07 Dhjetor 2021

Kuçi dhe Rohde flasin për rritjen e eksportit për në Gjermani

Prishtinë, 7 - Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka pritur sot në takim ambasadorin e ri gjerman në Kosovë, Jorn Rohde. Bashkë me ambasadorin gjerman, ishin edhe zëvendësi i tij, Jan-Axel Voss dhe drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani.

Mes ambasadorit Rohde dhe ministrit Kuçi u diskutua për disa tema, përfshirë edhe marrëveshjet ndërkombëtare të Kosovës, duke përfshirë edhe marrëveshjen e fundit në Washington, për të cilën ministri tha që po presin kthimin e ekipit të Kosovës për të krijuar planin e menaxhimit të pikave të marrëveshjes.

Rëndësia e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren, projekt për të cilin MEA ka ndarë edhe buxhet, u konstatua që do të ecë përpara me hapa të shpejtë, pasi interesimi për të zhvilluar veprimtari në këtë park është i madh.

Temë e takimit ishte edhe energjia, që ka marrë një fokus dhe përkrahje më të madhe nga MEA, ku tashmë nga gjermanët po bëhen edhe studime për të parë saktë zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme për të nxitur plotësimin e kuotës për këtë energji.

Ambasadori Rohde potencoi se në mandatin e tij si ambasador është i interesuar të çojë përpara zhvillimin ekonomik, nëpërmjet rritjes së eksportit të produkteve kosovare drejt Gjermanisë, edhe duke i kanalizuar remitencat milionëshe që vijnë nga ky vend. Për këtë, ministri Kuçi i ofroi mbështetje të plotë.

Ministri Blerim Kuçi dhe ambasadori Jorn Rohde ishin në frekuenca të njëjta të bashkëpunimit, edhe në strategjitë për investime dhe ndihmë kur bëhet fjalë përshtatjen me programet e rimëkëmbjes ekonomike nga COVID-19.

 

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 dhjetor 2021 - Zyra e Rregullatorit për Energji organizon konferencën për integrimin e tregut të energjisë elektrike. (Hotel “Swiss Diamond”, ora 9:00)

-  Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive të Pavarura. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:00)

- Mbahet ceremonia inauguruese e pranim dorëzimit të detyrës së Kryetarit të Prishtinës ku edhe do të bëhet betimi dhe nënshkrimi i deklaratës solemne për marrjen e detyrës së Kryetarit të ri të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama si dhe betimi i anëtarëve të ri të Kuvendit të Komunës së Prishtinës. (Salla e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, ora 10:00)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku raporton para Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Lëvizja FOL në partneritet me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë bën lansimin e Raportit “Pajisjet elektronike: fokusi në parandalimin e rasteve të dhunës në familje”. (Hotel Emerald, ora 10:00)

-  Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit organizon shënimin e Ditës së Bibliotekës Komunale “Sulejman Krasniqi”. (Salla e Kuvendit të Komunës së Rahovecit, ora 11:00)

- Me rastin e Ditës së Bibliotekës Komunale “Sulejman Krasniqi” udhëheqes të Komunës së Rahovecit vizitojn shkollën e mesme të lartë  "Heronjtë e Kosovës" në Hoçë të Vogel. (Fshati Hoçë, ora 11:00)

- Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion së bashku me disa organizata të tjera feministe organizon aksion simbolik lidhur me aktgjykimin seksist të Gjykatës Themelore në Gjilan që shfajësoi pesë burra të akuzuar për përdhunim në grup të një vajze 19 vjeçare në vitin 2012. (Para Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ora 12:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti mban dëgjim publik për Pakon e projektligjeve të pronësisë industriale si Projektligji për topografitë e gjysmëpërçuesve; Projektligji për dizajnin industrial, si dhe projektligji për patentat. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis e planifikim hapësinor dhe Infrastrukturë shqyrton Projektligjin për Odat e Arkitektëve dhe Inxhinierëve në fushën e ndërtimit dhe  planin e performancës për vitin 2022 nga Agjencia për menaxhimin e komplekseve memoriale të Kosovës (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)