17 Janar 2018

Rënia e lirë e një ish partie

Shkruar nga Gani Qarri

Zgjedhjet e fundit dëshmuan se tërheqja e Isa Mustafës nga kandidatura për kryeministër nuk mjaftoi dhe ishte hap i mangët për elektoratin e LDK-së.

Kjo parti, ka kohë që ndjenë nevojën për rifreskimin me kryetar dhe kryesi të re si dhe një reformim të thellë brenda saj.

Këtë e dëshmuan katërçipërisht edhe këto zgjedhje, në të cilat u pa se të gjitha bastionet e LDK-së, po bien njëra pas tjetrës dhe përveç Prishtinës, të cilën Isa Mustafa e humbi dikur me “duar në xhepa” edhe qytetet e tjera të mëdha e të vogla, me kryetarë të komunave që vijnë nga LDK-ja, po i humb një nga një.

Le të shohim, qoftë edhe sa për kuriozitet, se si bastionet e LDK-së, pësuan rëniet e njëpasnjëshme, pothuajse në të gjitha qendrat ku ajo si parti ka kryetarët. Po fillojmë nga qyteti i Ferizajt, udhëhequr nga Muharrem Sfarqa i LDK-së, i cili deri para pak kohësh, konsiderohej si kuadër me perspektivë, por që partia të cilës ai i takon, në këto zgjedhje nuk arriti të dalë as e dyta me vota në qytetin që ai udhëheq.

Derisa VV në Ferizajn e Muharrem Sfarqës ka marrë më se 35 % dhe PAN rreth 31% sosh, koalicioni i kryesuar nga LDK-ja, ka rënë në pozitën e fundit me më pak se 30% të votave.

Rënien drastike të LDK-së, dhe koalicionit LAA, udhëheqësi i Ferizajt e arsyeton me veprimin e Isa Mustfafës që largoi Adem Salihajn nga lista e deputetit.

Por çfarë arsyetimi do të na japë Lutfi Haziri për Gjilanin, ku edhe aty fitoi Lëvizja Vetëvendosje, madje me dallim të madh kundrejt LDK-së. VV në këtë qytet ka arritur të sigurojë rreth 42% të votave, kurse i tërë koalicioni LAA me vetëm 27-8% të tyre.

Madje megjithëse në koalicion me disa parti politike, LDK humbi edhe në qytetin e Pejës, e cila në zgjedhjet e fundit komunale, ishte fituesja më e madhe. Derisa koalicioni PAN, siguroi më se 37% të votave, koalicioni LAA- në Pejë mezi arriti në rreth 31% të tyre.

Njëjtë si në Ferizaj, Gjilan e Pejë, LDK ka humbur besimin e elektoratit në masë të madhe edhe në Fushë Kosovë. Edhe aty, Vetëvendosja doli para LDK-së, duke fituar rreth 35% të votave, kurse koalicioni LAA, me vetëm rreth 34% sosh.

Po ashtu në Viti, e cila udhëhiqet nga Sokol Haliti i LDK-së, përsëri e para doli Lëvizja Vetëvendosje që siguroi më tepër se 37% të votave, ndërsa të shtatë partitë e koalicionit LAA, me në krye LDK-në, as 35% të tyre.

LDK pësoi edhe në Suharekën e udhëhequr nga Salih Asllanaj i LDK-së, ku koalicioni PAN arriti të jetë i pari me rreth 44% të votave, kurse LDK-ja me partnerë të koalicionit, nuk mundi të marrë as 35%  nga to.

E vetmja që vërtet shkëlqeu në këto zgjedhje, ishte kandidatja e anashkaluar e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kandidatja për deputete zonja Vjosa Osmani, e cila sikur zbuti sadopak dhembjen e humbjeve galoponte të partisë së saj dhe nga 40 mijë vota sa kishte në zgjedhjet e vitit 2014, kësaj radhe megjithëse u rendit e fundit dhe  vetëm nën numrin 81 të listës zgjedhore të koalicionit LAA, votuesit e gjetën emrin e saj dhe pothuajse i shprehën besim të dyfishuar asaj, duke i dhënë, siç u tha në fillim-rreth 60 mijë vota, ani pse ato tanimë u korrigjuan nga partia dhe paraqitën vetëm si 45 mijë sosh.

Vjosa Osmani, mund të thuhet lirisht se ishte fituesja më e madhe brenda LDK-së, në këto zgjedhje e cila për nga votat, pothuajse ndan vendin e parë me kandidatin për kryeministër nga koalicioni LAA, z. Avdullah Hoti.

LDK, jo vetëm se humbi në të gjitha komunat ku udhëheqin kandidatët e saj, por ajo ra edhe në pozitat e fundit nga partitë që në rrethana të Kosovës konsiderohen, si të mëdha.

