04 Shkurt 2023

Telekomi kërkon fillimin e hetimeve për vepra të rënda penale nga Z-Mobile

Prishtinë, 28 mars - Telekomi i Kosovës ka paraqitur kërkesë për fillimin e hetimeve për dyshimin e kryerjes së veprave të rënda penale në rastin e Z-Mobile.

 “Në bazë të detyrës zyrtare, jemi të obliguar të ju informojmë se, mbi bazën e fakteve dhe provave të reja, dokumentacionit dhe provave të bashkangjitura, ka dyshim të kryerjes së veprave penale” - thuhet në kërkesën për fillimin e hetimeve penale të Telekomit të Kosovës.

Kjo kërkesë është iniciuar ndaj personave, zyrtarë të lartë të kompanisë dhe personave privat, të cilët duke: lidhur kontratë të dëmshme, fshehur dhe manipuluar të dhëna dhe prova, paraqitur deklarata të rrejshme, me veprimet dhe mosveprimet e tyre e kanë dëmtuar Telekomin e Kosovës në periudha të ndryshme kohore dhe kësisoj kanë kryer vepra penale të dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të njëjtit kanë iniciuar, hartuar, nënshkruar dhe gjatë kohës së zbatimit të kontratës nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të ndaluar ose edhe e kanë fshehur dëmin që ishte duke shkaktuar kontrata, duke mundësuar kështu dëme të pariparueshme qindra milionëshe ndaj Telekomit si dhe dëmtim të buxhetit të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, nga sa u tha më lartë, nuk përjashtohet mundësia që zyrtarët e Telekomit të Kosovës, në forma të ndryshme mund të kenë përfituar në mënyrë të paligjshme nga kontrata e dëmshme për Telekomin e Kosovës, nga e cila u shkaktua dëmi në total prej mbi 100 milionë euro.

 Kërkesa për fillim të hetimeve ndaj tyre është paraqitur sepse kishte dyshime të kryerjes së veprave penale, të cilat sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës ndiqen sipas detyrës zyrtare. Bëhet fjalë për veprat penale nga:  kreu i XXV “Veprat penale kundër Ekonomisë”, kreu XXVI ”Veprat penale kundër pasurisë”, kreu XXXI “Veprat penale kundër Administrimit të Drejtësisë dhe Administratës Publike” dhe kreu XXXIII” Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare “.

Si pasojë , të njëjtit i kanë shkaktuar humbje Telekomit të Kosovës dhe buxhetit të Republikës së Kosovës si më poshtë:

1.     Humbjet komerciale nga zbatimi i kontratës, që llogariten në vlerë rreth 102 milionë €

2.     Humbjet direkte si pasojë e pamundësisë së zbatimit të kontratës në vlerë rreth 51.4 milionë € (Vendimet e arbitrazheve)

3.     Humbjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së vitit 2017

4.     Humbjet e buxhetit të shtetit të Republikës së Kosovës, në vlerë rreth 16.2 milionë €, si pasojë e shmangies së tatimit nga Dardafon.net LLC

Telekomi bën thirrje dhe beson fuqishëm që kjo kërkesë të jetë arsye e mjaftueshme për të lëvizur organin e akuzës dhe policinë për të hetuar një (dhe jo vetëm një) kontratë të padrejtë dhe të dëmshme, e cila përpos që i shkaktoi dëme shumë të mëdha kompanisë dhe buxhetit të shtetit, u bë model i keq edhe për kompani të tjera dhe për kontrata të tjera të nënshkruara më pastaj nga zyrtarë të lartë në Telekomin e Kosovës, duke e sjellë kompaninë dikur më fitimprurëse në vend, në një gjendje mbijetese dhe në një barrë për buxhetin.

Telekomi i Kosovës është i vendosur të denoncojë krimin, të reformojë kompaninë dhe ta rikthejë atë në vendin që e kishte dikur në ekonominë dhe shoqërinë tonë, duke u bërë një shërbyese e devotshme e konsumatorëve të vet dhe plotësisht e përgjegjshme dhe transparente para qytetarëve të Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 shkurt 2023  - Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e KGjK-së, ora 9:00)

- Kuvendi Komunal i Gjilanit mban seancë të jashtëzakonshme, ku në rend dite do të jetë falja e tatimit në pronë në vlerën deri 100 euro për të gjithë tatimpaguesit e kësaj komune, për vitin 2023. (Salla e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ora 10:00)

- Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës mban konferencë për shtyp lidhur me gjendjen e punëtorëve teknik të Sektorit Privat te Kosovës dhe dialogu me qeverinë dhe institucionet tjera të Kosovës. (Zyrët e Sindikatës, ora 11:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës Dega në Prizren, mban konferencë për medie. (Selia e LDK-së në Prizren, ora 11:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore, si dhe shqyrton listën e kandidatëve për plotësimin e një pozite për anëtar joekzekuiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, salla C203, ora 13:30)

- Prezantohet puna e kryer rreth vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara të cilat kanë folur hapur për historitë e tyre të, abuzimeve seksuale, dhunës fizike, dhunës psikike, keqtrajtimeve, ofendimeve dhe diskriminimeve. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 14:30)