06 Dhjetor 2022

Vullkani islandez shkakton kaos në aeroportet evropiane

Rekjavik, 18 prill - Një tymnajë e dendur pluhuri vullkanik mbulon sipërfaqe të mëdha mbi Islandë, duke bërë të papërdorshme korridoret ajrore dhe duke penguar fluturimet edhe në një pjesë të madhe të Evropës për sot.

Shkencëtarët në Islandë paralajmëruan ndërkaq se aktiviteti vullkanik është shtuar dhe se nuk ka shenja qetësimi që do të thotë se kaosi i udhëtimeve to të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.

Pritej që erërat veriore të shpërndanin tymin në një farë mase për të lejuar sot fluturimet, por situata vazhdon të jetë e papërballueshme për linjat e fluturimit.

Shkencëtarët duan të shohin tani sa akull është shkrirë për të përcaktuar sa avull e pluhur do të vazhdojë të çlirohet.

Duke qenë se vullkani ndodhet nën shtresën e akullt, magma po ftohet me shpejtësi, duke shkaktuar shpërthime dhe shtëllunga avulli që mund të kenë pasoja katastrofike për motorrët e avionëve.

Që nga shpërthimi i vullkanit, tymnaja është përhapur në një pjesë të mirë të Evropës Veriore, duke bllokuar mijëra pasagjerë fluturimesh.

Qeveritë belge, franceze dhe zvicerane e kanë zgjatur ndalimin e fluturimeve deri sot në mbrëmje. Kenneth Thomas i Agjencisë së Trafikut Ajror Eurocontrol thotë se gjendja nuk ka ndryshuar shumë që nga dje:

“Erërat për momentin kontrollohen nga presioni i lartë mbi Atlantik, gjë që ka qendruar thuajse në të njëjtin nivel”.

Eurocontrol thotë se rreth 16 mijë nga mesatarja e 28 mijë fluturimeve të përditshme në Evropë u anuluan sot, një shifër 2 herë më e lartë se një ditë më parë.

Për pasagjerët e bllokuar gjatë udhëtimit, gjendja e sotme nënkupton orë të panumërta në aeroporte në pritje të hapjes së korridoreve ajrore:

“Po shkonim nga Nurenbergu në Deli të Indisë. Jemi bllokuar këtu që dje. Lufthansa na ndihmoi duke prenotuar një dhomë hoteli për ne, por nuk e dimë se si do të vejë puna sot, a do nisemi apo jo”.

Në qytetet e mëdha evropiane, vullkani shkaktoi ndryshime në skemën e udhëtimeve. Në Amsterdam, autoritetet e transportit urdhëruan shtimin e trenave në operim dhe zgjatjen e orarit të linjave hekurudhore.

Po ashtu, një dyndje masive u vërejt në tragetet e pasagjerëve, veçanërisht në linjën që pret Kanalin Lamansh. Ekspertët e transportit thonë se situata aktuale ka sjellë një prej ndërprerjeve më të rënda të shërbimit ajror që ka përjetuar ndonjëherë Evropa.


Një aeroplan në të cilin udhëtonte kancelarja gjermane Angela Merkel nga Shtetet e Bashkuara ka devijuar për në Portugali. Ndërsa anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së u detyruan të anullonin planet për një udhëtim në Republikën Demokratike të Kongos.

Pas anullimit të thuajse të gjitha fluturimeve nga dhe për në Europë, mijëra pasagjerë nëpër aeroporte kërkojnë rikthimin e parave të biletave, ose ndryshim linjash për të arritur në destinacionet e planifikuara.

Reja e hirit vullkanik, shkaktuar nga vullkani nënakullnajor i Islandës, ka shkaktuar ndërprerjen më të madhe të fluturimeve ajrore që mbas sulmeve të vitit 2001 në Nju Jork, duke prekur qarkullimin e pasagjerëve në 6 kontinente.

Situata e krijuar ka prekur dhe Australinë dhe Japoninë. Në Australi, pasagjerët po përpiqen të gjejnë hotele, mbasi fluturimet me Europën përmes Britanisë janë mbyllur. Po ashtu Japonia ka anulluar 9 fluturime nga dhe për në Europë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 dhjetor 2022

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Agjencia e Statistikave të Kosovës mban nesër takim konsultativ me Kryetar dhe përfaqësues të Komunave në Kosovë. (Hotel International Prishtina në Veternik, ora 9:30)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 9:30)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizojnë tryezën e rrumbullakët për reformën në Administratën Publike. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport shqyrton Projektligjin për Anti Dopingun. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale takohet me Elvana Shala, ambasadore e vullnetit të mirë në Komisionin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut ku do të diskutohet organizimi i kongresit botëror për personat me aftësi të kufizuara. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton në parim i Projektligjin për zhvillimin rajonal të balancuar. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)   

- Qendra Kosovare për Zhvillim dhe Avokim mban konferencën për media në lansimin e fushatës “E Drejta për Ajër të Pastër - vrasësi i padukshëm NO2 -”. (Restorant “Rings” tek Sheshi ‘Nënë Tereza”, ora 11:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale organizon tryezën e rrumbullakët lidhur me punën, të arriturat dhe sfidat e Qendrave për Punë Sociale’’. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Komuna e Prishtinës inauguron veprën e artit në hapësira publike “Never Say Never” të artistit të mirënjohur bashkëkohor Alban Muja, e që po realizohet me mbështetje të Komunës së Prishtinës dhe MB Office. (Parku “Adem Demaçi”, ora 12:00)

- Zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi raporton para Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë lidhur me dialogun dhe planin franko-gjerman. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

 - Organizata jofitimprurëse Code organizon takimin lançues “Ora e Kodit” e cila është hyrje 1 orëshe në shkenca kompjuterike e krijuar për të shpjeguar “kodimin”. (Shkolla “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon tryezë të rrumbullakët, mbi publikimin e Raporteve: ‘‘Transparenca e Qeverisë’’ dhe ‘‘Transparenca në Ndërmarrjet Publike’’. (Hotel Sirius, ora 13:00)
 
- Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim shqyrton Projektligjin për Vlerësimin e ndikimit në mjedis, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

 

- Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, së bashku me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, prezantojnë buxhetin për vitin 2023 para qytetarëve të Komunës së Podujevës. (Teatrin ”Avdush Hasani” në Podujevë, ora 17:30)