21 Tetor 2021

IKD dhe INPO: Komunat të mos cenojnë lirinë e tregut

Prishtinë, 2 tetor - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Iniciativa për Progres (INPO) në kuadër të projektit “Kërkesa për Komuna Transparente dhe Llogaridhënëse: Monitorimi i prokurimit publik dhe fuqizimi i qytetarëve për të sjellë ndryshime pozitive”, të enjten kanë publikuar raportin “Analizë e procesit të prokurimit dhe menaxhimit të kontratave (Analizë nga monitorimi i aktiviteteve në komunat: Prishtinë, Gjakovë, Pejë, Rahovec, Vushtrri, Gjilan, Deçan, Junik dhe Hani i Elezit)”.

Ky raport vjen si rezultat i monitorimit dhe analizimit të nga dy aktiviteteve të caktuara të prokurimit për secilën komunë, prej fazës së inicimit deri tek nënshkrimi i kontratës dhe nga dy aktivitete të tjera nga nënshkrimi i kontratës deri në përmbushje të saj.

Ky raport është i ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë paraqitet analiza e fazës së procesit të prokurimit, ku IKD dhe INPO kanë përzgjedhur nga dy aktivitete për secilën nga nëntë komunat e monitoruara.

Përzgjedhja e këtyre aktiviteteve është bërë duke u bazuar në disa kritere, si: vlera e kontratës, numri i ankesave, rreziku, procedura dhe rëndësia që ka pasur për komunitetin. Nga këto, njëra ka qenë kontratë e vlerës së madhe, ndërsa tjetra kontratë e vlerës së mesme.

Fillimisht IKD dhe INPO kanë analizuar nëse aktivitetet kanë qenë të përfshira në plan të prokurimit, ku shtatë prej komunave të monitoruara (Prishtina, Peja, Vushtrria, Gjilani, Deçani, Juniku dhe Hani i Elezit), njërin nga dy aktivitetet e monitoruara, nuk e kanë paraparë në plan të prokurimit për vitin respektiv.

Ndërsa, Gjakova, Peja, Rahoveci, Juniku dhe Hani i Elezit, njërin nga dy aktivitetet e monitoruara i kanë përfshirë në planin e tyre të prokurimit për vitin përkatës duke paraparë vlerë më të ulët krahasuar me vlerën e parashikuar në fazën e inicimit të aktivitetit.

Në tri aktivitete të prokurimit në dy komuna të ndryshme (Junik dhe Hani i Elezit) janë identifikuar komisione të vlerësimit të ofertave, anëtarë të të cilëve, nuk kanë pasur kualifikimin e duhur.

Në këtë fazë, IKD dhe INPO kanë monitoruar dhe vlerësuar nëse për secilin nga këto aktivitete është ndjekur dhe zbatuar procedura e duhur ligjore nga ana e autoritetit kontraktues.

IKD dhe INPO kanë gjetur se procedurën e duhur ligjore nuk e ka zbatuar Komuna e Prishtinës për aktivitetin “Sigurimi fizik për objektet e Komunës së Prishtinës”, ku ka përdorur procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë duke e kufizuar konkurrencën e lirë, si një parim i rëndësishëm në procedurën e prokurimit.

Në këtë rast perceptimi është se arsyeja e përdorimit të kësaj procedure është për faktin se aktiviteti i parë i iniciuar në vitin 2019 është ende në OSHP dhe Komuna e Prishtinës nuk ka pasur rrugë tjetër.

Mirëpo IKD dhe INPO konsiderojnë se si rrjedhojë e lëshimeve të vazhdueshme nga Komuna e Prishtinës ka ardhur deri tek kjo situatë, ku për gati dy vite ende nuk ka epilog kjo çështje.

Gjetjet e monitorimit dëshmojnë se komunat e Deçanit, Gjakovës, Prishtinës dhe Junikut kanë shpallur aktivitete të prokurimit me kërkesa teknike dhe profesionale, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik (LPP).

Përveç kësaj, është vërejtur dukuria e shkurtimeve të afateve për pranimin e tenderëve, ku nga monitorimi i këtyre aktiviteteve, IKD dhe INPO gjejnë se në pesë raste, në katër komuna të ndryshme janë aplikuar afate të përshpejtuara.

Nga arsyet e cekura nga ana e komunave të identifikuara që kanë shkurtuar afatet, mund të përfundojmë se asnjëri rast nuk është konform kërkesave ligjore dhe se këto shkurtime nuk kanë të bëjnë me situata urgjente.

Në pjesën e dytë të raportit, trajtohet aspekti menaxhues i kontratave, përkatësisht janë monitoruar tetëmbëdhjetë aktivitete në nëntë komuna. Rezultatet e monitorimit tregojnë se Komuna e Deçanit dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS) si donator i këtij projekti, nuk kanë arritur që konform kushteve të kontratës dhe nivelit të punëve të kryera t’i ekzekutojnë pagesat tek operatori ekonomik.

