26 Prill 2024

Vazhdon takimi i ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë

Bruksel, 11 janar - Në selinë e shërbimit të jashtëm të Bashkimit Evropian, po vijon edhe sot dialogu teknik mes  Kosovës dhe Serbisë, me takimin e grupeve të punës të cilat janë duke u përpjekur të gjejnë zgjidhje për hollësitë për implementimin e Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, konkretisht për doganat dhe mënyrën se si do të funksionojnë ato në pikëkalimet kufitare.

Në këtë takim, përveç për doganat, do të shqyrtohen edhe tema të tjera si energjia dhe telekomunikacioni, si edhe për të përgatitur raundin e ardhshëm të takimit në nivel të lartë politik, takimin e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi me homologun e tij të Serbisë, Ivica Daçiç, që parashikohet të zhvillohet më 17 janar.

Kosova përfaqësohet ende nga zëvendës-kryeministrja Edita Tahiri, ndërsa Serbia me juristin Dejan Paviçeviç.

Anëtar i Partisë Demokratike të Tadiç dhe ish-shefi i kabinetit në Ministrinë serbe për Kosovën, Paviçeviç u emërua në shtator 2011 si kryenegociator i Beogradit, duke zëvendësuar në këtë detyrë drejtorin politik të Ministrisë së Jashtme, Borko Stefanoviç.

Maja Kocijançiç, zëdhënëse e baroneshës Catherine Ashton ka thënë se takimi është duke u zhvilluar dhe se ai do të shërbejë për të përgatitur edhe disa tema në prag të takimit të dy kryeministrave, mirëpo ajo nuk ka dhënë hollësi të tjera.

Sa i përket temave të dialogut, palët vazhdojnë të japin interpretime të ndryshme lidhur me funksionimin e doganave në pikëkalimet.

Qeveria serbe vazhdon të thotë se nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete, dhe se duhet të gjendet marrëveshja ndërsa Qeveria e Kosovës thotë se nuk ka pasur ndonjë marrëveshje që serbët në veri të mos paguajnë doganë.

Burimet në BE pohojnë se po kërkohet një modalitet, sipas të cilit, paratë që do të mblidhen në doganë do të mund të shkojnë përsëri për nevojat e serbëve në veri të Kosovës, mirëpo vetëm përmes një buxheti të Qeverisë së Kosovës.

Këto janë vetëm pritje, mirëpo edhe në BE pohojnë se për momentin nuk ka ndonjë zgjidhje konkrete, dhe se kjo është arsyeja qe po takohen grupet e punës për të gjetur zgjidhje për këtë, si dhe për temat e tjera.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)