13 Qershor 2021

Tregu i pasurive të patundshme në SHBA përjeton rritje të pazakontë

Washington, 31 maj - Sipas Shoqatës Kombëtare amerikane të Shitësve të Patundshmërive, në vitin 2020 niveli i kërkesave për blerje shtëpish ka qenë më i larti që nga viti 2006.

Ekspertët parashikojnë se kërkesat për blerje në tregun e pasurive të patundshme do të mbeten të larta për të paktën 6 muaj.  

Ekspertët thonë se që nga prilli i vitit 2020, tregu i pasurive të patundshme në vend është rritur, kryesisht falë normave rekord të ulëta të interesit për huatë, që ishin mesatarisht 2.7% në vitin 2020, thotë Shoqata Kombëtare e Patundshmërive.

Amerikanët e moshave 25 deri 40 vjeç hynë në tregun e shtëpive në mënyrë aktive. Sipas Byrosë Amerikane të Regjistrimit të Popullsisë, ata përbëjnë rreth 22% të popullsisë.

“Ata janë brezi me numrin më të madh të njerëzve dhe po arrijnë moshën e blerjes së shtëpive. Pra, ata po arrijnë në mesin e të 30-ave. Ata duan të stabilizohen, duan të blejnë shtëpi", thotë zëdhënësja e kompanisë Zillow, Amanda Pendelton.

Për këtë arsye u rritën kërkesat për blerje. Një nga faqet më të njohura të internetit për pasuritë e patundshme, Zillow, regjistroi një rritje prej 1.5 miliardë klikimesh. Dhe thjesht nuk ka shtëpi të mjaftueshme për të gjithë ata që kërkojnë të blejnë.

"Sipas vlerësimit tim, në të gjithë vendin ka një mungesë prej gjashtë milionë shtëpish", thotë Lawrence Yun nga Shoqata Kombëtare e Shitësve të Pasurive të Patundshme.

Shoqata Kombëtare e Ndërtuesve të Shtëpive gjithashtu pranon mungesën e shtëpive, por thotë se numri i tyre është tre herë më i vogël. Ajo shton se problemi ka ekzistuar në dekadën e fundit, dhe pandemia thjesht e ka nxjerrë në pah këtë.

“Recesioni i madh ishte absolutisht shkatërrues për industrinë e shtëpive, dhe shumë njerëz nuk u kthyen më në punë. Pra, ende kemi një deficit të fuqisë punëtore të kualifikuar për shkak të kësaj. Dhe atëherë të rinjtë nuk ishin të interesuar të punonin në industrinë e ndërtimit", thotë Danushka Nanayakkara nga Shoqata Kombëtare e Ndërtuesve.

Kërkesat e larta të shoqëruara me mungesën e shtëpive kanë shkaktuar rritjen e çmimit.

"Vlera e shtëpive në Shtetet e Bashkuara është rritur 10% gjatë vitit të kaluar, dhe shtëpitë po shiten mesatarisht brenda 14 ditëve, 20 ditë më shpejt sesa një vit më parë", thotë zëdhënësja e kompanisë Zillow, Amanda Pendelton.

Megjithatë, ekspertët thonë se tregu i shtëpive nuk ka shumë të ngjarë të bjerë ashtu si në vitin 2008. Një nga arsyet janë kushtet më të rrepta të huazimit.

"Kur të rriten normat e interesit, do të shohim një sheshim të çmimit të shtëpive. Normat e interesit do të rriten në gjashtë ose 12 muajt e ardhshëm", thotë eksperti i pasurive të patundshme, Ken Johnson.

Zyrtarët e Shoqatës së Patundshmërive besojnë se tregu do të stabilizohet deri në vitin 2022 kur ata parashikojnë një rënie të çmimeve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 Qershor 2021 - Klubi Off Road Prizreni organizon ngjitje në Maje tek Liqenet. (Përball Qendrës Sportive ”Sezair Surroi” në Prizren, ora 10:00)
 
 - Me rastin e shënimit të 14 Qershorit, Ditës së Çlirimit të komunës së Rahovecit mbahet finalja në futboll të vogël. (Palestra Sportive“Mizahir Isma”, ora 18:00)