08 Dhjetor 2021

Doganieri P.X akuzohet për marrje të ryshfetit

Prizren, 24 nëntor - Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër P.X., - person zyrtar, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i pandehuri P.X., me datë 16.09.2021 rreth orës 22:10, në pikë kalimin kufitar në Vërmicë, në cilësinë e personit zyrtar- Doganier i Doganave të Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkon dhe pranon përfitim pasuror për vete në mënyrë që i njejti të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që qytetari V.K., me rastin e kalimit në pikën doganore duke drejtuar automjetin e tij, me t’u ndaluar nga ana e të pandehurit është pyetur nëse ka ndonjë mall për ta doganuar i cili ka deklaruar se në bagazhin e veturës së tij ka dy autopjesë të përdorura, për të cilat i pandehuri ia ka kumtuar shumën e taksës doganore për të cilat dëshmitari detyrohej ta paguante, mirëpo i njejti shfrytëzon rastin dhe kërkon privatisht nga dëshmitari shumën prej 50 € (Pesëdhjetë euro) në mënyrë që ky i fundit të mos i nënshtrohej taksës doganore, derisa dëshmitari paraprakisht ka raportuar rastin tek Autoriteti i Hetuesisë Doganore dhe pajtohet që t’ia jap të pandehurit shumën prej 20 € (Njëzet euro) ashtu që i pandehuri pranon paratë në fjalë dhe e liron dëshmitarin.

Me këto veprime i pandehuri P.X., ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 dhjetor 2021

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme, dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 10:00)

- Ambasada Franceze, Aleanca Franceze e Prishtinës dhe Espace Campus France, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin AAB organizojnë hapjen e Panairit Universitar Francez në Kosovë i cili do tu mundësoj studentëve kosovarë të zbulojnë programet akademike të ofruara nga 30 universitete dhe 16 webinare nga Franca. (Universitetin AAB, ora 10:00)

- Ministri i  MMPHI Liburn Aliu raporton para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e auditimit të përformancës "Mbledhja, trajtimi dhe asgjësimi i mbeturinave komerciale”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)  

- VentureUP në partneritet me Sustainability Leadership Kosova dhe financuar nga UNDP organizon ditën e garës finale e eko-startup-eve të Programit Green Hub. (Amfiteatri i objektit të Administratës Qendrore të Universitetit të Prishtinës, ora 10:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrtimin raportin me propozim-amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Deminim Humanitar. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 12:00)

- Të rinjte e iniciatives “Hajde në shkollë” organizojnë forum teatrin që ka për qëllim vetëdijësimin dhe parandalimin e braktisjes së shkollimit në mesin e të rinjve në komunën e Klinës. (Shtëpia e kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë, ora 14:00)

- Kosovo 2.0 dhe Fondacioni 17  organizojnë diskutimin lidhur me mobilizimin e komunitetit për ruajtjen dhe rikthimin e hapësirave të përbashkëta publike, me fokus në historinë e tri kinemave që i shpëtuan privatizimit. (Kino Armata, ora 17:00)

- OJQ “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve” organizojnë diskutimin "Le të flasim" i cili synon të sjellë vëmendjen dhe ndërgjegjësimin tek audienca në lidhje me diskriminimin racor, martesat e hershme, gjuhën e urrejtjes në institucionet publike dhe rrugën e edukimit mbi dy dekada. (Kino Armata, ora 19:00)