19 Tetor 2021

Policia me operacion kundër veprimtarive të kundërligjshme në Hotele

Prishtinë, 11 qershor - Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në përpjekjet e saj për parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të kundërligjshme, ka zhvilluar planin operacional në drejtim të identifikimit të të gjitha objekteve hoteliere, moteleve e bujtinave në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Ky aktivitet është zhvilluar duke përdorur edhe resurset tjera institucionale në bashkëpunim me institucionet përkatëse që kanë për domen këtë fushë të veprimtarisë ekonomike.

Për bashkërendim të procedurave ligjore janë kontaktuar të gjitha prokuroritë kompetente në të gjitha regjionet respektive të Republikës së Kosovës.

Kontrolli i filluar sot është i njëkohshëm dhe ka shtrirje në tërë territorin e vendit. Kontrolli do të realizohet në të gjitha lokalet e këtij lloj biznesi (të regjistruara dhe të paregjistruara) dhe në fazën e parë në fokus të operacionit janë objektet-bizneset që kanë frekuentim më të madh të klientëve, ndërsa operacioni do të vazhdojë edhe ditëve në vijim. 

Në këtë operacion policor janë të përfshira të gjitha njësitet kompetente policore dhe ato të specializuara për luftimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, njësitet kundër trafikimit me qenie njerëzore, pastaj inspektorët e Ministrisë së Tregtisë dhe Inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës.

Operacioni i sotëm ka filluar në orën 10:00 dhe deri në këtë kohë të raportimit çdo gjë është duke u zhvilluar sipas planifikimeve paraprake.

Kontrolli ka për qëllim të kryejë inspektim të përgjithshëm për të identifikuar/ndjekur të gjitha parregullsitë apo veprat penale të hasura gjatë kohës së zhvillimit të operacionit.

Në fazën fillestare të aksionit janë identifikuar tri (3) lokale që operojnë ilegalisht. Gjithashtu gjatë kësaj faze të operacionit është takuar edhe një shtetas i huaj i cili kishte në posedim substancë të dyshuar narkotike dhe gjësende tjera (pajisje elektronike-kompjuter) që dyshohet të jenë produkt i veprës penale.

Njësitet e antidrogës po ashtu janë involvuar për trajtimin e këtij rasti dhe procedimin sipas procedurave ligjore.

Policia e Kosovës do të vazhdojë me aktivitetet e saj dhe operacionet policore në funksion të luftimit të dukurive negative të të gjitha llojeve, si dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të të gjithë personave të dyshuar të involvuar në aktivitete të kundërligjshme

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 Tetor 2021

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 10:00)

- Shefi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga BE Lukas Mandl dhe Udhëheqësja e Delegacionit të Anëtarëve të Parlamentit Evropian Viola von Cramon-Taubadel mbajnë konferencë për shtyp lidhur me për zgjedhjet lokale në Kosovë. (Hotel Swiss Diamond, ora 11:00)

- Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim publikon raportin "Transparenca dhe llogaridhënia në universitetet publike në Kosovë - Mos - Informimi i Publikut 3". (Swiss Diamond Hotel, ora 11:00)

- Komisioni Evropian do ta publikojë paketën vjetore të zgjerimit, përfshirë Raportet e Vendeve ku do te mbahet konferencë për shtyp nga Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerimi, Oliver Varhelyi. (Transmetimi në faqen e Zyrës së BE-së në Facebook, ora 17:15)

- Teatri i Prishtinës Dodona shfaq “Bob Vatsoni bie nga kati i nëntë por nuk vdes plotësisht”. (Teatri Dodona, ora 17:30)

- Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog i dorëzon raportin e Komisionit Evropian Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me ç'rast do të mbajnë edhe një konferencë te përbashkët për shtyp, ora 18:30)