13 Qershor 2021

Rriten investimet në tregun e aksioneve gjatë pandemis në Brazil

Sao Paulo, 2 qershor - Brazili, si shumë vende në të gjithë botën, ka pësuar shkatërrim ekonomik gjatë pandemisë me rritjen e papunësisë dhe varfërisë.

Por analistët në Bursën e Sao Paulos thonë se kanë parë një rritje të madhe investimesh nga sipërmarrës të vegjël, një fenomen i nxitur kryesisht nga personalitete me influencë në platforma të ndryshme në internet.

Brazili nuk është vetëm një vend i pabarazisë së madhe në të ardhura por edhe epiqendra e pandemisë së Covid-19. Mes këtyre zhvillimeve, vendi ka parë statistika ekonomike të pashembullta, veçanërisht tek investimet në tregun e aksioneve.

Provat për këtë rritje mund të shihen në Bursën e Sao Paulos, më e madhja në Amerikën e Jugut.

Në vitin 2020, në mes të pandemisë, numri i investitorëve brazilianë në tregun e aksioneve u dyfishua: nga 1.5 milion në më shumë se 3 milionë. Këtë vit numri i tyre vazhdon të rritet.

“Në të njëjtën kohë që ne kemi gjithë këtë zhvendosje të re të burimeve në tregun e aksioneve, një pjesë e madhe e popullsisë ende nuk është në gjendje ta bëjë këtë, shumica e tyre për shkak të borxheve. Ne po fillojmë një tranzicion në këtë treg, duke arsimuar njerëzit se me pak fonde ata mund të blejnë aksione të kompanive që i njohin", thotë ekonomsti Alexandre Pierantoni.

Studimet e bëra gjatë viteve tregojnë se brazilianët kanë një traditë sa i përket borxheve të mëdha personale. Gjashtë në dhjetë familje nuk janë në gjendje t’i shpëtojnë borxhit në llogarinë e tyre çdo muaj.

Ky ishte realiteti i zonjës Karolly Fudget. Ajo thotë se gjithmonë kishte vështirësi me borxhet. Pastaj gjatë pandemisë, ajo humbi vendin e punës dhe u detyrua të shiste makinën.

“Unë harxhoj shumë. Më pëlqen të blej gjëra. Kurrë nuk kam mundur të blej shtëpi sepse gjithmonë shpenzoj shumë, por tani po krijoj një realitet të ri”, thotë ajo.

Realiteti i ri i saj është investimi në tregun e aksioneve. Ajo filloi një punë të re dhe vendosi të kursente më shumë. Sot ajo investon një pjesë të pagës në tregun e aksioneve.

“Qëllimi im i ardhshëm si investitore është blerja e disa aksioneve të huaja, duke i mbajtur ato për një farë kohe. Dua të jem në gjendje të bëj atë që dua, të blej makinë të re, shtëpi dhe ta arsimoj më mirë tim bir”, thotë ajo.

Shumë figura me ndikim në mediat sociale, të ashtuquajturit influencues po trajnojnë të tjerët me sukses për sistemet financiare në Brazil. Njëra prej tyre është Nathalia Rodrigues, e cila tani është milionere pas një fillimi të vështirë në varfëri. Ajo jep këshilla financiare në kanalin e saj në YouTube.

“E krijova kanalin për të zgjidhur problemet. Ne po kuptojmë tani një lëndë që fatkeqësisht nuk u mësua kurrë në shkolla, as për ne dhe as për prindërit tanë. Biseda për paratë ishte bërë tabu. Tani unë flas hapur për fitimet, si të jemi të disiplinuar”, thotë ajo.

Kanali i saj kishte pak më shumë se 70,000 abonentë përpara pandemisë. Numri i tyre u rrit në 240 mijë brenda pak muajsh. Sekreti i suksesit ishte i thjeshtë. Ajo ndihmoi një numër brazilianësh, duke i mësuar që të paguajnë borxhet së pari, dhe pastaj të investojnë.

"U përqëndrova 100 përqind në bisedat për çështjet emergjente, jo për mënyrën se si të investohej në tregun e aksioneve. Pas kësaj u rrit numri i abonentëve, nga 70 mijë në 200 mijë në Youtube dhe në 400 mijë në Twitter. Ishte një rritje më e madhe nga sa prisja", thotë ajo.

Por brazilianët po mësojnë gjithashtu se investimi kërkon durim. Në përgjithësi, bursa braziliane ka patur rezultatet më të këqija në botë. Me rritjen e pjesëmarrjes së njerëzve, shpresa është që edhe kjo prirje së shpejti të ndryshojë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 Qershor 2021 - Klubi Off Road Prizreni organizon ngjitje në Maje tek Liqenet. (Përball Qendrës Sportive ”Sezair Surroi” në Prizren, ora 10:00)
 
 - Me rastin e shënimit të 14 Qershorit, Ditës së Çlirimit të komunës së Rahovecit mbahet finalja në futboll të vogël. (Palestra Sportive“Mizahir Isma”, ora 18:00)