12 Gusht 2022

Nis transporti i grurit nga Ukraina

Kiev, 1 gusht - Për herë të parë pas fillimit të luftës ka nisur transporti i grurit nga porti i Odesës në Ukrainë.

Anija Razoni me flamurin e Sierra Leone, me 26 mijë tone grurë, është larguar nga porti i Odesës, me destinacion Libanin.

Ky është largimi i parë i një anijeje me drithë që nga fillimi i pushtimit rus, sipas ministrisë së infrastrukturës të Ukrainës.

“Ukraina së bashku me partnerët tanë ka ndërmarrë një hap tjetër sot në parandalimin e urisë në botë”, tha Oleksandr Kubrakov, ministri i infrastrukturës i Ukrainës, në një deklaratë të hënën.

Kubrakov theksoi se Ukraina kishte bërë gjithçka për të rikthyer aktivitetin në portet dhe se heqja e bllokadës do t’i jepte ekonomisë së Ukrainës 1 miliard dollarë të ardhura nga këmbimi valuator, raporton The Guardian.

Ministri i infrastrukturës i Ukrainës tha se 16 anije të ngarkuara ishin bllokuar në portet e Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus dhe se ata planifikonin që portet të rifitonin kapacitetin e plotë të transportit në javët e ardhshme.

Rusia pranoi të lejojë anijet e grurit të largohen nga Ukraina dhe të mos i sulmojë ato në një marrëveshje që u nënshkrua më 22 korrik në Stamboll. Por më pak se 24 orë më vonë, vërtetësia e marrëveshjes u vu në dyshim kur forcat ruse goditën portin e Ukrainës, Odesa.

Kur u pyet nga ministri i mbrojtjes i Turqisë, Rusia në fillim mohoi se ishte e përfshirë në sulm. Por të nesërmen ajo publikoi ??një deklaratë duke thënë se kishte goditur një anije ukrainase që mbante armë perëndimore e cila ishte në port. Autoritetet e Ukrainës hodhën poshtë shpjegimin e Rusisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 12 gusht 2022

 - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, vizitojnë Doganën e Kosovës. (Drejtoria e Doganës, ora 8:30)

- Kuvendi nëpërmjet Grupit të Deputetëve të Rinj shënon Ditën Ndërkombëtare të Rinisë. (Salla plenare, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit organizon takimet B2B në kuadër të aktiviteteve të Muajit të Mërgimtarëve. (Restaurant Ura e Shenjtë, ora 10:00)

- Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë ((YIHR KS) shënon Ditën Ndërkombëtare të Rinisë me një aksion rrugor me slloganin “Kur bohet mirë?!” (Sheshi “Nënë Tereza”, ora 12:00)

- Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, mban konferencë për medie në lidhje me rastin e vdekjes së aktivistit të VV-së, Astrit Dehari. (Zyrat e Tomë Gashit, mbi Kino ABC, ora 12:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, vizitojnë kompaninë “Rroni Fer” Sh.P.K. (Magjistralja Gjakovë-Prizren_kilometri i dytë, Objekti i ish-ndërmarrjes “Metaliku”, Gjakovë, ora 14:30)

- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime organizon Festivalin e Rinisë për nder të Ditës së Rinisë. (Lagjja Taukbashqe, ora 18:00)

- Mbahet edicioni i parë i festivalit “MAL FEST”, i cili synon të jetë tradicional dhe objektiv e ka rininë dhe mërgatën e Komunës së Malishevës. Festivali organizohet nga Komuna e Malishevës në bashkëpunim me  organizatën “Values for Better Future”.(parku i qytetit në Malishevë, ora 19:00)

- Në kuadër të Akademisë Verore ‘’Arbën Xhaferi"  mbahet panel diskutimi me deputetët e rinjë të Kuvendit të Kosovës lidhur me rolin dhe rëndesin e të rinjëve në politikë. (Akademia për Siguri Publike të Kosovës, ora 19:30)