19 Nëntor 2017

Qeveria ua vazhdon mandatin sekretarëve të përgjithshëm

Prishtinë, 17 korrik - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 149-tën me radhë, në të cilën ka miratuar vendime nga fusha e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Pika e parë që mori miratimin e kabinetit ishte rregullorja për detyrat, përgjegjësitë dhe procedurat e komisioneve të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Në pajtim me Ligjin nr. 5L/010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës do të jenë dy komisione, ai për kërkesa pronësore dhe komisioni për verifikimin dhe vendosje për prona, anëtarët e të cilave do të kryejnë detyrat e tyre në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Komisioni ka për qëllim të bëjë zgjidhjen e kërkesave lidhur me pronën e paluajtshme private, duke përfshirë pronën bujqësore dhe atë komerciale si dhe krahasimin dhe zgjidhjen e dallimeve në mes të dokumenteve kadastrale origjinale të marra në Kosovë nga pushteti serb para qershorit të vitit 1999 dhe të dokumenteve kadastrale aktuale në Republikën e Kosovës për pronën private, pronën private komerciale dhe pronën private të bashkësive private.

Kabineti qeveritar miratoi edhe rregulloren për punën e Bordit mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, me të cilën përcaktohen rregullat e procedurës, parimet e përgjithshme, organizimi, mbajtja e mbledhjeve, si dhe mënyra e marrjes së vendimeve në mbledhjet e këtij bordi.

Në mbledhje u miratua edhe rregullorja për detyrat, përgjegjësitë dhe organizimin e Sekretarisë Ekzekutive të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, që përcakton kriteret për zgjedhjen e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të kësaj agjencie.

Me këtë rregullore përcaktohen procedurat e krahasimit dhe verifikimit të dokumenteve dhe zgjidhjes së rasteve, vazhdimi i zgjidhjes së kërkesave të parashtruara sipas procedurave në Agjencinë Kosovare të Pronës, të drejtat e palëve në procedurë, nxjerrja e vendimeve, zbatimi i vendimeve përmes mjeteve juridike të parapara me ligj, bashkëpunimi me institucione tjera, etj.

Qeveria miratoi edhe udhëzimin administrativ lidhur me lirimin e bartësve të së drejtës së pronësisë apo shfrytëzimit nga borxhet e shërbimeve publike komunale për pronat e uzurpuara dhe nën administrimin e Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, me të cilin përcaktohen kushtet për lirimin e bartësve të së drejtës së pronësisë apo shfrytëzimit nga obligimi i pagesës së borxheve të papaguara për shërbimet publike komunale për periudhën sa ka qenë prona e uzurpuar apo gjatë periudhës së shfrytëzimit sipas skemës së Agjencisë Kosovare për krahasim dhe verifikim të pronës mbi qiradhënien.

Po ashtu, u miratua edhe udhëzimi administrativ për procedurat, kushtet dhe kriteret rreth përfundimit  të administrimit të pronave nën administrimin dhe atyre të përfshira në skemën e qirasë të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Objektiv kryesor i këtij udhëzimi është që të lehtësohet zbatimi i skemës së qirasë, si dhe përfundimi i administrimit të pronave nën administrimin dhe atyre në skemën e qirasë.

U miratua edhe rregullorja për programet e Trajnimeve bazike dhe të Avancuara si dhe Provimin Profesional në Fushën e Mbrojtjes nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera. Qëllimi i hartimit të kësaj rregulloreje, është përcaktimi i programit të trajtimeve bazike dhe të avancuara, si dhe organizimi i provimit profesional dhe kushtet që duhet plotësuar nga personat juridik për aftësimin teorik dhe praktik të kandidatëve në fushën e mbrojtjes dhe shpëtimit nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera.

Qeveria, në mbledhjen e sotme, miratoi edhe Listën e masave të Pakos Fiskale 2.0. Kryeministri Mustafa falënderoi për punën e bërë, duke vlerësuar punën e bërë në përmbylljen e pakos fiskale.

Kabineti qeveritar miratoi edhe vendimin për vazhdimin e mandatit për Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe vendimi për emërimin e Këshilltarit të Konstituencës të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kosova nga viti 2012 është anëtare me të drejta të plota në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ky anëtarësim i ka ndihmuar Kosovës që të përfitoi një numër të konsiderueshëm të projekteve nga BERZH-i dhe deri më tash janë 51 projekte që Kosova ka përfituar nga ky institucion financiar ndërkombëtar në vlerë prej 228 milionë euro, prej të cilave aktualisht janë duke u zbatuar projekte në vlerë prej 138 milionë euro, pjesa dërrmuese në sektorin publik, në financimet e projekteve infrastrukturore, por ka edhe në sektorin privat në bazë të marrëveshjeve që BERZH ka me kompani dhe me banka vendore.

