25 Janar 2022

Rritet eksporti nga Kosova në Gjermani

Prishtinë, 3 dhjetor -  Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) përmes një njoftimi për medie, bën të ditur që sipas të dhënave nga Enti Federal i Statistikave, në periudhën Janar-Shtator 2021 eksporti nga Kosova në drejtim të Gjermanisë arriti vlerën prej rreth 40 milionë euro.

Në periudhën e njëjtë të vitit 2020 eksporti ishte në vlerë rreth 30 milionë euro, që do të thotë ka 39% rritje të eksportit nga Kosova në Gjermani në periudhën Janar-Shtator 2021 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.

OEGJK njofton që edhe gjatë vitit të kaluar, në kohë pandemie pati rritje të eksportit mbi 40% për në Gjermani, në krahasim me 2019.  

Nora Hasani, drejtoresha ekzekutive e OEGJK tregon se vështirësitë që kompanitë gjermane kanë hasur në zinxhirët e tyre të furnizimit gjatë pandemisë, iu kanë mundësuar disa kompanive kosovare që të bëhen furnitorë për kompani gjermane.

“Për disa kompani gjermane Ballkani Perëndimor, e në veçanti Kosova janë territor akoma i paeksploruar, por me shumë potencial për gjetjen e furnitorëve të rinj. Për kompanitë evropiane e gjermane që duan të diversifikojnë furnitorët, prodhuesit kosovarë mund të ofrojnë produkte cilësore që transportohen në rrugë më të shkurtra dhe më të shpejta, se sa kur furnizimi bëhet nga Azia”, thotë Hasani dhe thekson se në OEGJK që nga fillimi i pandemisë janë rritur dukshëm kërkesat nga kompanitë gjermane për të gjetur furnitorë nga Kosova për produkte dhe gjysmë-produkte.  

Produktet më të eksportuara nga Kosova në Gjermani për periudhën Janar-Shtator 2021 ishin: Pajisjet e ndërtimit prej plastikës, thasët dhe çantat për paketimin e mallrave, veshje prej telave të gizës apo çelikut, mobileria dhe produkte metalike.

OEGJK përmes këshillimit për eksport, trajnimeve dhe aktiviteteve konkrete me asociacionet e saj partnere në Gjermani mbështetë në mënyrë të vazhdueshme kompanitë kosovare që kanë synim tregun gjerman.  

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 janar 2022 - Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë shqyrton Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi në kontekstin e Aderimit në Bashkimin Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, pret në takim Komisionin për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, kati III, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës mban konferencën për media, ku do të prezantohen rezultatet e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021 nga Transparency International. (Zyrat e KDI-së, përballë Bashkësisë Islame, ora 10:00)

- Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, Çohu! organizon tryezë, në të cilën do të publikohet raporti me titull “Online Media Monitor”. (Hotel Sirius, ora 10:00)
 
- Grupi organizativ "Protestojë" mban konferencë për media lidhur me protestën "Asnji cent ma shumë!" kundër shtrejtimit te rrymës, të paraparë të mbahet të merkurën. (Pranë ndërteses së Qeverisë, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e parë e rregullt e Kuvendit Komunal të Rahovecit për vitin 2022. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal, ora 10:00)

-  Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport shqyrton në parim i Projektligjin pÑ‘r Agjencinë e Kosovës për Akreditim dhe Arkivat Shtetërore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Instituti i Prishtinës për Studime Politike dhe Lëvizja FOL organizon tryezën e diskutimit me temën "Reforma në Sistemin e Drejtësisë gjatë vitit 2021: Sfidat dhe arritjet". (Hotel Swiss Diamond, ora 10:30)

- Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë raporton para Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 11:00)

-  Komisioni për Integrime Evropiane shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, merr pjesë në prezantimin e aktiviteteve të Agjencisë së Kosovës për Akreditim për vitin 2021 dhe Strategjinë e AKA-së 2021-2025. (Hotel Sirius, ora 11:20)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim Komisionin për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 13:00 - Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton në parim i Projektligjin për Sistemin e menaxhimit të performancës së komunave dhe skemën e grantit të bazuar në performancë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla 303, ora 14:00)

- Mbahet takimi i radhës së Këshillit Ekonomiko-Social. (Objekti i Qeverisë, salla Nr. P/38, ora 15:00)