07 Shkurt 2023

Kosova dhe Gjermania synojn rritjen e numrit të të rinjve të punësuar

Prishtinë, 3 shkurt - Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve z. Hekuran Murati, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit znj. Arbërie Nagavci, Drejtori i GIZ në Kosovë z. David Oberhuber dhe Udhëheqësi i Projektit z.Tobias Seiberlich nënshkruan sot marrëveshjen e implementimit për projektin “Aftësitë për Tregun e Punës – Fit for Jobs.”

Projekti që bashkë-financohet nga Qeveria e Kosovës dhe ajo Gjermane synon rritjen e numrit të të rinjve të punësuar në Kosovë përmes përmirësimit të arsimit dhe aftësimit profesional, orientimit në karrierë dhe përmirësimit të qasjes së të rinjve në shërbimet e tregut të punës.

Përkatësisht, projekti “Fit for Jobs” mbulon katër fusha kryesore, siç janë, orientimi sistematik në karrierë në sistemin arsimor të mesëm të ulët, promovimi i përfshirjes sistematike të sektorit privat në Arsim dhe Aftësim Profesional, zvogëlimi i hendekut në mes të arsimit profesional dhe kalimit në tregun e punës, si dhe orientimi në karrierë me anë të politikave dhe strategjive përkatëse.

Në fushën e MFPT-së, bashkëpunimi synon angazhimin e praktikantëve në Agjencinë e Punësimit, angazhimin e trajnerëve sipas nevojave të Qendrave për Aftësim Profesional (QAP), zhvillimin e kapaciteteve të QAP-ave, si dhe implementimin e skemës së kuponëve të trajnimeve për punëkërkuesit.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Murati vlerësoi lartë bashkëpunimin në mes të palëve duke u shprehur se “bashkëpunimi i ngushtë me Qeverinë Gjermane është shumë i rëndësishëm në mënyrë që bashkërisht të krijojmë perspektiva më të mira përmes një pjesëmarrje aktive në tregun e punës në vend.”

Palët u zotuan që të vazhdojnë bashkëpunimin ndërmjet dy qeverive në arritjen e qëllimeve për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 shkurt 2023

 - Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport, shqyrton Projektligjin pÑ‘r Agjencinë e Kosovës për Akreditim. (Kuvendi i Kosovës, salla N303, ora 10:00)
    
- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, shqyrton Planin e Performancës për vitin 2023, të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 11:00)
    
- Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me përfaqësuesit e grupeve të qytetarëve organizon ceremoninë për nënshkrimin e Agjendës së Kontratës Sociale për Gjilanin, që është zotim i përbashkët nëpërmjet zyrtarëve të Komunës dhe qytetarëve për të përmirësuar komunikimin, bashkëpunimin dhe veprimet kolektive. (Shkolla e Mesme e Muzikës, Gjilan, ora 12:00)
    
- Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, raporton në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim. Temë diskutimi është plani Hapësinor i Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 13:00)

- Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, do të dorëzojë Kallëzim Penal në Prokurorinë Speciale në Prishtinë, për keqpërdorimin e mjeteve të Qeverisë së Kosovës nga ana e Këshillit Kombëtar Shqiptar. (Ndërtesa e Prokurorisë, ora 14:00)  
    
- Një delegacion i ambasadorëve të shteteve të QUINT-it në selinë e OSBE-së në Vjenë të Austrisë, vizitojnë Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. I pranishëm do të jetë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. (Akademia për Siguri Publike, Vushtrri, ora 14:25)