Si rrjedhojë e hulumtimit të validitetit të sigurisë së ekzekutimit të kontratës, IKD dhe INPO gjejnë se Komuna e Prishtinës dhe Komuna e Junikut nuk kanë arritur t’i respektojnë dispozitat ligjore lidhur me këtë, përkatësisht kanë nënshkruar kontratë pa siguri të ekzekutimit valide dhe në kundërshtim me kërkesat e dosjes së tenderit.

Lidhur me atë se a zbatohet kontrata konform kushteve të kontratës dhe paramasës, gjetjet dëshmojnë se Komuna e Gjakovës dhe ajo e Gjilanit nuk kanë arritur që implementimin ta bëjnë konform kushteve të kontratës.

 Ndërsa Komuna e Hanit të Elezit dhe Komuna e Prishtinës nuk kanë arritur që t’i planifikojnë projektet në mënyrë profesionale, me çka pastaj është shtruar nevoja për ndryshime në pozicione të ndryshme.

Gjatë vizitës ne terren, është vërejtur fakti se Komuna e Junikut për aktivitetin “Ndërtimi i Qendrës për Kulturë, Turizëm dhe Agrobiznes”, ka lejuar ekzekutimin e pagesave pa u kryer punët e caktuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave përkundër që punët nuk janë kryer në përputhje me paramasën, duke pranuar ndryshimin e pozicioneve të paramasës në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Komuna e Vushtrrisë për kontratën “Asfaltimi i rrugëve lokale në qytet” nuk ka arritur që të sigurohet për cilësinë e punimeve, ndërsa Komuna e Prishtinës për kontratën “Furnizim me kifle për nxënësit e klasave 1-5”, si pasojë e vonesave të Agjencia Qendrore e Prokurimit në kuadër të furnizimeve të përbashkëta, ka udhëhequr e vetme procedurën dhe ka nënshkruar kontratë.

Mirëpo, komuna nuk ishte kujdesur që ta lë një klauzolë se kjo kontratë nuk do të kishte fuqi juridike në momentin që AQP nënshkruan kontratën për furnizime të përbashkëta.

Kështu, komuna rrezikon që të paditet për mos përmbushje të kontratës nga operatori ekonomik me të cilin ka nënshkruar kontratë.

Gjatë daljes në terren dhe intervistave të zhvilluara nga IKD dhe INPO është konstatuar edhe fakti se komunat në përgjithësi nuk i konsultojnë paraprakisht qytetarët për projekte të caktuara dhe shumica dërmuese e qytetarëve të anketuar nuk kanë njohuri për koston dhe kohëzgjatjen e kontratës.

Gjithashtu, mungon bashkëpunimi i duhur në mes të komunave dhe anëtarëve të këshillave lokal, gjë që është tregues se projektet e caktuara nuk planifikohen dhe realizohen në përputhje me nevojat reale të qytetarëve.

IKD dhe INPO kanë listuar një sërë rekomandimesh sesi të shmangen problematikat e tilla në të ardhmen, ku kanë kërkuar nga autoritetet kontraktuese që të hartojnë kërkesat teknike dhe profesionale në përputhje me dispozitat e LPP-së, të shmangin praktikën e shkurtimit të afateve të rregullta ligjore pa pasur arsye reale dhe pa u gjendur në situata të jashtëzakonshme, si dhe të shmangin përdorimin e procedurave të cilat e cenojnë lirinë e tregut.

Njëkohësisht, në raport rekomandohet që komunat duhet të angazhohen që aktiviteti të planifikohet mirë, menaxhimi i kontratave të jetë adekuat, të mos pranohen punë në kundërshtim me kushtet e kontratës, përkatësisht punë jo cilësore, të mos kryhen pagesa pa përfunduar punët dhe të sigurohen që marrin punën, shërbimin apo furnizimin e kërkuar në përputhje dhe në proporcion me vlerën monetare të paguar për to.

Një tjetër rekomandim kërkon që komunat të rrisin bashkëpunimin me këshillat lokal dhe qytetarët, e sidomos t’i konsultojë këta, në mënyrë që projektet e caktuar t’i përgjigjen nevojave reale të komunitetit i cili jeton në lokalitetin ku implementohet kontrata.

 

--

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 Tetor 2021 - Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me shoqaten e Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit për zgjidhjen e statusit të veprimtarëve invalidëve të plagosur para luftës çlirimtare në Kosovë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës - STIKK organizon edicionin e 10-të të festivalit të teknologjisë “KosICT”. (Ambientet e “ITP Park” në Prizren, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon konferencën “Ndikimi i dialogut me Serbinë në politikën e jashtme të Kosovës”. (Hotel Emerald, ora 10:30)

-  Komisioni Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Bordit të RTK-së shqyrton listën e kandidatëve të propozuar për anëtarë të Bordit të RTK-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 11:00)

- Ministria e Mbrojtjës organizon ceremoninë e betimit të rekrutëve të rijnë. (Kazerma e FSK-së “Skënderbeu” në Ferizaj, ora 11:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit miraton listën e ngushtë të kandidatëve për Drejtor të Agjencisë Kundër Korrupsionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)

- Mbahet edicioni i trtë i festivalit Lahuta, Okarina Polifionia. (Ambientet e Qendrës për zhvillimin e kultures tradicionale në Prishtinë, Rruga Xheladin Hana nr. 98, ora 18:30)