28 Mars 2024

Telekomi i Kosovës fiton kontestin 10 milionësh në Tribunalin e Arbitrazhit

Prishtinë, 1 nëntor - Telekomi i Kosovës, njofton se ka shënuar një fitore të plotë në Tribunalin e Arbitrazhit i cili rrëzoi pretendimet milionëshe ndaj Telekomit.

“Telekomi i Kosovës shpreson se po zhveshet modeli i projektuar për zhvatjen qindra milionëshe ndaj tij”, thuhet në njoftimin e TK-së.

Më tej në njoftim theksohet se pas një beteje të gjatë ligjore katërvjeçare, sot Telekomi i Kosovës Sh.A. ka pranuar vendimin përfundimtar nga Tribunali i Arbitrazhit, përmes të cilit ka shënuar një fitore të plotë, duke refuzuar në tërësi kërkesat e palës paditëse.

“Me vendimin e Arbitrazhit është refuzuar në tërësi padia e paditësit – një kompanie nga fusha e IPTV, në vlerën prej mbi 10 milionë euro, derisa janë konfirmuar në tërësi veprimet e ligjshme të Telekomit të Kosovës”, thuhet në njofitm.

Në një situatë të tillë Telekomi i Kosovës tashmë është në pritje edhe të rikuperimit për shpenzimet financiare, përkatësisht kompensimit të shpenzimeve të përfaqësimit.

TK-ja njofton se ky rast i arbitrazhit ka filluar më 19 shtator 2018, kur paditësi ka ngritur padi ndaj Telekomit në Tribunalin e Përhershëm të Arbitrazhit të Odës Ekonomike të Kosovës.

Tribunali i Arbitrazhit, duke i vërtetuar faktet dhe argumentimin ligjor, me të drejtë ka ardhur deri te përfundimi se Telekomi ka vepruar në tërësi në mënyrë të ligjshme dhe të drejtë. Kështu, Tribunali ka vendosur për refuzimin e kësaj padie kundër Telekomit.

Telekomi i Kosovës, në cilësi të ndërmarrjes publike, siguron aksionarin dhe qytetarët e Republikës së Kosovës se do të vazhdojë të kërkojë fuqishëm vendosjen e drejtësisë në raport me të gjitha kontratat e dëmshme.

TK-ja do të bashkëpunojë ngushtë dhe është në pritje edhe të institucioneve të drejtësisë për adresimin me kohë dhe në mënyrë meritore të denoncimeve për kontratat e dëmshme.

“Fatkeqësisht, kjo kontratë nuk ishte e vetmja. Përkundrazi, Telekomi në përpjekje për të kthyer ligjshmërinë në kompani, ka rishikuar të gjitha kontratat e mëdha. Gjate këtij rishikimi, ka hasur në shumë parregullsi. Dëmet ndaj Telekomit nga modele të ngjashme kontraktuale kapin vlera mbi 150 milionë euro”, thuhet në njoftim.

Sipas TK-së me këto kompani, Telekomi ende është duke u përballur nëpër gjykata dhe arbitrazhe, në përpjekje për të mbrojtur pronën publike nga zhvatja përmes kontratave të ngjashme.

“Fitimi i humbur” dhe “Arbitrazhi ndërkombëtar” janë emërues i përbashkët i këtyre kontratave korruptive. “Fitimi i humbur” dhe “Arbitrazhi ndërkombëtar” ishin projektuar nga politika dhe biznese të caktuara, si mënyrë e sigurtë e kalimit të pasurisë publike në xhirollogari private dhe personale. Sistemi i drejtësisë, deri tani nuk ishte treguar i suksesshëm në parandalimin apo penalizimin e tyre.

“Siç e kemi informuar publikun edhe më herët, Telekomi ka bërë padi në institucionet përkatëse për nënshkruesit dhe zbatuesit e këtyre kontratave, të cilat e sollën kompaninë dikur më të fuqishme publike buzë falimentimit. Telekomi nuk do të ndalojë të luftojë për ligjshmëri dhe mbrojtje të pronës se tij, pronë e cila është e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim të TK-së.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)