“Në maj të vitit 2017 është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet kryeministrit Mustafa dhe presidentit të BERZH-it, i cili parasheh fushat në të cilat BERZH do të  bashkëpunoi me Qeverinë e Kosovës në fuqizimin e sektorit privat dhe në financimin e investimeve publike në bazë të propozimeve të Komitetit Kombëtar për Investime. Kosova ka potencial të madh që përfitoi shumë më tepër nga BERZH-i sesa ka pasur deri më tash. Për të arritur këtë nivel të bashkëpunimit dhe për të fuqizuar këtë, propozoj që ne të kemi përfaqësuesin tonë në Konstituencën e BERZH-it ku jemi bashkë me Danimarkën, Lituaninë dhe Irlandën, dhe duke pasur parasysh këto propozoj që z. Berat Havolli që është shef i Divizionit në Departamentin e Politikave Ekonomike në Ministrinë e Financave të emërohet përfaqësues i Qeverisë së Kosovës në Konstituencën e BERZH-it, që t’i ndihmojë Qeverisë së Kosovës në identifikimin e projekteve dhe në zbatimin e plotë të Memorandumit që është nënshkruar në maj të këtij viti”, tha ministri i Financave.

Në mbledhjen e sotme u miratua edhe vendimi për vazhdimin e mandatit të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe vendimi për vazhdimin e mandatit të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Edhe vendimi për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Ekologjia” Sh.A. Graçanicë, mori miratimin e kabinetit qeveritar, e cila do t’i kryej këto veprimtari: mbikëqyrjen e tregut, shërbimet funerale, mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra, fushat sportive, ndriçimin publik etj.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, ka informuar kabinetin qeveritar për proceset që po zhvillohen  rreth arbitrazhit për çështjen e AXOS-it. Ai njoftoi në pika të shkurtra për hapat që do të ndërmerren deri në muajin shtator.

“Mbrojtja e Republikës së Kosovës e paditur nga AXOS kapital GMBH për procesin e privatizimit të PTK-së në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit është në fazën e përgatitjes së raportit të dytë kundërshtues ndaj paditësit AXOS. Lidhur me këtë raport nga data 10-12 korrik janë mbajtur takime ndërmjet avokatit tonë me dëshmitarët që do të jenë prezentë në seancë, takimi me ekspertin ligjor dhe me përfaqësues të telekomit, si dhe është bërë mbledhja e fakteve shtesë të nevojshme për këtë fazë. Afati për dorëzimin e raportit kundërshtues dhe dëshmive të dëshmitarëve është 1 shtatori 2017, ndërkaq seanca dëgjimore në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit është e paraparë të mbahet në nëntor 2017.

Në mënyrë të përmbledhur hapat e ardhshëm gjatë kësaj periudhe nga qershori e këndej: Pra me 16 qershor AXOS ka paraqitur përgjigjen e tij mbi juridiksionin, meritat dhe kuantumin, ndërkaq gjatë kësaj periudhe avokati ynë ka bërë mbledhjen e dokumenteve dhe përgatitjen e deklaratave të reja të dëshmitarëve dhe raporteve të ekspertëve. Më 1 shtator ne do të paraqesim kundërshtimin mbi juridiksionin, meritat dhe kuantumin. Më 29 shtator 2017 AXOS do të paraqesë kundërshtimin e vet vetëm mbi kompetencat dhe pranueshmërinë, ndërkaq mes datave 6-17 nëntor 2017 do të mbahet seancë dëgjimore mbi juridiksionin, pranueshmërinë, meritat dhe kuantumin e cila do të zhvillohet në Paris. Ky dëgjim do të duhej të ndiqet nga një përfaqësues i Kosovës dhe të gjithë dëshmitarët dhe ekspertët në të cilët mbështetet Kosova. Gjatë ditës do ta keni një raport të detajuar me të gjithë hapat që kanë kaluar në periudhën e kaluar dhe ato që presin të realizohet në periudhën e ardhshme”, tha ministri Stavileci.

