16 Gusht 2018

Universiteti i Prishtinës promovon 10 doktorantë të rinj

Prishtinë, 8 qershor - Në Sallën e Senatit të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” sot është mbajtur ceremonia e gradimit të dhjetë kandidatëve në doktorë të shkencave. Kandidatët e shpallur doktorë të shkencave janë nga Fakulteti Filozofik, Juridik, Ekonomik dhe ai i Mjekësisë.

Rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema theksoi se puna me përkushtim e kandidatëve ka bërë që ata të jenë këtu ku janë sot, duke bërë krenarë jo vetëm familjarët por edhe UP-në.

“Ju keni arritur deri tek ky moment në sajë të punës dhe përkushtimit tuaj, por edhe falë përkrahjes dhe familjes tuaj. Ju bëtë krenarë familjet e juaja, mësuesit, profesorët dhe mua si të parin e UP-së dhe sot të gjithë ne po i gëzohemi këtij suksesi”, ka thënë Dema.

Ai gjithashtu theksoi se UP është duke punuar fuqishëm që të bëhet avancim në mësimdhënie, mësimxënie, kërkime shkencore por edhe në shërbim ndaj shoqërisë.

Përveç Rektorit Dema, të pranishëm në këtë ceremoni ishin: prorektori për zhvillim dhe cilësi në UP, prof. dr. Hysen Bytyqi, dekani i Fakultetit Filozofik, prof. asoc. dr. Bujar Dugolli, dekani i Fakultetit Ekonomik, prof. ass. dr. But Dedaj, prodekanja e Fakultetit Juridik, prof. asoc. Iliriana Islami dhe prodekani i Fakultetit të Mjekësisë, prof. ass. Kreshnik Hoti.

Në cilësinë e promotorëve të kandidatëve ishin profesorët: Gazmend Rizaj, Rexhep Gashi, Bedri Peci, Enver Kutllovci, Skënder Ahmeti, Naser Ramadani, Shaip Krasniqi, Halit Ymeri, Metush Disha dhe Resmije Ademi.

Kandidatët e shpallur doktorantë janë: Shpend Avdiu; Miftar Shala; Fitore Morina; Albana Berisha-Qehaja; Albulena Shala; Drita Kutllovci-Zogaj; Armond Daci; Arben Kutllovci; Kastriot Meqa dhe Jehona Ahmedi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 16 Gusht 2018 - Ministri i Financave Bedri Hamza dhe ambasadori gjerman në Kosovë Christian Heldt nënshkrimit të Marrëveshjes Grant “Shërbime Financiare për Krijimin e Vendeve të Punës në Sektorin e Bujqësisë, Fondi për Garantimin e Kredive III” në vlerë 6.5 milionë euro. (Ministrinë e Financave në ndërtesën e Qeverisë, ora 10:30)

- Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi takohet me Kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka, për bashkëpunimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 13:00)

- Kolegjit ISPE mban konferencën e radhës për media ku do të prezantohen fakte të shkeljeve të rënda ligjore  nga Ministri aktual  i MASHT-it dhe Bordi i AKA-së. (Objekti i Kolegjit ISPE, ora 14:00)

- Në kuadër të edicionit të 9-të të Festivalit të filmit të animuar “Anibar”, mbahet panel diskutimi me temën “Sfidimi i stereotipeve gjinore përmes animacionit”.  (Shtëpia e Kulturës në Pejë, ora 17:00)

- Jazz kompozitorja shqiptaro-zvicerane, Elina Duni vjen me performancë në Anibar. (Parku Karagaq në Pejë)