06 Prill 2020

MKRS e UP nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

Prishtinë, 9 mars - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, nënshkroi sot memorandumin e bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina", në emër të të cilit e nënshkroi rektori i këtij universiteti, Marjan Dema.

Ky Memorandum i bashkëpunimit ka për qëllim të mbështesë Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në organizimin e “Javës së Universitetit”, dhe Manifestimin qendror për 50 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina".

Ministrja Dumoshi u shpreh shumë e nderuar që Ministria që ajo drejton ka mundësinë të mbështesë Universitetin e Prishtinës në këtë vit jubilar e të rëndësishëm për dijen dhe kulturën.

“Universiteti i Prishtinës përpos që është vatër e dijes dhe e konsolidimit kombëtar të Kosovës, ka luajtur rolin e patjetërsueshëm historik të shtetbërjes dhe në këtë gjysëmshekull jetë të tij, institucioni kryesor në fushën e arsimit duhet të përkrahet në maksimum sepse kësisoj avancohet, dija, shkenca, kultura dhe çdo fushë tjetër në Republikën e Kosovës”, ka vlerësuar ministrja.

Rektori Demaj, në anën tjetër e falënderoi Ministren Dumoshi e cila prej marrjes së mandatit ka shprehur vullnetin e gatishmërinë të jetë bashkëpunëtore për avancimin e dijes e arsimimit, përmes Universitetit të Prishtinës, kështu duke i kontribuar gjeneratave te reja që po shkollohen e edukohen në Prishtinë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 Prill 2020

- Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) mban seancën e dytë me radhë. (Zyrat e ZRrE-së, ora 10:00)

- Përfaqësues të AAK-së mbajnë konferencë për medie rreth situatës emergjente në ekonomi si pasojë e pandemisë së Coronavirusit. (Selia e AAK-së, ora 13:00)