30 Nëntor 2022

Kosova shënon rritje në import prej 14.1%

Prishtinë, 22 nëntor - Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 13.0% në muajin tetor 2022, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 402.3 milion Euro, krahasuar me deficitin prej 355.9 milion Euro në vitin 2021. Eksporti mbulon importin me 17.7%.

Eksporti i mallrave në muajin tetor 2022 kishte vlerën 86.4 milion Euro, ndërsa importi 488.7 milion Euro, që është një rritje prej 19.1% për eksport dhe 14.1% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021. 

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 20.7% e përbëjnë produktet minerale; 18.5% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 14.9% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 13.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7.1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.3% produktet bimore, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.8% e përbëjnë produktet minerale; 11.8% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.2% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.2% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7.6% e përbëjnë mjetet e transportit; 6.0% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 37.7 milion Euro, ose rreth 43.7% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 65.5%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Sllovenia (14.1%), Gjermania (10.1%), Italia (5.4%), Holanda (3.3%), etj.

Ndërkaq, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 203.3 milion Euro, ose 41.6% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 15.7%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (10.6%), Greqia (4.8%), Italia (4.7%), Belgjika (4.0%), etj.

Në muajin tetor 2022, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 28.5 milion Euro, ose 33.1% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 18.4%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Maqedonia e Veriut (12.9%), Shqipëria (8.7%), Serbia (6.4) dhe Mali i Zi (4.0%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin tetor 2022, arritën në 83.2 milion Euro, ose 17.0% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-7.9%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (7.0%), Shqipëria (4.4%), dhe Maqedonia e Veriut (4.0%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 20.0 milion Euro, ose 23.2%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (9.4%), dhe Zvicra (8.5%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 202.1 milion Euro, ose 41.4%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (15.4%) dhe Kina (10.0%).

Për më shumë informata, lidhur me Statistikat e Tregtisë së Jashtme (STJ) për muajin tetor 2022, vizitoni: https://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/ekonomi/tregtia-e-jashtme.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 30 nëntor 2022

- Iniciative për Drejtësi dhe Barazi INJECT dhe Iniciativa Kosovare për Stabilitet IKS organizojnë diskutimin publik për iniciativat e reja ligjore për Mbrojtjen e Grave. (Hotel Sirius, ora 9:00)

- Kosova Women 4 Women  në bashkëpunim me Departamentin e Punës Sociale të Universitetit të Prishtinës organizon konferencën "Politikat në veprim kundër dhunës në baza gjinore". (Hotel Sirius, ora 9:00)

- Zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi raporton para Komisionit për Integrim Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë shqyrton kërkesën për shtim të mjeteve buxhetore për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë në Projektligjin për Buxhet për vitin 2023. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me Fabian Salvioli raportues special i OKB-së për promovimin e së vërtetës, drejtësisë, dëmshpërblimit dhe garancive për mospërsëritje të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Agjencia e Punësimit në bashkëpunim me GIZ Kosova, Universitetin e Prishtinës dhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare organizojnë ceremoninë e hapjes së edicionit të shtatë të Panairit Kombëtar të Punës, Karrierës dhe Ndërmarrësisë. (Salla “1 Tetori”, ora 10:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton raportet lidhur me shqyrtimin e Projektligjit për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Institutit për Politika Zhvillimore organizon edicionin e dytë të Forumit të OZhQ-ve me titull ‘Koordinimi në mes të nivelit lokal dhe qendror të qeverisjes për zbatimin e Agjendës 2030'. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit organizon konsultimin publik me qytetarë për planin e Mobilitetit Urban në Rahovec. (Hotel Park Plaza, ora 10:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, nga fushëveprimi që mbulon Komisioni për Legjislacion. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Aleanca Kosovare e Bizneseve mban Kuvendin e VIII Zgjedhor Qendror. (Hotel Amazona, ora 11:00)

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit​ të Republikës së Kosovës në të cilën do të paraqitet në interpelancë me kryeministrin, Albin Kurti për çështjen: "Masat urgjente të Qeverisë së Republikës së Kosovës në raport mesituatën e krijuar në vend". (Kuvendi i Kosovës, ora 11:30)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci do të vizitojnë Komunën e Kamenicës me ç ‘rast do të​ takohen me Kryetarin, Kadri Rahimaj. (Komuna e Kamenicës, ora 12:30)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci do të vizitojnë Shkollën Fillore të Mesme të Ulët, "Xhavit Ahmeti" në fshatin Hodonoc, Komuna e Kamenicës. (Objekti i Shkollës në fshatin Hodonoc, ora 13:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Objekti i KQZ-së, ora 14:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci do të jenë afër grave që udhëheqin biznese, znj. Ibadete Sadiku, znj. Kadrije Mustafa dhe znj. Emine Kërhanaj. (Kamenicë, ora 15:00)