09 Dhjetor 2022

Kosova dhe Greqia synojnë rritjen shkëmbimeve tregtare

Athinë, 25 tetor - Në kuadër të thellimit të raporteve të mëtutjeshme në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Greqisë, Delegacioni i udhëhequr nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari me bashkëpunëtorë dhe në shoqërim nga Drejtuesi i Zyrës së Interesave të Kosovës në Athinë, Fitim Gllareva, u pritën në takime nga përfaqësues të lartë të Greqisë.

Fillimisht, Ministrja Hajdari u mirëprit në takim me Ministrin Alternativ të Zhvillimit dhe Investimeve, Nikolaos Papathanasis me kolegë. Në këtë takim produktiv, palët reflektuan në portofoliot e ministrive që udhëheqin, duke i kushtuar fokus të veçantë sektorëve industrial dhe reformave të nevojshme strukturore për lehtësimin e të bërit biznes.

Ministrja Hajdari me Zëvendësministrin Papathanasis shkëmbyen përvojat në fushën e investimeve strategjike për të cilën fushë pala greke ofrojë mbështetje institucionale përmes departamentit të investimeve strategjike dhe agjencisë ekzekutive Enterprise Greece.

Në vijim, Ministrja Hajdari takoi Zëvendësministren e Turizmit, Maria Zaharaki, me të cilën diskutuan për zhvillimet dhe të arriturat në fushën e turizmit në Kosovë dhe Greqi dhe mundësitë e zhvillimit të ofertave turistike me vendet e rajonit për përfitime të përbashkëta për të sjellur punësim, rritje të të ardhurave në Evropën Juglindore.

Zëvendësministrja Zaharaki e shtjelloi rëndësinë që ka turizmi për zhvillimin ekonomik të Greqisë dhe prezantoi të gjitha programet turistike greke që kanë kontribuar në rritjen ekonomike. Palët u pajtuan që në të ardhmen të bashkëpunojnë në projekte të përbashkëta turistike për Evropën Juglindore, me fokus në promovimin e vlerave të përbashkëta me kulturë të pasur dhe qytetërim të lashtë.

Gjatë qëndrimit në Athinë, delegacioni kosovar u prit në takim me Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme për Diplomacinë Ekonomike dhe Hapje, Kostas Fragogiannis, i cili me mikpritje të ngrohtë theksoi rëndësinë për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe tregtare në mes dy vendeve dhe theksoi domosdoshmërinë që ka integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Greqia po ndjek një qasje konstruktive politike, si pjesë e përkushtimit të saj për forcimin e paqes, stabilitetit dhe promovimit të zhvillimit në Evropën Juglindore.

Në këtë kontekst, Ministrja Hajdari diskutoi me Zëvendësministrin Fragogiannis për përparësitë e zgjerimit të marrëdhënieve ekonomike me Kosovën në sektorët industrial në interes të përbashkët, për plotësim të furnizimeve të zinxhirit të vlerës në nivel rajonal dhe më gjerë.

Ministrja Hajdari e falënderoi Zëvendësministrin Fragogiannis për mbështetjen politike të Greqisë për Kosovën, gjatë proceseve të shtet-ndërtimit dhe anëtarësimit në organizata të rëndësishme euro atlantike.

Delegacioni i Ministres Hajdari përfshin edhe 10 biznese kosovare, që do të jenë pjesë e forumit të biznesit dhe rrjetëzimit me biznese greke, me qëllim të rritjes së shkëmbimeve tregtare Kosovë-Greqi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 dhjetor 2022 - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, marrin pjesë në dëgjimin publik për Projektligjin për Liritë Fetare. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Raportit për Projektligjin Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Projektligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:30)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes, me raport amendamente të Komisionit funksional për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:45)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon konferencë për media, ku do të publikohet raporti me titull “Qeverisja me duar të pastërta”, raport ky mbi deputetët, ministrat dhe kryetarët e komunave, të cilët kanë probleme me ligjin. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Gjykata Kushtetuese organizon “Ditën e Gjykatës së Hapur” në shënim e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. (Gjykata Kushtetuese, ora 10:00)

- Për të shënuar 9 dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile dhe Mediave, do të mbajnë një konferencë me temën “Fuqizimi i Kapaciteteve të Shoqërisë Civile për luftimin e korrupsionit”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bashkëbisedon me studentët e Kolegjit AAB për temën mbi dhunën në bazë gjinore. (Kolegji AAB, ora 10:30)

- Rreth 60 punëtor teknik dhe ata te sigurimit fizik qe punojnë në Qendrat e Mjekësisë Familjare disa shkolla te Prishtinës  do te protestojnë me kërkesën për rritje të pagave. (Para komunës se Prishtinës, ora 11:00)

- Këshilli Rinor Kosovar organizon Kuvendin Zgjedhor të Këshillit të Nxënësve të Kosovës në nivel vendi. (Amfiteatri i Ministrisë së Drejtësisë, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon aktivitet me studentët e Klinikës Ligjore të IKD– së, ku do të bëhet prezantimi i shpalljes së simuluar të një aktgjykimi të një rasti të korrupsionit. (Sheshi Skënderbeu në Prishtinë, ora 13:30)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie. (Selia qendrore e LDK-së, ora 13:30)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu merr pjesë në një tryezë me gratë në Komunën e Mitrovicës. (Restaurantin "Va Piano", ora 15:00)

- Me rastin e 5 vjetorit të ndarjes nga jeta të artistit, Blerim Peci, Komuna e Mitrovicës, në bashkëpunim me artistë, familjarë e miq të ish të ndjerit organizojnë takimin përkujtimor për të ndarë së bashku kujtime të bukura e të pashlyeshme për të. (Qendra e Kulturës "Rexhep Mitrovica", ora 17:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu merr pjesë në shfaqjen e filmit "Zgjoi". (Kino Armata, ora 17:00)