23 Shtator 2017

Do të shpejtohen hapat për funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës

Gjakovë, 21 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi Aeroportin e Gjakovës, ku u prit nga Kryeshefja ekzekutive e Aeroportit të Gjakovës, Vlora Gojani, anëtarët e Bordit dhe të ekzekutivit.
 
Në takim, ku të pranishëm ishin edhe kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ai i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe drejtori i Aviacionit Civil, kryeministri Mustafa u njoftua në detaje për asetet që i disponon Aeroporti i Gjakovës si dhe mundësitë e funksionalizimit të tij.
 
Më pas, kryeministri Mustafa vizitoi ambientet ku mbahen pajisjet për mirëmbajtjen e pistës dhe pjesës tjetër të aseteve të Aeroportit.
 
Para mediave të pranishme, kryeministri Mustafa tha se ky Aeroport është një aset shumë i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të Gjakovës dhe të Kosovës, i cili nuk duhet të mbahet në pasivitet.
 
“Ju i shihni këto pajisje që kanë një vlerë shumë të veçantë dhe është keq që janë jashtë përdorimit. E kemi një pistë të shkëlqyeshme të Aeroportit, një ambient i cili është tepër i mirë për Kosovën, por edhe për zhvillimin ekonomik të Gjakovës. Ne u morëm vesh që të punojmë të gjithë së bashku, edhe ministritë përkatëse, edhe agjencionet qeveritare, por edhe Komuna, Bordi dhe menaxhmenti i këtij Aeroporti në mënyrë që të gjejmë alternativat më të mira sa më shpejt”, tha kryeministri.
 
Kryeministri Mustafa, po ashtu tha se Qeveria do të marr për obligim që të sigurojë financimin që Bordi, menaxhmenti dhe punonjësit që merren me administratën dhe sigurinë e Aeroportit, të vazhdojnë dhe të kenë mundësi që të punojnë.
 
“Do të bëjmë një studim të fizibilitetit dhe të kërkojmë edhe partneritet ndërkombëtar për këtë studim dhe pastaj të ofrojmë alternativat më të mira për shfrytëzimin e këtyre aseteve dhe për gjenerimin ekonomik edhe për Gjakovën edhe për Kosovën në tërësi”, tha kryeministri Mustafa, duke bërë të ditur se në këtë drejtim do të punohet më shpejtë dhe nuk do të lihen asetet e tilla jashtë përdorimit.
 
Ndërkaq, lidhur me punën që po bëhet për blerjen e helikopterëve, kryeministri Mustafa tha se këto janë projekte, të cilat kanë qenë më parë të ndërlidhura me FSK-në, me Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Shëndetësisë, sepse në ato fusha ka nevojë që të mbulohen nevojat emergjente.
 
“Ka qenë një komision i cili ka punuar mjaftë gjatë. I ka studiuar të gjitha kushtet dhe ne tani e kemi autorizuar që të rrumbullakojmë atë pjesë, të gjejmë adresat ose furnitorët kryesorë, me të cilët ne mund të bëjmë kontraktimin e helikopterëve, natyrisht duke kaluar të gjitha fazat ligjore të kësaj. Edhe ky ambient këtu, për të cilin po flasim, është një ambient i përshtatshëm edhe për atë njësit të helikopterëve edhe për aeroplanë të vegjël, të cilët ne mund t’i kemi nesër si Kosovë, qoftë si aeroplanë qeveritarë, qoftë ata që shfrytëzohen për nevoja komerciale dhe për nevoja tjera, prandaj është një kompleks i punëve që ne bashkërisht do ta bëjmë”, tha kryeministri Mustafa.
 
Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, tha se është biseduar për format dhe mënyrat më të mira të funksionalizimit të Aeroportit e Gjakovës.
 
“Natyrisht janë kërkesa të cilat janë valide prej kohës kur është bërë pranim-dorëzimi i Aeroportit. Është një moment interesant, kryeministri është mirë i informuar mbi asetet, mbi vlerën dhe besoj se sot bashkërisht kemi treguar përkushtimin që në afat sa më të shkurtër kohor të kemi një plan aktiv mbi funksionalizimin dhe operacionalizimin e Aeroportit të Gjakovës në të gjitha fushat të cilat janë në përputhshmëri me ligjin dhe të cilat do të garantojnë një efikasitet të funksionimit të Aeroportit të Gjakovës”, tha kryetarja Kusari-Lila.
 
Lidhur me mundësitë e aktivizimit dhe përdorimit të Aeroportit të Gjakovës, kryetarja Kusari-Lila tha se janë disa forma të cilat bashkërisht janë biseduar në takim dhe për të cilat do të punohet në ditët në vijim.
 
