18 Prill 2024

Pullat postare “Nga arti skenik – Leze Qena dhe Besim Sahatçiu”

Prishtinë, 25 mars - Sot Posta e Kosovës promovoi dy pulla postare shumë të çmuara “Nga arti skenik – Leze Qena dhe Besim Sahatçiu”, të cilat i dedikohen dy figurave të ndritura të kulturës tonë, regjisorit Besim Sahatçiu dhe të aktores, Leze Qena.

Me këtë rast, Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi me bashkëpunëtorët e tij organizoi promovimin e këtyre dy pullave postare në ambientet e CINEPLEXX në Albi Mall-Prishtinë, si dhe priti familjarët Sahatçiu e Qena, si dhe mysafirë të tjerë dashamirë të artit dhe kulturës, ndërsa në shenjë mirënjohje ai iu dhuroi pulla postare të punuara në bronz.

Kryeshefi Smakiqi në fjalimin e tij vlerësoi lartë veprat e artistëve, ndër të tjera se “ Besim Sahatçiu dhe Leze Qena, i mungojnë skenës, televizionit, kinemasë dhe tërë popullit shqiptar, por veprat e tyre janë kudo në mesin tonë.

Dy pulla postare që po i promovojmë, me imazhin e Besimit dhe Lezës, nga sot udhëtojnë në tërë Kosovën, në tërë trojet shqiptare dhe në tërë botën përmes komunikimit postar”.

Në emër të familjes së regjisorit, i biri Besniku, njëherit babai i artistes së madhe shqiptare me famë botërore, RITA ORA, falënderoi Postën e Kosovës për pullën postare. Po ashtu edhe e Argjenda, e bija e Leze Qenës pati falënderime për ndërmarrjen tonë që e vlerësoi aktoren në një vjetorin e vdekjes së saj.

Gjatë eventit përmes vido-projektorit u shpalosën disa skena teatrale të artistëve, ndërsa përmes video-incizimit, u paraqit edhe mbesa e regjisorit, këngëtarja jonë e madhe Rita Ora, e cila përshëndeti dhe falënderoi Postën e Kosovës për këtë dedikim të pullës postare për gjyshin e saj.

Ndërsa në shenjë mirënjohje, Kryeshefi Ekzekutiv ia dërgoi kartolinën e parë asaj me imazhet e dy pullave postare.

Regjisori i famshëm, Besim Sahatçiu u lind në vitin 1935 në Pejë, pasi mbaron studimet në Akademinë e Filmit në Zagreb, në degën e Regjisë, iu përkushtua me zell veprave të ndryshme letrare, regjinë e filmave artistik të metrazhit të gjatë, “Era dhe Lisi”, “Përroi vërshues”, filmave dokumentar të metrazhit të shkurtër, “Bukë e krip e zemër”, “117”, si dhe me dhjetëra shfaqje teatrore e disa edhe televizive.

Besimi ishte intelektual i madh, këngëtar e gjeni i artit, ai redaktoi shumë programe kulturo-artistike në ish Televizionin e Prishtinës. Roli i tij në krijimtarinë, kultivimin dhe afirmimin e artit skenik, kinematografik, të kulturës sonë në përgjithësi, ka qenë dhe mbetet i pazëvendësueshëm. Ai vdiq në vitin 2005.

Aktorja jonë e madhe, Leze Qena u lind më 1 mars 1935 në Prizren, e cila pasi mbaroi studimet për aktrim në Prishtinë, ndërsa shfaqjet më të njohur teatrale të saj janë; “E shoqja e Hasan Agës”, “Kushëriri prej Amerike”, “Familja e pikëlluar”, “Nuk martohem me pare”, “Tartufi”, “Autobiografia”, “Duart e papastra”, “Othello”, “Antigona”, Borëbardha dhe shtatë shkurtabiqët”, “Kur është gruaja memece”, “Hanka”, “Pjata e drunjtë”, “Miu në xhep”, në komedinë “Fjala është për banesën”, si dhe projektet e pasluftës si, “Familja Moderne”, Kombinati, “Çka ka shpija” dhe të tjera. Ajo vdiq 25 mars 2020.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)