03 Shkurt 2023

Strategjia e Arsimit 2022-2026, dokumenti kryesor për zhvillimin e arsimit

Prishtinë, 27 tetor - "Jemi bashkë në angazhim e bashkëpunim, për jetësimin e objektivave të kësaj strategjie, me përgjegjësinë më të lartë ndaj atdheut, ndaj fëmijëve dhe të rinjve tanë, që t’u mundësojmë atyre arsimim e zhvillim cilësor", tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kuti, në lansimin e Strategjisë së Arsimit 2022-2026, që u lansua sot me një ceremoni të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Kjo strategji është dokumenti kryesor për zhvillimin e sektorit të arsimit në vendin tonë, në pesë objektiva strategjike, për periudhën e ardhshme pesëvjeçare, shtoi ai.

Edukimi në fëmijërinë e hershme; ngritja e cilësisë së arsimit parauniversitar; harmonizimi i arsimit dhe aftësimit profesional me zhvillimet e teknologjisë dhe tregut të punës; cilësia, integriteti dhe konkurrueshmëria e arsimit të lartë; si dhe përdorimi i teknologjisë digjitale për përmirësimin e shërbimeve dhe të cilësisë në arsim, në përputhje me trendet e transformimit digjital;  janë shtyllat kryesore, për zhvillimin tonë të gjithmbarshëm, tha Kryeministri.

Kryeministri Kurti theksoi se arsimi cilësor është burim i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës, andaj Qeveria do të vazhdojë me investimet në këtë fushë.

Për këtë Qeveria ka ndarë 3.5 milionë euro për ofrimin e praktikës profesionale për nxënësit e shkollave të arsimit dhe aftësimit profesional, 106 bursa për nxitjen e vajzave për të ndjekur profile teknike dhe djemve për të ndjekur profile deficitare, si dhe rreth 1 mijë kuponë për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të teknologjisë së informacionit.

Digjitalizimi është ndër prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në të gjitha fushat, sigurisht në administratë, sigurisht në shëndetësi, sigurisht në industri, por posaçërisht në arsim. Për vitin akademik 2021/2022 i kemi ndarë 1365 bursa universitare për studentet në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, tha ai.

Kryeministri ritheksoi se Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë të fokusuara e të angazhuara për të ofruar mundësi maksimale në arritjen e potencialeve sa më të larta për të vegjlit e të rinjtë tanë, vajzat e djemtë, për të tashmen, por edhe për të ardhmen e tyre, të shoqërisë e shtetit tonë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 shkurt 2023  - Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e KGjK-së, ora 9:00)

- Kuvendi Komunal i Gjilanit mban seancë të jashtëzakonshme, ku në rend dite do të jetë falja e tatimit në pronë në vlerën deri 100 euro për të gjithë tatimpaguesit e kësaj komune, për vitin 2023. (Salla e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ora 10:00)

- Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës mban konferencë për shtyp lidhur me gjendjen e punëtorëve teknik të Sektorit Privat te Kosovës dhe dialogu me qeverinë dhe institucionet tjera të Kosovës. (Zyrët e Sindikatës, ora 11:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës Dega në Prizren, mban konferencë për medie. (Selia e LDK-së në Prizren, ora 11:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore, si dhe shqyrton listën e kandidatëve për plotësimin e një pozite për anëtar joekzekuiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, salla C203, ora 13:30)

- Prezantohet puna e kryer rreth vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara të cilat kanë folur hapur për historitë e tyre të, abuzimeve seksuale, dhunës fizike, dhunës psikike, keqtrajtimeve, ofendimeve dhe diskriminimeve. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 14:30)