21 Tetor 2021

Konsumatorët në të gjithë botën po përballen me çmime më të larta

Washington, 7 tetor - Konsumatorët në të gjithë botën po përballen me çmime më të larta për një shumëllojshmëri artikujsh të përditshëm, për shkak të problemeve në zinxhirin e furnizimit për të gjitha llojet e mallrave dhe rritjes së çmimimit të energjisë, në nivele që nuk janë parë prej vitesh.

Kjo do të thotë që konsumatorët në të gjithë botën po paguajnë më shumë për artikuj ushqimorë, veshje pajisje elektro-shtëpiake si dhe për blerje makinash e shtëpi.

Ata që po e ndjejnë më shumë këtë situatë janë familjet me të ardhura të ulëta, të ardhurat e kufizuara të të cilëve mbulojnë më pak në raport me nevojat që ata kanë.

Pyetja që shtrohet nga shumë ekonomistë është nëse kjo rritje e çmimeve do të jetë diçka "kalimtare", siç thonë prej disa muajsh zyrtarë të lartë amerikanë, apo është fillimi i një periudhe rritjeje më të qëndrueshme të çmimeve, në nivele më të larta sesa kanë ndeshur prej dekadash shumica e ekonomive kryesore të botës.

Në dëshminë para Kongresit javën e kaluar, Kryetari i Bankës Qendrore Amerikane Jerome Powell tha se problemet "zhgënjyese" me zinxhirin e furnizimit global që kanë ardhur si pasojë e dhënies fund të bllokimeve të vendosura për shkak të pandemisë, janë bërë shkak për rritjen e inflacionit dhe qëndrimin në këto parametra për një periudhë më gjatë sesa kishte parashikuar ai dhe drejtuesit e bankave të tjera qendrore. Por ai tha se ishte i sigurt se përfundimisht këto çështje do të merrnin zgjidhje.

"Rritja aktuale e inflacionit është në të vërtetë pasojë e kufizimeve në zinxhirin e furnizimit që po përballet me një kërkesë shumë të madhe, dhe kjo është e gjitha e lidhur me rihapjen e ekonomisë, një proces që do të ketë një fillim, një mes dhe një fund", tha zoti Powell. "Por këto çështje do të zgjidhen. Por është shumë e vështirë të thuash se sa i madh do të jetë ndikimi i tyre ose se për sa kohë do të zgjasë".

Megjithatë disa ekonomistë shqetësohen se Banka Qendrore Amerikane po nënvlerëson faktorët që ndikojnë tek çmimet e produkteve, nga ushqimet tek makinat.

"Ka shumë arsye për të menduar se kjo rritje e inflacionit nuk është diçka kalimtare dhe se do të jetë me ne për një kohë të gjatë", i tha Zërit të Amerikës Desmond Lachman, një nga anëtarët kryesorë të Institutin Amerikan të Sipërmarrjeve në Uashington.

Të martën, çmimi standard global i naftës së papërpunuar, u rrit në 82.56 dollarë për fuçi, duke arritur një nivel që nuk ishte shënuar në tre vjet. Në të gjithë botën, çmimet për ushqimin, karburantin dhe mallrat e konsumit janë në rritje.

Çmimi i gazit natyror është trefishuar në Evropë dhe Azi këtë vit, duke çuar në një ulje të ritmeve të rritjes ekonomike në pjesën më të madhe të Evropës dhe ndërprerje të energjisë në Kinë. Edhe në Shtetet e Bashkuara, të cilat normalisht kanë një furnizim të bollshëm me karburant, çmimet po rriten nisur nga shqetësimet se mund të ketë mungesa në muajt e dimrit.

Në Shtetet e Bashkuara, prej periudhës së verës inflacioni ka qenë në nivelet e 3.6%, shumë më e lartë sesa niveli prej më pak se 2% që ka qenë në vitet e fundit. Çmimet e shtëpive, një element kryesor në matjen e inflacionit, po rriten ndjeshëm.

Ndërkohë, Banka Qendrore Amerikane vazhdon të ndjekë politika që lehtësojnë marrjen e kredive duke e bërë atë më pak të kushtueshnme, gjë për të cilën shumë ekonomistë besojnë se po krijon më shumë trysni inflacioniste.

"Kur bashkoni të gjithë këta elemente dhe shikoni që administrata po angazhohet në një sasi rekord stimujsh buxhetore në kohë paqeje, e gjithë kjo nuk të jep idenë se inflacioni do të bjerë brenda një periudhe të afërt kohore", thotë zoti Lachman.

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 Tetor 2021

- Zyra e Bankës Botërore në Kosovë prezanton raportin më të ri të rregullt ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. (https://worldbankgroup.zoom.us/j/97581587600?pwd=YzBVb2NnVHJDak1kRDBscE0rVG5Ldz09 - Meeting ID: 975 8158 7600 dhe Passcode: 4Z+2*BBChV, ora 10:00)

- Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci raporton para Komisioni për Integrim Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)  

- Komiteti Lokal për Siguri Publike “Qendër” mban fushat sensibilizuese duke iu dhuruar qytetarëve maska falas. (Sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 11:00)

- Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj mban konferencë për media lidhur me të arriturat gjatë vizitës zyrtare në SHBA, si ministër i parë i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. (Ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, ora 12:30)

- “Rronifer” bënë inaugurimin e selisë së re të fabrikës. (Magjistralja Gjakovë - Prizren, kilometri i dytë, ora 12:30)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (ndertesa e KQZ-së, ora 13:30)