26 Prill 2024

Me moton “Duart Lart Parandalo HIV” shënohet Dita Botërore e AIDS-it

Prishtinë, 1 dhjetor - Zëvendësministri i Shëndetësisë Izet Sadiku, sot ka marrë pjesë në konferencën e organizuar në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK), me qëllim të shënimit të Ditës Botërore të AIDS.

Zëvendësministri Sadiku tha se në këtë ditë në mbarë botën shënohet Dita Botërore e AIDS, ku për qëllim ka paraqitjen e gjendjes aktuale dhe të arriturat në luftën kundër HIV-AIDS.

Ai tha se me veprimet e MSH-së në bashkëpunim me institucionet relevante dhe organizatat ndërkombëtare, kanë bërë të mundshme uljen e prevalencës në nivel vendi për HIV-AIDS, sidomos në pesë vitet e fundit.

“Ministria e Shëndetësisë në kuadër të veprimtarive të saja për luftimin e HIV-AIDS, ka punuar edhe strategjinë për HIV-AIDS, mbulon me barna antiretrovirale falas për të gjitha nevojat në nivel vendi për të prekurit me HIV, si dhe ka paraparë që në të ardhmen që të sigurojë edhe terapinë pediatrike”, tha Zëvendësministri Sadiku.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani tha se Instituti Kombëtar është institucioni më i lartë shëndetësor, profesional  dhe shkencor i Kosovës në shëndetësinë publike, deh se IKSHPK përcjell në vazhdimësi situatën epidemiologjike me HIV/AIDS dhe merret me parandalimin e HIV it.

“Kosova klasifikohet si vend me shkallë të ulët të epidemisë, nën 1% në popullatën e përgjithshme dhe nën 5% te grupet me rrezik të lartë”, tha dr. Ramadani

Ai më tutje ka paraqitur disa statistika lidhur me AIDS-in në Kosovë “deri sot në IKSHPK në janë raportuar gjithsej 110 raste me HIV dhe AIDS, prej tyre 67raste janë me AIDS dhe 43 me HIV infeksion; 44vdekje janë regjistruar si pasojë e AIDS-it, derisa, në vitin 2016 kemi 10 raste me HIV, 1 rast i vdekjes AIDS” tha dr. Ramadani.

Shefi i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Prishtinë, Skender Syla tha se “kjo ditë paraqet mundësinë për të përhapur porosi dhe informacione për gjendjen e pandemisë së HIV/AIDS-it, dhe për të nënvizuar përparimin e bërë në parandalim, trajtim dhe kujdes anekënd botës”.

Ai tha se përkundër përpjekjeve të vazhdueshme HIV-i mbetet brengë serioze e shëndetit publik në Rajonin Evropian të OBSh-së, veçanërisht në pjesën lindore të rajonit. Viti 2015 ka shënuar numrin më të madh të rasteve të raportuara brenda një viti.

“Për të adresuar këtë situatë kritike, OBSH-ja së bashku me shtetet anëtare të rajonit Evropian ka formuluar Planin e Veprimit i cili është aprovuar në shtator të vitit 2016 dhe OBSh u bënë thirrje liderëve të shteteve, që ta përdorin këtë plan për përgjigje urgjente, të përshpejtuar dhe inovative ndaj HIV-it në rajonin Evropian, për ta frenuar epideminë e AIDS-it menjëherë dhe për t’i dhënë fund deri në vitin 2030” tha dr. Syla.

Nga dr. Luljeta Gashi IKSPK dhe dr. Murat Mehmeti Klinika Infektive QKUK, është prezantuar situata aktuale epidemiologjike në Kosovë respektivisht trajtimi i HIV-AIDS.

Nga të gjithë panelistët e  konferencës është bërë thirrje që në të ardhmen të angazhohemi të gjithë së bashku nga individët në komunitet, nga të rinjtë dhe të rejat, burrat dhe gratë pavarësisht orientimit të tyre seksual, nga mësimdhënësit në institucione edukative, nga profesionistët shëndetësor, nga shkencëtarët në institucione hulumtuese, e deri te liderët e shteteve për të arritur synimin e përbashkët; dhënien fund të HIV/AIDS-it.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)