19 Janar 2022

Largohen nga tregu metale te çmuara që janë shitur në kundërshtim me ligjin

Prishtinë, 28 dhjetor - Inspektorati i Tregut në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë  (MINT), gjatë muajit Dhjetor 2021 ka inspektuar disa Operator Ekonomik të cilët merren me tregtinë e punimeve nga metalet e çmuara si Ari dhe Argjendi.

Me këtë rast Inspektorati i Tregut i MINT, ka larguar nga tregu një numër të konsiderueshëm të punimeve nga metalet e çmuara, të cilat janë vendosur në treg për konsumator në kundërshtim me dispozitat e Ligjit Nr.04/L-154 Për Punimet nga Metalet e Çmuara.

Operatorët Ekonomik para vendosjes në treg të punimeve nga metalet e çmuara, kanë për obligim që punimet të kontrollojnë dhe të shënojnë me shenjën e harmonizimit (e cila vërteton saktësinë e pastërtisë së punimit nga metali i çmuar). Shenja e harmonizmit vendoset në Laboratorin e Punimeve nga Metalet e Çmuara në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës/MINT.

Inspektorati i Tregut do të vazhdojë inspektimet në bashkëpunim me Doganën e Republikës së Kosovës, derisa të sigurohemi që të gjithë Operatorët Ekonomik të cilët merren me tregtimin e Punimeve nga Metalet e Çmuara, janë duke respektuar dispozitat ligjore në fuqi.

Në të njëjtën kohë ju bëjmë thirrje konsumatorëve që gjatë blerjes së punimeve nga metalet e çmuara (Ari dhe Argjendi), të kërkojnë nga Operatori Ekonomik të  dëshmojë që punimet janë të shënuara me shenjën e harmonizimit.

Në rast se punimi nga metali i çmuar nuk është i shënuar, luten konsumatorët të refuzojnë blerjet dhe të njoftojnë inspektoratin e tregut në MINT.

Inspektorati i Tregut, ka iniciuar kërkesat për fillimin e procedurës kundërvajtëse pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, për Operatorët Ekonomik dhe pritet që këto lëndë të trajtohet konform dispozitave ligjore në fuqi.

MINT dhe Inspektorati i Tregut janë të përkushtuar përherë për mbrojtjen e konsumatorëve dhe  konkurrencës të drejtë në treg.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 janar 2022

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shitjen e Banesave për të cilat ekziston e Drejta Banesore, shqyrton raportin e grupit punues në lidhje me zbatimin e mbikëqyrjes së Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit dhe NED-it mban konferencë për media në të cilën do të prezantohet analiza me titull “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: problemet juridike të Projektligjit aktual”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton draft raportin e monitorimit të Ligjit për Shëndetin Mendor dhe diskuton për punën e Këshillit për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. . (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike inicon procedurat lidhur me auditimin e raporteve vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës, së subjekteve politike, për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)
 
- Lëvizja FOL vazhdon serinë e debateve FOL Hapur me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- The British School of Kosova organizon shfaqjen edukativo - arsimore për fëmije  "Mushkonjat dhe Princi". (Teatri "Faruk Begolli" në Kolegjin AAB, ora 11:00)

- Administrata Tatimore e Kosovës mban ceremoninë e themelimit të 22 vjetorit të saj në të cilën do të marrin pjesë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe drejtues nga odata ekonomike, përfaqësues nga institucionet ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues nga organizatat e kontabilitetit. (Qendra e Shërbimit për Tatimpagues, ish-ndërtesa e Gërmisë, sheshi Skënderbeu, ora 14:00)

- Në kuadër të manifiestimit 'Flaka e Janarit' hapet ekspozitë memoaresh e kujtimesh "Dhoma e Kadriut, Jusufit dhe Bardhoshit". (Muzeu Etnologjik i qyteti të Gjilanit, ora 16:00)

- Partia Socialdemokrate do të mbaj tubim me qytetarë ku do të shpaloset Manifesti - dokumenti i parë i partisë. (Hotel Grand, ora 17:00)