Kryeministri Isa Mustafa, kërkoi që raporti i cili do të sillet në zyrën e tij të evidentohet dhe t’u shpërndahet të gjithë anëtarëve të Qeverisë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 Nëntor 2017 - Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka do të votojë në Prishtinë ku me pas votimit do të jap deklaratë për media për fillimin e votimit për kryetar në 19 komuna dhe rivotimin për kryetar të komunës së Parteshit. (Qendra e Votimit 1907E në Fakultetin Teknik, ora 07:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban konferencën e parë për media lidhur me hapjen e qendrave të votimit në Republikën e Kosovës. (Qendra mediale të KQZ-së, ora 8:00)

 - Kongresmenit amerikan, Eliot Engel do të vizitojë qendrën e thirrjeve të Demokracisë në Veprim. (Qendra për media e DnV-së në Hotel Sirius, ora 9:00)

- Deputeti i i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti  voton Fakulteti Juridik  të Universitetit te Prishtinës. (Qendra e votimit 1913E, Vendvotimi - 1913E/03R , ora 9:00)

- Kongresmeni amerikan, Eliot L. Engel do të vizitojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku do të pritet nga anëtarët e KQZ-së dhe me pas do të japin nga një deklaratë para gazetarëve. (Selia e KQZ-së, ora 9:20)
 
- Demokracia në Veprim mban konferencën e parë për media lidhur me hapjen e vend votimëve. (Qendra për media e DnV-së në Hotel Sirius, ora 9:30)

- Kandidatja e PDK-së për kryetare të Komunës së Mitrovicës, Valdete Idrizi, voton në shkollën fillore “Çajupi”. (Mitrovicë, ora 9:30)

- Kryetari i Komunes se Gjilanit, Lutfi Haziri voton në shkollën fillore “Abaz Ajeti”. (Gjilan, ora 9:45)

- Kandidati i i Lëvizjes Vetëvendosjes për kryetar të Gjilanit Sami Kurteshi voton në Gjilan. (Shkolla fillore "Selami Hallaqi", ora 10:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj me bashkëshorten Anita Haradinaj, do të votojnë  në Shkollën e Mjekësisë “Ali Sokoli”. (Prishtinë, ora 10:00)

- Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti voton në Shkollë fillore "Faik Konica". (Qendra e votimit 1903E, Vendvotimi - 1903E/01R, ora 10:00)

- Kandidati i i Lëvizjes Vetëvendosjes për kryetar të Prizrenit Mytaher Haskuka voton në Prizren. (Shkolla e mesme  "11 Marsi", ora 11:00)

- Kandidati i i Lëvizjes Vetëvendosjes për kryetar të Podujevës, Ajet Potera voton në Podujevë. (Shkolla fillore “Naim Frashëri”, ora 10:00)

- Kandidati i i Lëvizjes Vetëvendosjes për kryetar të Kaçanikut, Basri Kodra voton në Kaçanik. (Shkolla Fillore “Emin Duraku”, ora 10:30)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes Visar Ymeri voton në Shkollen fillore "Faik Konica" ne Prishtinë. (Qendra e votimit 1903E, Vendvotimi - 1903E/09D në objektin e shkollës, ora 11:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban konferencën e dytë për media lidhur me pjesëmarrjen në votime dhe për procesin zgjedhore deri në ora 11:00. (Qendra mediale të KQZ-së, ora 11:30)

- Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj do të votojë në shkollën fillore Faik Konica. (Prishtinë, ora 12:00)

- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të zhvilloj konferencën e rregulltë për media. (Salla e Mediave në Selinë Qendrore të AAK-së, ora 12:00)

- Kandidati i i Lëvizjes Vetëvendosjes për kryetar të Kamenicës Qëndron Kastrati voton në Kamenicë. (Gjimnazi “Ismail Qmali”, ora 12:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan mban konferencën e radhës për media. (Selia e LDK-së, ora 12:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media në të cilën do të flasin Nënkryetari dhe deputeti, Dardan Sejdiu. (Zyret e Vetëvendosjes në lagjen "Arbëria", ora 12:00)

- Demokracia në Veprim mban konferencën e dytë për media lidhur me mbarëvajtjen e procesit te votimit. (Qendra për media e DnV-së në Hotel Sirius, ora 14:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban konferencën e tretë për media lidhur me pjesëmarrjen në votime dhe për procesin zgjedhore deri në ora 15:00. (Qendra mediale të KQZ-së, ora 15:30)

- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të zhvilloj konferencën e rregulltë për media. (Salla e Mediave në Selinë Qendrore të AAK-së, ora 16:00)

- E Diela e tretë e muajit Nëntor shënon Ditën Botërore për Përkujtimin e Viktimave në Trafikun Rrugor me c'rast behët ndezja e qirinjëve, në nderim të viktimave të cilët kanë humbur jetën në aksidente trafiku. (Teatri Kombëtar në Prishtinë, ora 17:00)

- Demokracia në Veprim mban konferencën e tretë për media lidhur me mbarëvajtjen e procesit te votimit. (Qendra për media e DnV-së në Hotel Sirius, ora 19:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban konferencën e katertë për media lidhur me pjesëmarrjen në votime dhe për procesin zgjedhore deri në ora 19:00. (Qendra mediale të KQZ-së, ora 20:00)