21 Maj 2018

KEDS planifikon të investojë në Malishevë

Prishtinë, 16 maj - Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji elektrike (KEDS) ka planifikuar që këtë vit të realizojë disa projekte në Malishevë. Investimet do të realizohen kryesisht në disa fshatra, por edhe brenda në qytet.

Zyrtarët e KEDS-it, ditë më parë kanë informuar kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begajn për investimet që priten të realizohen në këtë komunë. Sipas tyre, deri më tash janë realizuar disa projekte te rregullimit të infrastrukturës energjetike, si në fshatin Llazicë dhe Astrazup.

“Në Mleqan është duke u realizuar një projekt. Shumë shpejt pritet të investohet në Dragobili 1 dhe Dragobili 2, kurse në proces janë projektet në fshatërat Bubavec, Stapanica, Shkozë e Marali”, thanë zyrtar ët e KEDS-it.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj ka kërkuar nga zyrtarët e KEDS-it që të investohet në ndërtimin e trafos 110kv..

Fuqia aktuale e energjisë elektrike në Komunën e Malishevës, sipas tij, është e pamjaftueshme.

“Pa një furnizim normal me energji elektrike, nuk mund të paramendohet as një zhvillim ekonomik, pasi çdo investitor e kërkon edhe energjinë elektrike”, tha Begaj.

 Qytetarët e Malishevës, besojnë në premtimet e KEDS-it. Ata thonë se qyteti i tyre ka nevojë për një infrastrukturë të re të energjisë elektrike.

Faruk Kastrati nga fshati Kijevë tha se KEDS, gjatë vitit të kaluar ka bërë disa investime në përmisimin e infrastrukturës së energjisë elektrike, porse ende ka nevojë për investime të tilla.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 Maj 2018 - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, do të vizitojë komunën e Kaçanikut, ku do të takohet me kryetarin e Komunës, Besim Ilazi. (Zyra e kryetarit Ilazi, ora 9:00)

- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, do të vizitojë shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Jusuf Gërvalla” në Biqec. (Objekti i shkollës në Biqec, ora 9:45

- Instituti për Politika Zhvillimore organizon tryezën ”Sistemi Pensional në Kosovë: sfidat dhe mundësitë”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Në kuadër të kampanjës “Drejtësia dhe biznesi” Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, së bashku me përfaqësues nga KIESA dhe Oda Ekonomike Amerikane, do të takojnë bizneset nga rajoni i Mitrovicës. (Hotel Palace në Mitrovicë. ora 10:00)

- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, do të vizitojë shkollën e mesme “Feriz Guri dhe Vëllezërit Qaka”. (Objekti i shkollës, ora 10:30)

- Oda Ekonomike e Kosovës publikon studimin “Bottleneck” me qëllim identifikimin e barrierave që pengojnë të bërit biznes në vendin tonë. (Oda Ekonomike e Kosovës, ora 11:00)

- Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, pret në takim futbollistët e FC Drita, të cilët të dielën u shpallën kampion. (Zyra e Kryetarit, objekti i ish-gjykatës, ora 12:00)

- Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në  Kosovë, Qemal Minxhozi viziton komunën e Dragashit, ku do të pritet nga kryetari i komunës, z. Shaban Shabani (Komuna e Dragashit, ora12:30)

- Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj merr pjesë më inaugurimin e rrugës Krushevë-Shishtavec, e financuar nga BE. (Krushevë, Komuna Dragashit, ora 15:00)

- Drejtori i misionit të USAID-it Xhejms Houp do të flasë me rastin e ceremonisë zyrtare që do të shënojë partneritetin me Cacttus Education. (Cacttus Education, rr. Bashkim Fehmiu. Arberia 3, BC2/11, nr. 4,  ora 16:45)

- Dega e OVL te UÇK-së në Kaçanik në bashkëpunim me SHIL, SHFD, institucionet komunale organizon orë përkujtimore me rastin e 19 të rënies heroike të dëshmorëve: Danush Kurtaj, Mejdi Dalloshi, Tefik Raka, Avdylgafurr Luma dhe Suad Brava, të rënë në Masakrën e Dubravës së Istogut me 22 maj ’99. (Shtëpia e Kulturës “Xheladin Kurtaj” në Kaçanik, ora 17:00)

- Bëhen homazhe me rastin e 19 të rënies heroike të dëshmorëve të rënë në Masakrën e Dubravës së Istogut me 22 maj ’99. (Varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, ora 18:30)