23 Shtator 2021

Reforma e drejtësisë komerciale parakusht për tërheqjen e investimeve të huaja

Prishtinë, 18 qershor - Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një forum virtual me Ministrin e Drejtësisë Selim Selimi, ku u diskutua plani i Qeverisë për reforma në proceset ligjore dhe sundim të ligjit në vend, me fokus në drejtësi komerciale.

Financimi për këtë forum virtual u mbështet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe programi i BE-së për Zhvillim të Ndërmarrjeve dhe Lehtësim të Investimeve.

Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane tha se shpreson që nën udhëheqjen e Ministrit të ri të Drejtësisë do të përfundojë krijimi i Gjykatës Komerciale por edhe përmbyllja e procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit.

Ai po ashtu tha se Ministria do të duhej të konsideronte edhe hartimin e Kodit Komercial, meqë vendi tashmë ka Kodin Penal dhe është në proces të finalizimit të Kodit Civil, hap ky që do të përmbyllte arkitekturën ligjore të Kosovës.

Chris Thompson, Drejtor i Programit të USAID-it për Drejtësi Komerciale theksoi se programi të cilin ai drejton ka për qëllim reduktimin e korrupsionit në Kosovë përmes përmirësimit të zgjidhjes së kontesteve komerciale brenda dhe jashtë gjykatave, duke shtuar edhe nevojën e ngritjes së vetëdijes publike ndaj rëndësisë që ka drejtësia komerciale mbi rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Ai shtoi se USAID po punon ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë dhe sistemin gjyqësor të Kosovës për zhvillimin e legjislacionit për Gjykatën Komerciale, e cila do të jetë e dedikuar ndaj ofrimit të shërbimeve juridike për bizneset kosovare.

Ministri Selimi theksoi rëndësinë që ka themelimi i Gjykatës Komerciale, duke potencuar se funksionalizimi i së njëjtës mbetet një nga prioritetet kryesore të mandatit të tij.

Sipas Ministrit, Gjykata Komerciale do të rrisë efikasitetin e trajtimit të lëndëve të biznesit dhe do të ndihmojë në krijimin e një ambienti më të mirë për bizneset vendore por edhe për tërheqjen e investitorëve të huaj, për të cilët ai ka kërkuar që të krijohet një mekanizëm i veçantë që do të trajtonte vetëm investimet e huaja.

Ai përmendi se tani ndodhet në fazat e fundit të përgatitjes së Kodit Civil i cili së shpejti do të paraqitet para Qeverisë së Kosovës, derisa tha se megjithëse nuk mund të mohohet ekzistenca e korrupsionit brenda gjykatave, sistemi gjyqësor i Kosovës përbëhet nga prokurorë dhe gjyqtar të përkushtuar ndaj drejtësisë.

Ai tha se prioritet tjetër ka edhe ngritjen e llogaridhënies, ku përmendi vetingun si mekanizëm jo-politik dhe të pavarur ligjorë.

Gjatë këtij forumi, Ministri ftoi Odën Amerikane që të bëhet pjesë e grupit punues për projektligjin e Gjykatës Komerciale, dhe theksoi se mbetet i përkushtuar për të bashkëpunuar në avancim të ligjit të ri, i cili do të finalizonte sa më parë krijimin e Gjykatës Komerciale.

Erblina Krasniqi Prishtina, Avokate dhe Përfaqësuese Ligjore në kompaninë Tregtia theksoi se brenda gjykatave ekzistuese në vend përfshirë këtu edhe atë ekonomike, shqyrtimi i lëndëve mund të zgjasë me vite të tëra duke rezultuar në dëmtim serioz të bizneseve, e për këtë krijimi i Gjykatës Komerciale të përbërë nga gjyqtarë të lëmisë ekonomike është krucial për bizneset dhe tërheqjen e investimeve.

Krasniqi Prishtina gjithashtu potencoi rëndësinë e përfshirjes së klauzolave të arbitrazhit dhe ndërmjetësimit në kontrata, të cilat u japin palëve mundësinë për trajtim të çështjeve të ndryshme, derisa përmendi se çështjet e pronësimit deri më tani kanë rezultuar si disa nga çështjet më problematike të bizneseve.

Tutje, ajo u shpreh e kënaqur me punën që është bërë rreth ngritjes së vetëdijes ndaj arbitrazhit dhe avantazheve që ky i fundit u ofron palëve në procese gjyqësore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 Shtator 2021 - Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 10:00)

- Kandidati për Kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili do të vizitoj Kompaninë Pastrimi në Prishtinë ku do të mbaj edhe një Konferencë për media në hapësirën e kësaj kompanie. (Kompania Pastrimi në Emshir pas stacionit të autobusëve, ora 11:30)

- Partia Socialdemokrate do të dorëzoj kallëzim penal në Prokurori. (Ndërtesa e Prokurorisë në lagjen Veternik, ora 13:00)

- Forumi i Gruas së Nismës Socialdemokrate në Malishevë mban takim elektoral, ku i pranishëm do të jetë kryetari Nismës, Fatmir Limaj dhe kandidati për kryetar të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati. (Ambienti i jashtëm i shkollës fillore “Ibrahim Mazreku” në Malishevë, ora 14:00)

- Dhomat e Specializuara të Kosovës organizojnë informimin javore  në të cilin do  të  japin  një  informacion  të  përditësuar  mbi zhvillimet  e  fundit  lidhur  me  procedurat  gjyqësore  dhe  veprimtaritë  e  tjera  publike  të  gjykatës. (Online, ora 14:30)

- Forumi për Lidership dhe Diplomaci organizon ngjarjen lansuese të projektit: Promovimi i Zhvillimit Ekonomik Rajonal përmes Akademisë se Ndërmarrësisë. (Hotel Sirius, ora 16:00)

- Mbahet ceremonia e  hapjes së Kongresit te Parë Klinik të Kolegjit te Kirurgëve të Kosovës organizuar në bashkëpunim me Odën e Mjekëve të Kosovës. (Hotel Emerald, ora 17:00)