19 Prill 2024

Thaqi: Brenda 10 dite përmbyllet marrëveshja me Bektel Enka

Prishtinë, 12 mars - Në mbledhjen e qeverisë kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se brenda dhjetë ditësh do të përmbyllet procesi i marrëveshjes mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë Bektel - Enka për fillimin e autostradës Vërmicë Merdare.


"Së shpejti brenda 10 ditësh do të përmbyllet i gjithë procesi i finalizimit të marrëveshjes mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë "Behtel Enka" për fillimin e ndërtimit të punimeve të autostradës Vërmicë Prizren Prishtinë Merdare",ka thënë Thaçi.

Ai ka theksuar se edhe tempoja e projekteve madhore në Kosovë vazhdon të jenë në rrugën e duhur dhe se së shpejti do të finalizohen disa prej tyre.

Kryeministri Thaçi po ashtu ka kërkuar nga ministrat e kabinetit të tij që të përmbyllin të gjitha përgatitjet në procesin që del në kuadër të zbatimit të kritereve demokratike për integrimin evropian, në prag të vizitës së komisinerit për zgjerim të Bashkimit Evropian Stefan Fuele, i cili pritet ta vizitojë Kosovën javën e ardhshme.

Kryeministri Hashim Thaçi u ka thënë ministrave që të kryejnë detyrat e tyre përkatëse, në mënyrë që vizita e komisionet evropian t'i gjejë të gjithë të përgatitur.

"Siq e dini në javën e ardhshme do të kemi për vizitë në Republikën e Kosovës komisionerin për zgjerim të Bashkimit Evropian. Ju ftoj të gjithëve që t'i përmbyllni të gjitha përgatitjet e duhura në procesin tonë që del në kuadër të zbatimit të kritereve tona demokratike për integrim në BE, implementimin e të gjitha detyrave që ka çdo ministri përkatëse. Së shpejti do ta pranojmë udhërrëfyesin për marrëdhënie tregtare, e presim edhe udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave", ka thënë Thaçi.

Qeveria e Kosovës njëherit në mbledhjen e sotme ka miratuar shumën prej 239 mijë e 972 euro për shpenzimet për zgjedhjet në Gjilan, Istog dhe Partesh, ndonëse kërkesa e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte që ky buxhet shtesë të kap shifrën prej 461 mijë 943 eurosh.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për rritjen e stafit prej 71 pozitash për oficerët korrektues për fillimin e punës në burgun për dëshmitar të dënuar, të mbrojtur në Dubravë.

Gjithashtu qeveria ka miratuar projektligjin për grevat, për të cilin kryeministri Thaçi ka thënë se është i domosdoshëm, sepse rregullon të drejtat e punëtorëve për grevë, udhëheqjen dhe kohëzgjatjen e grevës.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)