11 Gusht 2020

MASHT pranoi donacionin prej 460 laptopëve nga “Elkos Grup-ETC”

Prishtinë, 4 maj - Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka pranuar sot donacionin prej 460 laptopëve nga “Elkos Grup-ETC”, me pronar Ramiz Kelmendin, të cilët do t’iu shpërndahen fëmijëve në nevojë nëpër të gjitha komunat e Kosovës për realizimin e mësimit në distancë.

Ministrja Bajrami, me këtë rast, theksoi se ky donacion është shumë domethënës, në këtë kohë të pandemisë, kur MAShTI ka punuar shumë që të ofrojë mësim në distancë, e megjithatë në mungesë të pajisjeve, disa prej familjeve nuk kanë pasur mundësi që ta përcjellin.

Ministrja bëri të ditur se kompjuterët do të tërhiqen nesër nga komunat në depot e “Elkos Grup-ETC”, pasi që komisioni i formuar tashmë nga MAShTI në bashkëpunim me “Elkos Grup” dhe DKA-të të caktojë kriteret dhe të përgatitet lista se sa kompjuterë do të shkojnë në secilën komunë.

Ministrja Bajrami theksoi se me gjithë këtë donacion shumë të rëndësishëm, numri i fëmijëve që nuk mund ta ndjekin mësimin në distancë për shkak të mungesës së pajisjeve teknologjike është më i madh.

Ajo theksoi se MAShTI është duke punuar edhe me kompani të tjera dhe donatorë, në mënyrë që nxënësit në nevojë të pajisen me teknologjinë e duhur për ndjekjen e mësimit në distancë.

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 11 Gusht 2020 - Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, do t’i vizitojë punimet në hekurudhën e Kosovës, linjën 10, në stacionin hekurudhor në Miradi. (Miradi, ora 10:00 - nisja për medie nga parkingu i Ministrisë së Infrastrukturës, ora 9:30)

- Kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani viziton Komunën e Mitrovicës së Jugut. (Ndërtesa e komunës, ora 10:00)

-  Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton Raportin e Auditimit për Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2019. (Salla e seancave plenare, ora 10:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, do të vizitojë Komunën e Malishevës ku do te takohet me kryetarin Ragip Begaj. (Objekti i Komunës, ora 10:00)

- Ministria e Punëve të Brendshme do të pranojë donacion nga kompania “Sezin” nga Turqia me ndihmën e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Kosovë, ku do të dhurohen maska dhe pajisje tjera mjekësore. (Para objektit qendror të MPB-së, ora 10:00)

- Kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani viziton mban ashkëbisedim me të rinjët lidhur me çështje të ambientit. (Te Liqeni  Hapësira pranë urës nga ana e Suhodollit, Mitrovicë e Jugut, ora 10:30)

- Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri viziton Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës për të diskutuar rreth rimëkëmbjes ekonomike. (Ndërtesa e TRUST-it, Rruga "Agim Ramadani", ora 11:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon konferencën për media ku do të shpalosen gjetjet nga analiza e burimit të problemeve në mos zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm nga komunat. (Zyrat e KDI-së, ora 11:00)

 - Kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani viziton FAFOS​ në Mitrovicë të Jugut. (Mitrovicë e Jugut, ora 11:30)

- Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi raporton para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit diskuton lidhur me programin legjislativ për vitin 2020 respektivisht të Projektligjeve të Ministrisë së Drejtësisë si dhe për gjendjen në Institucionet Korrektuese në Republikën e Kosovës për shkak të Pandemisë me Covid-19. (Salla e seancave plenare, ora 13:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione shqyrton raportin e panelit përzgjedhës për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistim dhe listën e ngushtë të kandidatëve për Avokat të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-I9 nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës dëgon dëshmitë e dëshmitarëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 14:30)

- Organizata ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sulejmani” organizojn takim me shkrimtarin dhe kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Mehmet Kraja. (Qendra për Edukim dhe Kulturë “Libart” në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Dardania”, ora 18:00)  .