18 Maj 2022

BE padit Kinën në Organizatën Botërore të Tregtisë

Gjenevë, 28 janar - Bashkimi Evropian ka njoftuar se ka paraqitur në Organizatën Botërore të Tregtisë një padi ndaj Kinës për praktikat e saj diskriminuese ndaj Lituanisë, e cila njohu rishtazi përfaqësimin diplomatik të Tajvanit.

BE-ja thotë se mosmarrëveshja e Kinës me këtë vend balltik po dëmton edhe eksporte të tjera të Bashkimit Evropian.

Njoftimin në emër të BE-së e bëri Zëvendës Presidenti i Komisionit Evropian, njëkohësisht edhe Komisioner për Tregtinë, Valdis Dombrovskis.

“Në fillim të dhjetorit, Kina vendosi masa shtrënguese ndaj eksporteve lituaneze dhe ndaj eksporteve të produkteve të BE-së që përmbajnë komponentë lituanezë. Kina po ndërpret edhe eksportet e saj drejt Lituanisë. Ne besojmë se praktikat e zbatuara në këtë rast janë në shkelje të rregullave të OBSH-së”, tha zoti Dombrovskis.

Lituania theu traditën e deritanishme diplomatike duke rënë dakort që zyra e Tajvanit në Vilnius të mbajë emrin Tajvan dhe jo Taipei kinez, një term i përdorur nga vende të tjera për të mos ofenduar Pekinin.

“Lituania dëshiron marrëdhënie më intensive ekonomike, kulturore dhe shkencore me Tajvanin. Kjo ishte njoftuar në programin e qeverisë dhe nuk duhet të kishte qenë suprizë për askënd”, tha Kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Simonyte.

Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj që nuk gëzon të drejtën e akreditimit diplomatik. Pekini dëboi ambasadorin lituanez dhe tërhoqi ambasadorin e tij. Muajin e kaluar, Lituania mbylli ambasadën e saj në kryeqytetin kinez.

Tregtia e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian menaxhohet nga Komisioni Evropian, që thotë se ka përpiluar evidencën e duhur për shkeljet e Kinës. Komisioni thotë se nga vetë statistikat e doganave kineze rezulton se ka një rënie prej 91% të tregtisë me Lituaninë.

“Dua të jem i qartë. Këto masa përbëjnë rrezik për integritetin e tregut të përbashkët të BE-së. Ndikojnë tek tregtia brenda BE-së dhe tek zinxhiri i furnizimit të BE-së, dhe kanë një efekt negativ ndaj industrisë së BE-së. Prandaj po e çojmë çështjen në OBT. Kina mbushi rishtazi 20 vjet anëtarësim në OBT, ku ra dakort të zbatojë rregullat shumëpalëshe. Sot ne i bëjmë thirrje Kinës t’i zbatojë ato rregulla, për hir të sistemit të tregtisë botërore”, tha zoti Dombrovskis.

Pekini reagoi nëpërmjet ministrisë së jashtme duke thënë se Kina veproi në përputhje me rregullat e OBT-së dhe se mosmarrëveshja e saj me Lituaninë është politike.

Faza e parë e procesit në Organizatën Botërore të Tregtisë parashikon fillimisht konsultime me qëllim zgjidhjen e mosmarrëveshjes në mënyrë miqësore. Nëse nuk arrihen rezultate brenda 60 ditëve, BE-ja mund të kërkojë që mosmarrëveshjen ta zgjidhë një komision i OBT-së.

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 maj 2022 - Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti raporton para Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu pret me nderimet më të larta shtetërore për vizitë zyrtare Presidentin e Malit të Zi, Milo Đukanović. (Sheshi “Ibrahim Rugova”, ora 10:00 - Mediat duhet të jenë në ndërtesën e Kuvendit më së voni deri në orën 9:20)

- Mbahet dita e dytë e konferencës së përbashkët profesionale ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, me Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë të Republikës së Shqipërisë. (Hotel Emerald, ora 9:30)

- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, në do të organizohet punëtoria për Programin Kombëtar të muzeve në Kosovë. (Lapidariumi i Muzeut Kombëtar të Kosovës, ora 9:45)

- Ne kuadër të Thirrjes së Parë Publike për Organizatat e Shoqërisë Civile për Dorëzimin e Projekt Propozimeve në Programin ReLOaD2, Komuna e Istogut organizon sesionin e parë informues dhe trajnimin dy ditor mbi ‘Menaxhimin e Ciklit të Projektit’. (Salla e konferencave të Shtëpisë se Kulturës ‘Mensur Zyberaj’ në Rahovec, ora 10:00)

- Trupi Gjykues II i Dhomave të Specializuara të Kosovës shpall aktgjykimin në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt. (Hagë dhe në https:// https://www.scp-ks.org/sq/transmetim, ora 10:00)

- Departameni i Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane në Universitetin e Prizrenit hap dyert për tu informuar rreth studimeve të gjuhës gjermane. (Universiteti i Prizrenit, ora 10:30)

- Lëvizja FOL organizon forumin “FOL Hapur për Sundimin e Ligjit në Kosovë” me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier si dhe Ministrja e Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu. (Holli i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ora 11:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. (Kabineti i kryetarit, ora 12:25 - mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)

- Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanovic, do të vizitojë Komunën e Prishtinës me ç’ rast Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama do t’i dhurojë “Çelësin e Qytetit”. (Ndërtesa e vjetër të Komunës, ora 15:00)

- Kuvendi Komunal në Istog mban mbledhjen solemne për nder të vizitës së Zëvendësministrit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Çekisë, Martin Dvorak. (Kuvendi Komunal i Istogut, ora 15:30)

- “Celebrating Kosovo’s Trustbuilders” prezenton interface-in e ri te plaformës Kosovo Trustbuilding Platofrm si dhe festimin e me shumë se tre viteve të arritjeve në avancimin e Agjendës së Ndërtimit të Besimit ne Kosove duke ndare histori frymëzuese dhe pozitive te individeve te ndryshem nga perkatesi te ndryshme etnike ne Kosove. (Hotel Emerald, ora 18:00)

- Shënohet Dita Ndërkombëtare e Muzeve me temën “The Power of Museums - Fuqia e Muzeve”. (Lapidariumi i Muzeut Kombëtar të Kosovës, ora 19:00)