13 Maj 2021

Banorët e Shillovës kërkojnë mbylljen e tri lokaleve hoteliere në këtë fshat

Gjilan, 16 mars - Komiteti për Komunitete në Gjilan ka shqyrtuar sot një peticion të banorëve të Shillovës, të cilët kërkojnë ndalimin e punës së tri lokaleve hoteliere në këtë fshat të banuar me serbë, ‘Ekskluziv’, ‘Srce’ dhe ‘Kod Selene” për shkak se po operojnë jashtë veprimtarisë së regjistruar dhe në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret komunale.   

Milivoje Stojanoviq, këshilltar komunal, ka thënë se banorët e Shillovës janë të indinjuar me sjelljet e mysafirëve të cilët i frekuentojnë këto lokale, duke përmendur edhe një incident me të shtëna që ka ndodhur ditëve të fundit në njërin nga këto lokale.

Kapiteni i Policisë së Kosovës për regjionin e Gjilanit, Negovan Mihajloviq tha se është e vërtetë që ka prishje të rendit dhe qetësisë publike nga këto lokale dhe ky problem duhet të zgjidhet.

Shefik Surdulli shprehu keqardhje për shqetësimet e prezantuara  të banorëve të Shillovës dhe kërkoi që kërkesa e tyre të trajtohet dhe të zgjidhet në kuadër të përgjegjësive ligjore, nëse këto biznese nuk respektojnë veprimtarinë e tyre, por pa i dhënë konotacion ndëretnik problemit, sepse nuk është i tillë.

“Ne si Komitet komunal as nuk hapim dhe as nuk mbyllim lokale, por është detyrë e Inspektoratit dhe Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik që të monitorojnë punën e këtyre bizneseve dhe eventualisht të ndërmarrin masa nëse nuk veprojnë në përputhje me ligjin dhe rregulloret”, ka thënë Surdulli.              

Kemal Shahin, kryesues i Komitetit, tha se inspektorati komunal ka ndërmarrë disa herë masa ndaj këtyre lokaleve dhe sugjeroi që këto lokale të mbyllen nëse kanë devijuar veprimtarinë e tyre si biznese.

“Ne nuk jemi kundër bizneseve, por çdo biznes duhet t`i përmbahet veprimtarisë së tij dhe të respektojë ligjin e rregulloret komunale”, ka thënë Shahin.

Komiteti i rekomandoi Kuvendit dhe Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi që ta trajtojnë këtë problem të banorëve të Shillovës, të cilin ata e kanë adresuar tek institucionet komunale në formë të peticionit, kurse Inspektorati komunal ta monitorojë gjendjen dhe t`i ndërmarrë masat e nevojshme ndaj këtyre bizneseve, nëse ato shkelin ligjin gjatë veprimtarisë së tyre.      
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 Maj 2021

- Me rastin e shënimit të 40 vjetorit të rënies së heronjve, Nebih e Tahir Meha, Komuna e Skenderajt organizon ceremoninë e zbulumit të busteve të heronjve: Emin Latit, Nebih, Tahir e Beqir Meha. (Oborri i Kullës "Tahir Meha' në Prekaz, ora 15:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani - Sadriu pret Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor. (Kabineti i Presidentes, ora 16:00 - Mediat e interesuara për përcjelljen e takimit dhe të konferencës duhet të jenë të pranishme në Presidencë në orën 15:20)