23 Shkurt 2019

Europol: Kërcënimet terroriste ende të larta me gjithë humbjet e IS-it në terren

Bruksel, 22 qershor - Agjencia policore evropiane Europol, tha në raportin e fundit mbi terrorizimin se nuk ka pasur kthim të madh të luftëtarëve evropian që shkuan për të luftuar përkrah grupit militant Shteti Islamik në Lindjen e Mesme, por ata kanë frymëzuar sulme brenda kontinentit.

Në raport thuhet se 68 veta kanë humbur jetën në vitin 2017 nga sulmet terroriste që lanë pas vetes edhe 844 të plagosur.

Sipas raportit, "nëntë shtete anëtare të Bashkimit Evropian raportuan 205 sulme të dështuara dhe të jetësuara në vitin 2017, që paraqiste një rritje prej 45 për qind në krahasim me vitin 2016. Gjatë vitit 2017 janë arrestuar 975 individë nën dyshimet për lidhje me terrorizmin.

Manuel Navarrete, shef i Qendrës kundër terrorizimit në EUROPOL, tha se "kërcënim kryesor janë luftëtarët e kthyer, ndonëse numri i të kthyerve është i vogël".

Sipas tij, viteve të fundit janë nxitur sulme të "ujqërve të vetmuar" që përdorin një thikë apo një makinë. Ato ishin më pak vdekjeprurëse, por më të vështira për t'u ndjekur nga policia, tha ai.

Nga më shumë se 5 mijë evropianç, pjesa më e madhe nga Britania, Gjermania e Belgjika, që u bashkuan më ISIS-in në Siri dhe Irak, rreth 1 mijë e 500 janë kthyer dhe 1 mijë janë vrarë. Ka pak të dhëna për fatin e të tjerëve thuhet në raport.

Asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka raportuar për akte terroriste në truallin e tyre gjatë vitit 2017.

Kosova ka raportuar rënie të propagandës dhe nuk ka pasur raste të mbështetjes financiare apo logjistike për grupet terroriste, ndonëse vendi është i shqetësuar lidhur me kthimin e luftëtarëve të huaj.

Në vitin 2017 autoritetet e Kosovës hapën 54 raste nën dyshimet për përfshirje në veprimtaritë terroriste në Irak dhe Siri.

Këto përfshijnë raste në të cilat nuk ka pasur dëshmi për përfshirjen e shtetasve të saj në luftimet në zonat e konfliktit.

Arrestimet e bëra në Kosovë bazoheshin kryesisht në dyshimet për përfshirje në aktivitetet propagandistike, thuhet në raportin e EUROPOL-it.

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 shkurt 2019 - Mbahet kampionati ekipor në pingpong Liga e Parë e Meshkujve. (Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ora 10:00)

- Komuna e Deçanit në bashkëpunim më OVL të UÇK-së, organizojnë mbledhje komemorative, me rastin e ndarjes nga jeta të ish-luftëtarit Halim Tolaj. (Salla e Asamblesë Komunale në Deçan, ora 11:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! mban konferencë për media për çështjen e Lumbardhit në të cilën flasin nënkryetarja Fatmire Kollçaku dhe anëtari i Kryesisë në Pejë Taulant Kelmendi. (Takimi me gazetarë bëhet tek hotel "Dukagjini", ora 12:00)

 - Mbahet ceremonia e varrimit të ish-luftëtarit Halim Tolaj. (Kompleksi i Varrezave të Dëshmorëve të Kombit në fshatin Prejlep, ora 13:00)