09 Gusht 2022

Euro bie në nivelin më të ulët të 20 viteve ndaj dollarit amerikan

Frankfurt, 11 korrik - Euro ka shënuar rënie në një nivel më të ulët të 20 viteve kundrejt dollarit amerikan, me shtrëngimin monetar të Rezervës Federale të SHBA-së dhe luftën e Rusisë ndaj Ukrainës që kërcënon furnizimin me energji për Evropën.

Sipas shifrave zyrtare, euro kundrejt dollarit ra në 1,0053 mëngjesin e sotëm, niveli i saj më i ulët që nga 6 dhjetori i vitit 2002.

Indeksi i dollarit, që përdoret për të matur vlerën e dollarit amerikan kundrejt një shporte prej gjashtë valutash të huaja që përfshijnë paundin britanik, euron, frangun zviceran, jenin japonez, dollarin kanadez dhe kronën suedeze, u rrit për 1,1 për qind në 108,19, duke regjistruar një nivel të ri rekord 20-vjeçar.

Rezerva Federale e SHBA-së ka bërë gjithsej 150 pikë bazë rritje të normës që nga muaji mars për të zbutur inflacionin rekord, duke e çuar indeksin e dollarit më lart. Nga ana tjetër, Banka Qendrore Evropiane (ECB) nuk ka bërë ende një ndryshim në normat e interesit.

ECB-ja pritet të bëjë një rritje të normës prej 25 pikë bazë më 21 korrik, ndërsa Rezerva Federale e SHBA-së pritet të rrisë normat në mënyrë agresive me 75 pikë bazë më 27 korrik.

Lufta në Ukrainë vazhdon të përbëjë rrezik për eurozonën, ndërsa Gjermania, ekonomia më e madhe e bllokut evropian, potencialisht përballet me një ndalim të përhershëm të rrjedhës së gazit natyror rus.

Ashtu si ekonomia amerikane, edhe ajo evropiane janë zhytur në frikën e recesionit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 gusht 2022

- Lëvizja FOL organizon konferencë për media me ç’ rast do të publikoj gjetjet nga monitorimi i realizimit të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për periudhën janar- qershor 2022. (Zyret e Lëvizjes FOL, ora 11:00)

- Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Redžepi, mban takimin me temën “Arsimi i komuniteteve joshumicë në Republikën e Kosovës”, me pjesëmarrjen e të gjithë përfaqësuesve relevant të institucioneve. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 12:00)

- Hapet ekspozita “Ekonomia e Gruas në tregun e punës” e cil paraqet veprat e artistëve të Bosnjës dhe Hercegovinës të cilët në mënyra të ndryshme trajtojnë format e padukshme/të neglizhuara/të panjohura të punës. (Mini Studio në Rr. Nazim Gafurri 25, ora 20:00)