23 Shtator 2021

Bashkëpunimi mes prodhimit dhe shitjes jetik për zhvillimin e vendit

Prishtinë, 8 maj - Fuqizimi i mëtejshëm i sektorit të prodhimtarisë krahas zhvillimit të sektorit të shitjes me pakicë, është parakusht për zhvillimin e ekonomisë së vendit, ndërsa bashkëpunimi ndërsektorial jetik për përcaktimin e trajektores së nivelit të këtij zhvillimi.

Në këtë drejtim, Klubi i Prodhuesve të Kosovës në bashkëpunim me Rrjetin e Shitësve me Pakicë organizuan vizita në rrjetet e supermarketeve si VivaFresh dhe Interex ku dhe u takuan me udhëheqësitë e kompanive përkatëse.

Thellimi i bashkëpunimit, sigurimi i furnizimit gjatë kohës së pandemisë, njohja më e afërt me kërkesat e konsumatorëve dhe bashkërëndimi i hapave që mundësojnë zhvillimin e të dy sektorëve, ishin arsyet e organizimit të këtyre takimeve.

Prodhuesit u shprehen të kënaqur me takimet ndërsa falënderuan rrjetet për bashkëpunimin e deritanishëm, teksa theksuan nevojën e rritjes së përkrahjes edhe më shumë në të ardhmen.

Në anën tjetër, edhe udhëheqësit e këtyre zinxhirëve me pakicë, VivaFresh dhe Interex, vlerësuan angazhimin e prodhuesve në zhvillimin e produkteve të reja cilësore në treg teksa ofruan mbështetje dhe kërkuan që komunikimi në mes të palëve të vazhdoj, ku do të hapen rrugë të reja të bashkëpunimit dhe veprimit.

Të dy palët u pajtuan që përveç fokusit në tregti të brendshme të intensifikojnë bashkëpunimin në të ardhmen për plasimin e produkteve vendore edhe në tregjet e rajonit, ndërsa u potencua dhe nevoja e rishikimit të legjislacionit për tregti në mënyrë që të trajtohen çështjet të cilat vështirësojnë zhvillimin e këtyre dy sektorëve me rëndësi themelore për ekonominë e vendit.

Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe Rrjeti i Shitësve me Pakicë, ditëve në vijim do të organizojnë dhe takime të tjera në mes anëtarëve që përfaqësojnë me qëllim të thellimit të bashkëpunimit dhe krijimit të një platforme që ofron alternativa për zhvillimin e vendit.
​
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 Shtator 2021 - Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 10:00)

- Kandidati për Kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili do të vizitoj Kompaninë Pastrimi në Prishtinë ku do të mbaj edhe një Konferencë për media në hapësirën e kësaj kompanie. (Kompania Pastrimi në Emshir pas stacionit të autobusëve, ora 11:30)

- Partia Socialdemokrate do të dorëzoj kallëzim penal në Prokurori. (Ndërtesa e Prokurorisë në lagjen Veternik, ora 13:00)

- Forumi i Gruas së Nismës Socialdemokrate në Malishevë mban takim elektoral, ku i pranishëm do të jetë kryetari Nismës, Fatmir Limaj dhe kandidati për kryetar të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati. (Ambienti i jashtëm i shkollës fillore “Ibrahim Mazreku” në Malishevë, ora 14:00)

- Dhomat e Specializuara të Kosovës organizojnë informimin javore  në të cilin do  të  japin  një  informacion  të  përditësuar  mbi zhvillimet  e  fundit  lidhur  me  procedurat  gjyqësore  dhe  veprimtaritë  e  tjera  publike  të  gjykatës. (Online, ora 14:30)

- Forumi për Lidership dhe Diplomaci organizon ngjarjen lansuese të projektit: Promovimi i Zhvillimit Ekonomik Rajonal përmes Akademisë se Ndërmarrësisë. (Hotel Sirius, ora 16:00)

- Mbahet ceremonia e  hapjes së Kongresit te Parë Klinik të Kolegjit te Kirurgëve të Kosovës organizuar në bashkëpunim me Odën e Mjekëve të Kosovës. (Hotel Emerald, ora 17:00)