“Janë mundësi të ndryshme të cilat duhet të dalin gjithashtu nga një dokument i konfirmuar si plan i fizibilitetit. Ne me kryeministrin dhe ministrat u dakorduam që bashkërisht të vijmë me propozimet për partneritet me organizatat zhvillimore ndërkombëtare të cilat do të ndihmojnë në përgatitjen e këtij plani. Po flasim për periudha jo të gjata kohore, flasim për periudha të cilat ne nga sot e tutje do të jemi aktivisht të involvuar dhe pastaj nga ky plan i fizibilitetit të nxjerrim orientimet. Mundësitë janë të shumta prej shkollës së Aviacionit Civil, tek mundësitë e përdorimit të hapësirës për çështje të ndryshme komerciale. Natyrisht çdo gjë sipas legjislacionit në fuqi në Kosovë”, tha kryetarja Kusari-Lila. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 Shtator 2017 - Universiteti “Kadri Zeka” bashkorganizator i manifestimit tradicional kulturor, letrar e shkencor “Takimet e Dom Mikelit”. (Stubëll të Epërme të Vitisë, ora 9:00)

- Fakulteti i Komunikim Masiv i Kolegji AAB në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit - FHF - Universiteti i Tiranës, Università per Stranieri di Perugia, Itali, Departamentin e Letërsisë dhe Gazetarisë - Universiteti i Elbasanit, Departamentin e Komunikimit - Universiteti Bedër-Tiranë, School of Journalism and Public Relations, Shkup dhe Institute of Communication Studies - Shkup, organizojnë Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Historia e medias dhe transformimet mediatike”. (Teatrin AAB “Faruk Begolli” të Kolegjit AAB, ora 10:30)

- Nën përkujdesje të kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri organizohet Akademi Përkujtimore kushtuar luftëtarëve të lirisë, Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj. (Amfiteatri i qytetit ‘Istref Begolli’ në Pejë, ora 11:00)

- Komuna e Pjese do të bëj zbulimi i lapidarit të luftëtarëve të lirisë, Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj. (Para objektit të policisë së Kosovës në Pejë, ora 12:00)

- Në kuadër të Simpoziumit Ndërkombëtar te Shkencave Shëndetësore mbahet Workshopi me ekspert vendor dhe të huaj i organizuar nga nga Kolegji Heimerer dhe Instituti i Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale. (Swiss Diamond Hotel, ora 13:00)
 
- Pas identifikimit të trupit të pa jetë të Dëshmorit të Kombit Kapllan Ahmeti, SHFD e UÇK - së në Bashkëpunim me Kuvendin Komunal të Skenderajit, organizojn ceremonin e rivarrimit të dëshmorit të kombit Kapllan Ahmeti. (Varrezat e dëshmorëve në fshatin Radishevë, Skenderaj, ora 15:00)

- Federata e Paqes Universale organizon konferencën ndërkombëtare me temë “Kultura dhe Paqja në Ballkan- Roli i Parlamentarëve“. (Kuvendi i Kosovës, salla 506, ora 15:00)




Ngjarjet e fushatës zgjedhore

- Lidhja Demokratike e Kosovës Dega në Prizren, mban Konferencë për Medie. (Zyrat e LDK-së te Shadërvani në Prizren, ora 11:00)

- Kandidati i LDK-së për kryetar komune në Mitrovicë, Safet Kamberi do ta shpalosë programin qeverisës për qytetarët dhe prezantimin e kandidatëve për Asamble Komunale. (Sheshi afër zyrave të LDK-së në Mitrovicë, ora 13:00)

- Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, mban konferencë për media ku do të flet për një nga projektet e radhës për Prishtinën. (Zyrët e Lëvizjes Vetëvendosje! në lagjen Arbëria, ora 14:00)

- Aleanca per Ardhmërinë e Kosovës mban manifestimin qendror të hapjes së fushatës për zgjedhjet lokale të 22 Tetorit 2017.  (Salla “1 Tetori” në Prishtinë, ora 14:00)

- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli do të jetë prezentë në Ferizaj ku do të merr pjesë në tubimin fushatës për zgjedhjet lokale 2017. (Selia e degës së PDK-së në Ferizaj, ora 15:00)

- Partia Demokratike e Kosovës mban takim zgjedhorë në fshatin Rakaj të Ferizajt. (Fshati Rakaj, ora 16:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës shpalosë Platformën për Zhvillim Ekonomik Lokal. (Hotel International në Prishtinë, ora 17:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban tubimin zgjedhor të radhës, në qytetin e Gjilanit. (Teatri i Qytetit, ora 17:00)

- Partia Demokratike e Kosovës mban takim zgjedhorë në fshatin Komogllavë të Ferizajt. (Fshati Komogllavë, ora 17:00)

- Gruaja Demokratike në Gjakovë organizon manifestimin solemnë me rastin e prezantimit të kandidateve femra të cilat garojnë në listen për Asamble Komunale në Gjakove nga Partia Demokratike e Kosovës. (Hotel Pashtriku në Gjakovë, ora 17:00) 

- Partia Demokratike e Kosovës mban takim zgjedhorë me qytetarë të Ferizajt. (Restaurant “Fitorja”, ora 19:00)