19 Mars 2024

Komuna e Gjilanit me Strategji për gratë ndërmarrëse

Gjilan, 20 qershor - Komiteti për Zhvillim Ekonomik dhe Komiteti për Barazi Gjinore kanë miratuar të martën Strategjinë për gratë ndërmarrëse në komunën e Gjilanit, për periudhën 2017-2021.

Projekti “Fuqizimi socio-ekonomik i gruas, avancim i shoqërisë kosovare” synon përkrahje më të madhe për gratë në biznes, në kuadër të programit ‘’Skemat e granteve për OJQ-të me bazë në komunitet’’, që financohet nga Zyra e Bashkimit Europian, mbikëqyret nga Fondacioni për Shoqëri Civile (KCSF) dhe realizohet nga Kosovo Center for Bussiness Support (KCBS).

Agim Zuzaku, drejtor i Zhvillimit Ekonomik, ka thënë se Strategjia ka për qëllim krijimin e kushteve dhe ambientit të përshtatshëm për hapjen e bizneseve të reja dhe rritjen e atyre ekzistuese, që të kontribuohet në zvogëlimin e papunësisë.

Sipas tij, këtë Strategji synohet të arrihet ndryshimi i pjesëmarrjes në strukturën e pronësisë në ndërmarrësinë e grave, përkrahja e grave për të themeluar biznese të reja, për të vazhduar bizneset ekzistuese si dhe për t’u lidhur në mes vete, qoftë në nivelin lokal, regjional apo në nivel kombëtar.

“Komuna e Gjilanit është e përkushtuar që t`i realizojë këto synime”, ka thënë Zuzaku.

Strategjia është mirëpritur nga gratë e Gjilanit, meqë iu dedikohet pikërisht atyre. Gjylshene Berisha, kryesuese e KBGJ, ka thënë se ky projekt, i cili është hartuar me vullnet shumë të madh, është një përkrahje e drejtpërdrejtë për gruan dhe për familjen.

Bashkim Shala (PDK) tha se gratë janë vlera themelore të zhvillimit të një shoqërie demokratike, prandaj duhet t`iu krijohen mundësi për përfaqësim dhe barazi në të gjitha segmentet e jetës.

Ndërkaq, Jehona Hyseni, kryesuese e KZHE, ka thënë se duke përfituar nga ky projekt, pret që gratë në qytet dhe ato në zonat rurale të arrijnë suksese në ndërmarrësi, meqë një numër prej tyre e kanë dëshmuar tashmë këtë aftësi.

Ndërkohë, Komiteti për Zhvillim Ekonomik ka miratuar edhe raportet e punës për periudhën janar-prill të këtij vitit, të dy drejtorive të linjës, asaj të Bujqësisë dhe Pylltarisë, të cilin e ka prezantuar drejtori Ramiz Ramadani dhe Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, të cilin e ka paraqitur drejtori Agim Zuzaku.

\"Në bashkëpunim me USAID-in dhe SHPK “Kalabria”, këtë vit kemi ngritur 50 ha me vishnje, ku kanë përfituar 31 fermerë për 15 vitet e ardhshme. Vlera e këtij projekti është 120 mijë euro\", ka thënë Ramadani.

Përndryshe, ai ka shtuar se edhe sivjet me farë misri janë subvencionuar 394 fermerë, pastaj foli plastike për serra janë shpërnda për 325 fermerë, kurse në bashkëpunim me DZHE-në dhe GIZ-in janë duke u ndërtuar 15 tezga moderne, të cilat do të vendosen në qendër të qytetit dhe prodhuesit vendor do t`i shfrytëzojnë gjatë gjithë kohës, varësisht nga stina e prodhimeve.

\"Në proces të realizimit është projekti për furnizimin e 35 bletarëve me centrifuga elektrike, me çka do të përmbyllet pajisja e të gjithë bletarëve që posedojnë mbi 30 shoqëri bletësh. Ndërkaq, 72 fermerëve u janë kompensuar dëmet nga fatkeqësitë natyrore të vitit të kaluar, në vlerë prej 14,217 euro. Po ashtu, një komision profesional ka bërë vlerësimin edhe të dëmeve të sivjetme, që arrijnë vlerën 539,135 euro\", ka thënë Ramadani.

Ai është përgjigjur edhe në vërejtjet dhe interesimet e anëtarëve të KZHE, Bashkim Shala (PDK), Agron Shurdhani (VV) dhe të tjerë, duke thënë se kjo Drejtori e ka ndërtuar programin e saj mbi kërkesat e bujqve dhe mundësitë buxhetore të Komunës.

Ndërkaq, Drejtoria për Zhvillim Ekonomik, gjatë kësaj periudhe ka vazhduar me aktivitete, të cilat kanë mbetur pa u përfunduar nga viti i kaluar, siç janë dy programet madhore “Soft Loan” dhe “Efiçienca e energjisë”, ka thënë drejtori Agim Zuzaku.

Në proces është projekti “Rehabilitimi dhe instalimi i kanalizimeve të ujërave të zeza, si dhe rregullimi i shtratit të lumit Mirusha e Stanishorka” që do të financohen përmes programit të kredisë së butë “Soft Loan” të qeverisë austriake. Ka përfunduar projekti ideor për shëtitoren mbi lumin Mirusha dhe shumë shpejt pritet të hapet tenderi për këtë pjesë.

Projekti “Masat për efikasitet energjetik në ndërtesat publike”, ku përfitues është edhe Gjilani, është në fazën përfundimtare të përzgjedhjes së një kompanie për dizejnimin e shkollave dhe realizimin e auditimeve energjetike për shkollat e përzgjedhura.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Agjencinë për efiçiencë të energjisë kemi identifikuar shkollën fillore “Thimi Mitko” për të realizuar disa nga masat e efiçiencës së energjisë. Gjithashtu kemi realizuar katër studime të fizibilitetit për partneritet publiko privat (PPP) dhe po presim përgjigje nga Departamenti përkatës, ka thënë Zuzaku.
 
Për më tepër, Drejtoria për Zhvillim Ekonomik, gjatë kësaj periudhe, ka vazhduar me aktivitete të cilat kanë ndikuar në ngritjen e nivelit të zhvillimit ekonomik lokal, duke përkrahur bizneset e vogla e të mesme me këshilla dhe informata për mundësitë e aplikimit për grante.

“Kemi filluar me monitorimin e programit “Help–Hilfe zur Selbsthilfe E.V”, që është financuar nga Qeveria Gjermane, Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Gjilanit e që ofron mbështetje socio-ekonomike përmes fuqizimit të mikro-bizneseve në Kosovë, me ç`rast janë shpërndarë 47 grante për përfitues, në mënyrë që ata të mund të fillojnë bizneset e tyre, apo t`i rrisin bizneset ekzistuese”, ka thënë Zuzaku. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)