04 Qershor 2020

Provimet e afatit të prillit nuk janë të realizueshme në këtë fazë

Prishtinë, 3 prill - Me anë të një komunikate, menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka njoftuar studentët, stafin dhe të gjitha palët e interesuara se në përputhje me mundësitë dhe kushtet reale të krijuara pas përhapjes së pandemisë COVID-19 në vendin tonë, provimet e afatit të jashtëzakonshëm të prillit nuk janë të realizueshme në këtë fazë.

Universiteti i Prishtinës ka filluar përgatitjet për të gjetur format më të përshtatshme për të bërë të mundur realizimin e provimeve virtualisht, në rast se situata do të vazhdojë të jetë e tillë edhe në muajin qershor, kur zhvillohet afati i provimeve të rregullta, të përcaktuara sipas Statutit të UP-së.

Lidhur me këtë, Universiteti i Prishtinës do të konsultojë dhe do të marrë vendime në kuadër të organeve kompetente dhe më pas do të publikojë njoftim zyrtar për vendimet e marra. Deri atëherë,  të gjitha pretendimet e tjera mbesin opinione personale ose diskutime të brendshme.

Menaxhmenti i UP-së garanton, që të gjitha vendimet e marra, do të bazohen në parimin e së mirës në favor të studentëve dhe stafit të tij, si dhe në përputhje me vlerat themelore të arsimit të lartë dhe kornizës ligjore në fuqi. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Qershor 2020 - Mbahet ceremonia e marrjes së detyrës nga Kryeministri i zgjedhur, Avdullah Hoti. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Mbahet mbledhja ceremoniale e Qeverisë së Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga Kryeministri Avdullah Hoti. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:30)
  
- Kompanitë e auto-shkollave protestojnë për rifillimin e punës. (Para Ministrise se Infrastruktures, ish-pallati i Rilindjes, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi publikon raportin “Dështimi i gjykatave në mbushjen e Programit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”. (Hotel “Sirius”, ora 10:30)
  
-  Mbahet seancë e Kuvendit në të cilën pritet të formohet Komisioni Hetimor Parlamentar për menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Në kuadër të Javës së Gjelbër, Komuna e Prishtinës do të organizojë mbjelljen e drunjëve në lagjen Lakrishte. (Lagja Lakrishte në Prishtinë, ora 11:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti bën homazhe te varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. (Velani, ora 12:00)

- Këshilli iniciues i punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës organizon protestë para mensës së Termocentralit Kosova B. (Termocentrali Kosova B, Obiliq, ora 12:00)

-  Kryeministri Avdullah Hoti bën homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. (Prekaz, ora 13:30)

- Kryeministri Avdullah Hoti viziton Ministrinë e Shëndetësisë. (Ministria e Shëndetësisë, ora 15:30)