Madje, derisa koalicioni PAN mori 34% të votave, Vetëvendosje e vetme arriti në 27% prej tyre, kurse LDK mbeti e fundit edhe si koalicion me vetëm 25.7% sosh, që përpjesëtuar në proporcion partie, befason shumë në rënie.

Këto zgjedhje sollën edhe një risi duke nxjerrë Bajram Gecajn e LDK-së, si humbësin rekord të tyre, personin që njihej si mbrojtësi më i zëshëm i qeverisjes së kaluar, i cili u ndëshkua aq rëndë nga votuesit, sa ra edhe në shifrën prej vetëm 8 votash. 

Kjo tregon më së miri se sa në të vërtetë është lodhur elektorati i LDK-së nga politikanët e konsumuar, humbës të zgjedhjeve shumë herë, të cilët LDK-në, si parti ish lidere, nga lartësitë zenitore të Rugovës, e lëshuan kryengulthi, në rënie të lirë, e cila me verdiktin e fundit, pothuajse u plandos tërësisht përtoke.

Ndaj, sovrani foli me gjuhën e tij të qartë në këto zgjedhje dhe dëshmoi se ai përfundimisht kërkon ndryshime thelbësore edhe në LDK. Kështu që si z. Isa Mustafa, ashtu edhe Agim Veliu, Lutfi Haziri, Ismet Beqiri etj. duhet ta lexojnë drejt porosinë e dhënë, kuptojnë si duhet mesazhin e votuesve dhe lëshojnë vendin kuadrove të reja dhe më të mirë që ka LDK, në mënyrë që me emra të rinj e të dëshmuar për punë e seriozitet, të forcohet e ngrihet përsëri në këmbët e veta dhe të fitojë namin që dikur LDK kishte, jo vetëm si parti por dhe organizatë gjithëpopullore, e adhuruar nga të gjithë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 Janar 2018 - Mbahet mbledhje e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të behët shqyrtimi i projektligjit për ndërmarrjet sociale. (Ndërtesa e Kuvendit, sallaN 303, ora 10:00)

- Në kuadër të organizimeve në 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, nesër më 17 janar 2018, zhvillohen homazhe te shtatorja e Skënderbeut. (Shtatorja e Skënderbeut, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në të cilën do të behët shqyrtimi i raportit të punës së Komisionit, për vitin 2017 si dhe shqyrtimi i draft-planit të punës së Komisionit, për vitin 2018. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Për nder të 18 vjetorit të themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës, do të mbahet shënimin simbolik të këtij përvjetori, në të cilin pjesëmarrës do të jenë Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, Ministri i Financave Bedri Hamza, palët e interesit dhe donatorët. (Qendra e Shërbimit të Tatimpaguesve, ish-ndërtesa e Gërmisë, ora 11:00) 

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit,  salla  C 301, ora 11:00)

- Prezantohen projektet e studentëve, të cilët do të pasqyrojnë punën që është bërë gjatë semestrit dimëror 2017/18. (Fakulteti i Edukimit, ora 11:00)

- Mbahet mbledhje e Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për Tatimin në Pronën e Paluejtshme, me raport amandamente të Komisionit funksional për Buxhet dhe Finanaca. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 12:00)

- Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj do të vizitojë kompaninë e prodhimit të produkteve farmaceutike “Trepharm”. (Hapësirat e “Trepharm” në Sllatinë, ora 12:30)

- Komuna e Gjilanit ben zbulimin e bustit te heroit Gjergj Kastrioti - Skenderbeu. (Sheshi kryesore para zyres se kryetarit ne Gjilan, ora 13:00)

- Mbahet Akademi kushtuar 550 vjetorit të Skënderbeut, me ç ‘rast do të promovohet pulla postare e Postës së Kosovës dhe Postës së Maqedonisë në të cilen do të nderohen edhe figurat e shquara të shqiptarëve, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, në 36-vjetorin e vrasjes së tyre. (Teatri Kombëtar të Kosovës, ora  15:00)

- Komuna e Gjilanit organizon akademin e Flakes se Janarit 2018, qe i kushtohet 550 vjetorit te vdekjes se heroit kombetar Skenderbeu dhe 50 vjetorit te protestave masive per flamurin kombetar. (Teatri i Qytetit, ora 16:00)

- Muzeu i Kosovës, me nismën e "Museum Illyricum" - Zvicër, organizojnë ekspozitë me libra; pulla dhe bankënota nga mesjeta e deri në vitet '30-ta. (Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, ora 18:00)

- Hapet ekspozitë 55 portrete për 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut. (Swiss Diamond Hotel, ora 18:00)

- Në 550 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar Skenderbeu dhe 50 vjetorit të protestave masive për flamurin kombëtar organizon aktivitetin Peneli i Flakes. (Teatri i Qytetit të Gjilanit, ora 19:00)