03 Dhjetor 2022

Transporti rrugor burimi kryesor i ndotjes së ajrit

Prizren, 23 shtator - Nevojat e njeriut për të lëvizur dhe zgjerimi i tyre në mbarë botën ka ndikuar në zhvillimin e transportit dhe modernizimin e tij ndër vite.

Zhvillimi ekonomik dhe nivelet më të larta të të ardhurave kanë bërë që transporti të jetë një sektor i fuqishëm, e me fuqizimin e tij janë rritur edhe ndikimet në mjedis.

Pjesa më e madhe e ndotjes së mjedisit shkaktohet nga transporti rrugor. Atmosfera kërcënohet nga djegia e karburantit nga automjetet rrugore, duke kontribuar kështu në ngrohjen globale të Tokës.

Përveç tjerash transporti rrugor gjithashtu sjell edhe efekte të jashtme si ndotja akustike, dridhjet, bllokimet dhe aksidentet e trafikut.

Në disa vende – shpesh vende më të pasura me popullsi që udhëtojnë shpesh – transporti mund të jetë një nga indikatorët më të mëdhenj të gjurmës së karbonit të një individi.

Në përgjithësi sipas Ec ma Ndryshe mënyrat më efikase për të udhëtuar janë ecja, biçikleta, autobusët (urban e ndërurban) dhe treni.

Emisionet e gazrave nga transporti mund të  ulen ndjeshëm nëse qytetarët vendosin të zgjedhin forma më efiçiente të transportit.

Andaj ndryshime të vogla në zakonet e transportit të qytetarëve mund të zvogëlojnë ndjeshëm gjurmën e tyre të karbonit.

Edhe në Kosovë rritja e popullsisë dhe shtimi i nevojës për lëvizje dhe mjete të lëvizjes, konsiderohet si forcë kryesore shtytëse për zhvillimin e sektorit të transportit dhe rritjes së ndikimit të tij në mjedis.

Ndërsa shtimi i numrit të veturave, cilësia e dobët e derivateve vlerësohen si forca shtytëse që kanë pasur ndikim të drejtpërdrejt në ndotjen e ajrit dhe mjedisit në përgjithësi.

Në hulumtimin e realizuar nga EC Ma Ndryshe me qytetarët e Prizrenit, thuhet se 56% e qytetarëve si burim kryesor të ndotjes së ajrit në qytetin e tyre e shohin ndotjen nga trafiku.

Qytetarët janë të vetëdijshëm për ndotjen e shkaktuar nga transporti, por është e nevojshme  që atyre tu ofrohen mundësi për përdorimin e formave më miqësore me natyrën. Për vite me radhë qytetarët dhe grupet tjera të komunitetit në Prizren kanë kërkuar hapësirë të veçantë për lëvizjen e tyre me biçikleta në rrugët e qytetit, kërkesë kjo që këtë vit po realizohet.

Përfaqësues të grupit “Marakli t’bicikllave” në një intervistë  tregojnë që numri i qytetarëve që përdorin biçikletën është rritur dukshëm gjatë pandemisë. Kjo situatë ka ndikuar në mbarë botën, njerëzit filluan të ecnin në këmbë ose me biçikletë për të mbajtur distancën sociale dhe për të zvogëluar ndotjen e ajrit.

Sipas Federatës Evropiane të Çiklistëve (ECF), shumë qytete investuan 1 miliardë euro në vitin 2020, për të ndërtuar të paktën 1,000 km korsi biçikletash, si masa qetësuese të trafikut dhe parandalimit të ndotjes së ajrit nga makinat.

Edhe në Tiranë, gjatë vitit 2020 është zgjeruar harta e korsive të dedikuara për përdoruesit e biçikletave, jo vetëm për të mundësuar lëvizjen e tyre lirshëm nëpër rrugë, por edhe për ofruar sigurinë e tyre. Pas këtyre investimeve është rritur dukshëm kërkesa për të blerë biçikleta nga qytetarët e Tiranës.

Investime të tilla në vend janë shumë  me rëndësi dhe duhet të merren me prioritet pasi në këtë formë shumë qytetarë do të motivoheshin t’i përdornin biçikletat e tyre në përditshmëri.

Ecja në këmbë dhe ngasja e biçikletës janë aktivitete argëtuese, përmirësojnë mirëqenien tonë fizike dhe mendore, janë të përshtatshme për të lëvizur dhe janë miqësore me mjedisin.

Po ashtu duhet punuar edhe drejt përmirësimit të trafikut urban nëpërmjet një plani të përgjithshëm të  shoqëruar me kryqëzime moderne, rehabilitim të rrugëve dytësore, pastrimin e qytetit nga pluhuri, krijimin e hapësirave për parkim, shtimin e hapësirave të gjelbra, promovimin e transportit publik dhe të formave më ekologjike të lëvizjes si biçikletat e ecja.

Andaj strategjitë, planet e veprimit dhe legjislacioni në këtë sektor duhet të jenë më konsistente mes tyre dhe me parimet dhe objektivat e Agjendës së Gjelbër. Promovimi dhe investimi në transport të gjelbër, do të motivoj dhe do i ofrojë mundësinë qytetarëve që ta bëjnë shprehi të përditshme mbrojtjen e mjedisit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 dhjetor 2022

- Komuna e Prishtinës do të bëjë testimin e radhës të Sistemit të Alarmit Publik me tinguj të njëtrajtshëm dy herë nga 30 sekonda. (Prishitnë, ora 12:05)

- Ndihmës administratorja e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar për Europë dhe Euroazi, Ambasadorja Erin E. McKee, do të vizitojë Kosovën ku do të takohet me akterë të ndryshëm duke përfshirë përfaqësues të Qeverisë, shoqërisë civile, sektorit privat, bartës të rinj të ndryshimeve etj. (Lokalet e Royal Beverages, Velekincë, Komuna e Gjilanit, ora 13:30)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e shoqëruar nga kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi, do të mbajë tubim me vajza e gra. (Teatrin e Qytetit "Avdush Hasani", ora 14:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e shoqëruar nga kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi do të vizitojë Qendrën e Handikos-it në Podujevë. (Objekti i Qendrës në Podujevë, ora 15:30)

- Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit do të shfaqen filma vendor dhe të huaj, ku do të ketë diskutime me me autorët pjesmarrës! (Kino Armata, ora 17:00)
 
- Mbahet ceremonia e mbylljes së Festivalit Ndërkombëtar të Filmit më ç'rast do të behët edhe ndarja e çmimeve. (Kino Armata, ora 19:00 )