02 Korrik 2020

Ndërpritet mësimi plotësues për nxënësit e klasave të 9-ta

Prishtinë, 12 qershor - Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj ka marrë vendim për ndërprerjen e mësimit plotësues për nxënësit e klasave të 9-ta, si masë parandaluese dhe mbrojtëse për shëndetin e fëmijëve, mësimdhënësve, stafit të angazhuar dhe familjeve të tyre.

Këtë vendim, ministri Likaj e ka marrë për shkak të situatës së krijuar gjatë kësaj jave dhe duke u bazuar në informatat e pranuara nga tereni, ku është konstatuar se nuk po respektohen disa nga masat e rekomanduara nga Qeveria, Ministria e Shëndetësisë (MSH) dhe IKSHPK, e në veçanti distanca fizike, mbajtja e maskave, mbajtja e higjienës personale, matja e temperaturës.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) deri më sot ka zbatuar të gjitha rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) për parandalimin e COVID-19, me qëllim të ruajtjes së shëndetit të nxënësve të përfshirë në procesin e mësimit plotësues dy javor dhe përgatitjeve për Testin e Arritshmërisë”, thuhet në Vendim, me të cilin janë obliguar Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA-të) që ta zbatojnë deri në një vendim tjetër.

MASh është e përkushtuar me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë për përkrahje të DKA-ve për përfundimin me sukses të vitit shkollor 2019/2020, të vetëdijshëm për sfidat me të cilat po përballemi në kohë pandemie.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 Korrik 2020 - Mbahet mbledhja e dytë e rregullt për vitin 2020 e Kuvendit të Komunës së Prizrenit. (Salla e Kuvendit të Komunës në Shtëpinë e Bardhë, ora 10:00)

- Inaugurohen zyrat të reja të Bankës Qendrore të Kosovës në të cilen do të merr pjesë edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. (Tek ish-zyrat e Komunës së Prishtinës që gjenden mes objektit të BQK-së dhe parkingut nëntokësor tek Hotel Grandi, ora 10:00)

- Nataliya Apostolova, Udhëheqëse e Zyrës së BE-së në Kosovë do t’i dorëzojë Ministrisë së Shëndetësisë 6,000 komplete testimi për COVID-19, 90 shtretër spitalorë, mbi 67,000 maska të frymëmarrjes dhe pajisje të tjera mjekësore në mbështetje të sistemit shëndetësor. (Live stream në facebook.com/EuropeanUnionInKosovo, ora 10:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi do të vizitojë Komunën e Gjilanit ku do te takohet me kryetarin Lutfi Haziri. (Objekti i Komunës së Gjilanit, ora 10:30)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe Kryetari i Komunës se Gjilanit, Lutfi Haziri vizitojnë stadiumin e qytetit në Gjilan si dhe vendosin gur-themelin e stadiumit ndihmës. (Gjilan, ora 11:00)
 
- Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Iniciativa për Progres me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit dhe NED-it, do të mbajnë konferencë për media, në të cilën do publikohet raporti i monitorimit dhe hulumtimit në fushën e prokurimit publik: “E drejta për ujë, peng i prokurimit: Analizë e tenderit maratonik për ujësjellës në Komunën e Dragashit”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, përfaqësuar nga Ambasada Britanike, nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi për të siguruar emërime profesionale të udhëheqësve të institucioneve dhe organeve publike, nëpërmes proceseve të drejta dhe transparente të rekrutimit. (Holli i Kuvendit të Kosovës​, ora 12:00)

- SKOPI Studentor organizon aksion simbolik për të treguar realitetin e krijuar nga emërimet e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. (Para ndërtesës së Ministrisë së Arsimit, ora 12:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti merr pjesë në nënshkrimin e Memorandum Bashkëpunimit me Ambasadën Britanike për pozitat e larta drejtuese. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00)

- IKD dhe INPO mbajnë konferencë për medie, në të cilën do publikohet raporti i monitorimit dhe hulumtimit në fushën e prokurimit publik “E drejta për ujë, peng i prokurimit”. (Hotel “Sirius”, ora 14:30)

- Me rastin e Ditës Botërore të Gazetarëve të Sportit, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka ftuar të gjithë gazetarët e sportit, në takim me për të diskutuar mbarëvatjen e sportit në vendin tonë si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet sporti dhe gazetarët sportivë. (Kabineti i Ministres së MKRS-së, ora 15:15)