15 Gusht 2022

89% e konsumatorëve porosisin produkte përmes telefonave inteligjentë

Prishtinë, 23 dhjetor - Shoqata e Bankave të Kosovës në bashkëpunim me Visa, zhvilluan fushatën informuese gjatë periudhës shtator - dhjetor 2021 që kishte për qëllim informimin e qytetarëve rreth mundësive të blerjeve me kartë bankare online dhe çështjeve të sigurisë gjatë pagesave online.

Gjatë muajve të fushatës, Shoqata e Bankave të Kosovës realizoi artikuj, publikime informuese në rrjetet sociale dhe video informuese të transmetuara në kanalet televizive dhe në radio duke sqaruar përparësitë e këtyre pagesave por edhe duke informuar rreth aspekteve të sigurisë dhe mundësive të shumta që i ofrojnë bankat përmes kartave bankare.

Zhvillimi i shpejtë dhe avancimi i teknologjisë ka rezultuar edhe në ndryshimin e shprehive të blerësve në kryerjen e pagesave.

Në një anketim të realizuar nga Visa për pagesat dhe blerjet online në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në Kosovë rezulton se 41 për qind e të anketuarve ishin të gatshëm të paguajnë nëpërmjet telefonave të mençur faturat mujore dhe shërbimet e parkimit, ndërsa biletat e teatrit, kinemasë dhe transportit publik renditen në vendin e dytë (35 për qind).

Të tretat në radhë janë pagesat në dyqane, kafene dhe restorante (33 për qind). 32 për qind e të anketuarve janë shumë të interesuar për blerjet e mëdha të biletave për udhëtime ose blerjet e orendive shtëpiake.

Ndërsa nga gjithsej blerjet online, në total 89% e konsumatorëve kryesisht porosisin produkte përmes telefonave inteligjentë.

Shoqata e Bankave të Kosovës në bashkëpunim me Visa dhe bankat komerciale të Kosovës, mbështetën këtë fushatë informuese e cila kishte ndikim pozitiv në informimin e qytetarëve të Kosovës për avancimet dhe mundësitë që tani ofrohen në sektorin bankar të shërbimeve të pagesave.  


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 gusht 2022  - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu  pret me ceremonitë më të larta shtetërore, me rastin e fillimit të mandatit të tij, presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. (Sheshi “Ibrahim Rugova”, ora 10:00 - Mediat duhet të jenë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës më së voni në ora 9:15)

- Komuna e Rahovecit organizon dëgjim publik me organizatat jo qeveritare për buxhetin e vitit 2023 dhe Kornizës Afatmesme Buxhetore për vitet 2024-2025. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 10:00)

- Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina" organizon ceremoninë solemne të hapjes së punimeve të Seminarit XL Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. (Amfiteatri i Bibliotekës Qendrore Universitare, ora 11:00).

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. (Kabineti i kryetarit, ora 12:15 - Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni pret sot në takim ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ku më pas do të ketë prononcim për media në Zyrën e Kryetarit. (Gjilan, ora 15:00)

- Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj zhvillon homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova. (Velani, ora 15:45)

- Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj zhvillon homazhe te varrezat e Familjes Jashari. (Kompleksi Memorial  në Prekaz, ora 16:35)

- Në kuadër të Akademisë Verore ‘’Arbën Xhaferi"  mbahet akademi përkujtimore për jetën dhe veprën e Arbën Xhaferit. (Pallati i Kulturës, "Hasan Prishtina", ora 19:30)