuk ka dialog me harta, dhe 3) pa presidentë rreth hartave.

“Unë besoj se Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian janë shumë të rëndësishme për njëra-tjetrën. Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga BE-ja dhe ne kemi nevojë për ndihmën e BE-së në fushën e drejtësisë dhe krijimit të vendeve të punës. Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit është e rëndësisë së madhe për demokratizimin e vendit”.

“Ne besojmë se BE mund të na ndihmojë me eksperiencën e saj e posaçërisht Gjermania. Ne e konsiderojmë si ngjarje shumë fatkeqe deklarimin e presidentit Junker në vitin 2014, kur ai tha se nuk do të ketë zgjerim të BE-së sepse kjo solli tri rreziqe të mëdha. Dy përpjekje puqesh: Njëri në Mal të Zi dhe tjetri në Maqedoni dhe gjithashtu projektin për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Ne i kemi pasur këto tri rreziqe për shkak të mungesës së vizionit për zgjerimin e BE-së. Unë e kuptoj se reformat janë të nevojshme, por ato janë të nevojshme edhe përbrenda BE-së. Unë besoj se Ballkani Perëndimor duhet t’i bashkohet BE-së në të njëjtën kohë, nuk ka mënyrë tjetër”.

Kurti ka thënë se duhet të punohet në atë drejtim që gjashtë shtetet e Ballkanit t’i bashkohen BE-së në të njëjtën kohë.

“Kjo ideja e Mini-Shengenit nuk është shumë e qartë për mua, nuk kam parë shumë dokumente, është një ide e pa projektuar për implementim. Besoj se duhet të hyjë në procesin e Berlinit, kështu do të ishte më së miri, kur të gjashta shtetet janë në tavolinë”.

“Njëjtë sikurse Plani Marshall, që u hartua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas Luftës së Dytë Botërore, tani neve na duhet një Mini-Marshall Plan për shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

“Gjëja e fundit, por edhe më e rëndësishmja, ne duhet të jemi të gatshëm për dialogun e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Duhet t’i kemi parasysh tri parime për t’i shëruar plagët e planit të dështuar. Duhet ta përgatisim mirë, me parime të mira dialogun e ardhshëm në rajonin tonë, në veçanti atë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. 1) s’ka marrëveshje pa dialog, 2) s’ka dialog me harta, dhe 3) pa presidentë rreth hartave”.

“Pothuajse të gjithë prej jush na ndihmuat që 20 vjet më parë Kosova të çlirohet nga Serbia. Tani mendoj e ka ardhur koha që të ndihmohet Serbia për t’u çliruar nga Kosova. Pra, pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, duhet të bëhet çlirimi i Serbisë nga Kosova”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)