04 Tetor 2022

Inflacioni në vendet evropiane arriti nivelin më të lartë

Bruksel, 21 prill - Inflacioni vjetor për muajin mars në Eurozonë, me efektin e luftës Rusi-Ukrainë dhe të çmimeve të energjisë, arriti nivelin më të lartë të regjistruar, duke shënuar një ngritje me 7,4 për qind.

Zyra evropiane e statistikave (Eurostat) publikoi të dhënat vjetore të inflacionit për muajin mars për Bashkimin Evropian (BE) dhe Eurozonën.

Sipas të dhënave, inflacioni vjetor në BE, i cili ishte 6,2 për qind në muajin shkurt, u rrit në 7,8 për qind në muajin mars. Ndërkaq, inflacioni vjetor në Eurozonë, i cili ishte 5,9 për qind në muajin shkurt, u rrit në 7,4 për qind në mars.

Regjistrimet e inflacionit për Eurozonën filluan të mbahen që nga viti 1997.

Në këtë mënyrë, inflacioni në muajin mars në Eurozonë arriti në nivelin më të lartë në 25 vitet e fundit në të cilën janë mbledhur të dhënat nga Eurostat.

Inflacioni, që nga gushti i vitit të kaluar e deri më tani matet çdo muaj në nivelin më të lartë të viteve të fundit.

Në muajin mars në fjalë, kontributin më të madh në rritjen vjetore të inflacionit në Eurozonë e kanë pasur produktet e energjisë me 4,36 për qind. Energjia u pasua respektivisht nga shërbimet 1,12 për qind, produktet e ushqimit, alkoolit dhe duhanit 1,07 për qind dhe 0,9 për qind produktet industriale joenergjetike.

Në muajin mars, në Gjermani inflacioni u përcaktua 7,6 për qind, në Francë 5,1 për qind, në Spanjë 9,8 për qind, në Itali 6,8 për qind, në Holandë 11,7 për qind, në Belgjikë 9,3 për qind, në Çeki 11,9 për qind, në Estoni 14,8 për qind dhe në Lituani 15,6 për qind.

Inflacioni është shumë mbi objektivin prej 2 për qind të Bankës Qendrore Evropiane (BQE).

Rritja e inflacionit kohët e fundit ka shqetësuar edhe evropianët.

Në Evropë tërheq vëmendjen rritja e çmimeve të përgjithshme, veçanërisht në produktet ushqimore bazë dhe ato të energjisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 tetor 2022

- Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë takohet me delegacionin e administratës së Parlamentit të Republikës së Austrisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 8:30)

- Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë organizon ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet komunave të rajonit, Prishtinës, Obiliqit, Lipjanit, Podujevës dhe Fushë Kosovës dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë. (Hotel Amazona, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën e diskutimit gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat nga analiza e procedurave të prokurimit publik lidhur me shpenzimet publike të realizuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar gjatë periudhës 2020 – 2022. (Restorant Boho, ora 10:00)  

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportn Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Në kuadër të aktiviteteve kulturore artistike brenda institucioneve korrektuese, nesër në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, do të shfaqet Filmi “ Sffaragette”. (Qendra Korrektuese për Femra Lipjan, ora 11:00)

- Me rastin e 4 Tetorit, “Ditës Botërore për Mbrojtjen e Kafshëve”,  Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, OJQ-në Fondacioni për Mbrojtjen e të Drejtave të Kafshëve si dhe Fondacioni për mbrojtjen e kafshëve Vier Pfoten Kosova do të shënojmë këtë ditë në Pyllin e Arinjve Prishtina. (Fshati Mramor, afër liqenit të Badovcit, ora 11:00)
 
- Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Rahovec, përgjatë gjithë muajit tetor, si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, çdo ditë pune ofron shërbimin e mamografisë falas për të gjithë. (Rahovec, ora 11:00)

- Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati së bashku me Ministren e Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave të Kosovës Agron Llugaliu dhe Doganës së Shqipërisë Genti Gazheli do të inspektojnë punët në hapësirat e përbashkëta të Portit të Durrësit. (Porti i Durrësit, ora 12:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton në parim i Projektligjit për Sigurinë e përgjithshme të produkteve si dhe formon grupin e punës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për komunikimet elektronike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)