06 Gusht 2021

Komuna e Prizrenit lanson ueb-faqen e re të turizmit

Prizren, 27 korrik - Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka sot së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Sevil Kazaz kanë bërë lansimin e "Ueb-faqes së Turizmit për Komunën e Prizrenit": https://visit-prizren.com/.

Në këtë ueb faqe mund të gjenden videot përshkruese të qytetit, informatat e hollësishme rreth arritjes në Prizren, broshura informuese, harta të monumenteve kulturore e historike, evente, destinacione dhe oferta turistike, e shumë fusha të tjera që lidhen me zhvillimin e  turizmit.

Në një fjalë rasti kryetari Haskuka deklaroi se turizmi është një ndër sektorët më të prekur nga pandemia COVID-19, por theksoi se kjo periudhë e krizës mund të shfrytëzohet për t’i adresuar nevojat e këtij sektori.

“Sipas analizës që është bërë në kuadër të strategjisë së turizmit në Komunën e Prizrenit, një nga nevojat e sektorit të turizmit ishte qasja në informata, e cila do të plotësohet nga kjo ueb-faqe. Gjatë kohës së pandemisë turizmi i brendshëm po e merr primatin, për këtë arsye ne shpresojmë që kjo ueb-faqe po ashtu do të ndikojë në ngritjen e vizitave nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe nga vendet e rajonit”.

Duke theksuar se pandemia ka shkaktuar dëme të mëdha në fushën e turizmit, Haskuka shtoi se puna e Komunës së Prizrenit në këtë sektor nuk do të ndalet, ngase në periudhë afatgjate turizmi është një ndër sektorët e ekonomisë që krijon më së shumti vende të reja pune.

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 Gusht 2021

 - Mbahet mbledhja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të diskutohet procesi i monitorimit të Ligjeve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:00)

- Nënshkuhet Memorandumi me Ambasadën e Norvegjisë “Mbështetje për Kuvendin e Republikës së Kosovës, kryetarin e Kuvendit dhe kabinetin e tij, komisionet dhe grupet parlamentare, nën kornizën ‘Fuqizimi i paqes dhe shtetndërtimit dhe avancimi i agjendës evropiane për Kosovën’. (Kabineti i kryetarit të Kuvendit, ora 10:40)  

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Mbahet konferencë për medie lidhur me koncertin e Ramë Lahajt. (Hotel “Opera” në Prishtinë, ora 14:30)