08 Maj 2024

Nisin projektet në vlerë prej 23 milionë euro

Mitrovicë, 28 maj - Një prej projekteve më të mëdha në sferën e investimeve kapitale në fushën e sportit pas luftës në Kosovë.

Kështu u vlerësua të hënën nisja e projektit për ndërtimin e Qendrës Multifunksionale, ndërtimit të Qendrës Komerciale si dhe rinovimit të palestrës së sportit “Minatori” në Mitrovicë, që financohen nga Komisioni Evropian (KE), Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Komunës së  Mitrovicës në vlerë prej 23 milionë eurosh.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili së bashku me kryetarin e komunës, Avni Kastrati, ministrin e Kulturës, Memli Krasniqi dhe shefin e operacioneve në zyrën e KE-së në Prishtinë, Crsitof Stock, vuri gurthemelin e këtyre projekteve, tha se kjo është një ditë e madhe për Mitrovicën dhe Kosovën në përgjithësi. 

“E kam përcjell nga afër angazhimin për fillimin e këtij projekti. Dua të falënderoj KE-në dhe  kryetarin e komunës, Avni Kastrati me bashkëpunëtorë për angazhimin e tyre në këtë drejtim”.

Thaçi tha se aty ku ka qeverisje të mirë do të ketë investime të fuqishme. “Është ndër  projektet më të mëdha që ka nisur në Kosovë pas luftës dhe nuk po ndodh rastësisht në Mitrovicë, i cili njihet si qytet i sportit”, tha ai.    

Ai shprehu besim të plotë se këto objekte do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Mitrovicës dhe do të ndikojnë në integrimin e këtij qyteti. “Besojmë se këto objekte të reja do të shfrytëzohen nga qytetarët që jetojnë në të dy anët e qytetit duke  ndikuar në ofrimin e tyre”.

Shumë i lumtur me fillimin këtyre projekteve u shpreh, kryetari i komunës, Avni Kastrati. Tha se është një ditë që shënon  fillimin e një epoke të re për Mitrovicën.

Ai theksoi se pas dy vitesh qytetarët e Mitrovicës do të kenë në dispozicion hapësira moderne për aktivitete sportive, të cilat janë me standarde evropiane.

“Mundësitë që do të krijohen për të rinjtë tanë do të jenë të mëdha dhe ne presim që këto projekte të kenë edhe një ndikim të madh në zhvillimin ekonomik”.

Ndërsa, ministri, Memeli Krasniqi, ka thënë se këto nuk do të jenë projektet e fundit në Mitrovicë. “Ne kemi ndarë 8 milionë euro për këto projekte, mirëpo nuk  do ta ndalemi me kaq për këtë qytet që ka rrethana specifike”.

Kënaqësinë për fillimin e këtyre projekteve  e ka shprehur edhe shefi i  operacioneve në zyrën e KE-së në Prishtinë, Crsitof Stock. Ai tha se vendi ku kanë nisur këto projekte është shumë simbolik për të ardhmen e këtij qyteti.          

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)