15 Gusht 2022

Posta lanson pullat postare “Nga zejtaria”

Prishtinë, 10 dhjetor - Filatelia e Postës së Kosovës, nga sot lëshoi në qarkullim emisionin e ri të pullave postare “Nga zejtaria”, me pamjet e të cilave prezantohet artizanati ynë popullor i krijuar në kohërat e vjetra në fushën e zejtarisë në vendin tonë.

Veprimtaria e zejeve në Kosovë zhvillohej e ndarë sipas regjioneve, sipas përkatësive kombëtare dhe fetare, ndërsa në qytete si Vushtrri, Prizren, Prishtinë, Gjakovë e Pejë, etj., ndarja bëhej sipas llojit të zanatit në rrugë të caktuara apo pjesë të qytetit.

Në qytetet e Kosovës janë zhvilluar zejet për përpunimin e lëndëve të para nga bujqësia (leshi, lëkura, mëndafshi, pambuku), pylltaria (druri), xehetaria (përpunimi i metaleve dhe jometaleve), etj.

Nga zejet e vjetra dallojmë; terzitë, saraçët, zhgun punuesit, qeleshepunuesit, punuesit e mëndafshit, qilimave, zdrukthëtarët, samarpunuesit, bukëpjekësit, ëmbëltorët, farkëtarët, mbathtarët, qerrepunuesit, kazanpunuesit, stufë punuesit, kallaj punuesit, armëpunuesit, berberët, etj.

Përveç tjerash, në tregjet e Ballkanit dhe të Evropës shqiptarët njiheshin për prodhimin e qilimave dhe zbukurimin e armëve.

Posta e Kosovës, do të kujdeset në vazhdimësi që përmes imazheve të pullave postare të promovojë shtetin e Kosovës në mbarë botën, si dhe të afirmojë vlerat artistike të popullit tonë që i ka krijuar me mundin dhe sakrificën e tij ndër shekuj.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 gusht 2022  - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu  pret me ceremonitë më të larta shtetërore, me rastin e fillimit të mandatit të tij, presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. (Sheshi “Ibrahim Rugova”, ora 10:00 - Mediat duhet të jenë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës më së voni në ora 9:15)

- Komuna e Rahovecit organizon dëgjim publik me organizatat jo qeveritare për buxhetin e vitit 2023 dhe Kornizës Afatmesme Buxhetore për vitet 2024-2025. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 10:00)

- Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina" organizon ceremoninë solemne të hapjes së punimeve të Seminarit XL Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. (Amfiteatri i Bibliotekës Qendrore Universitare, ora 11:00).

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. (Kabineti i kryetarit, ora 12:15 - Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni pret sot në takim ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ku më pas do të ketë prononcim për media në Zyrën e Kryetarit. (Gjilan, ora 15:00)

- Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj zhvillon homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova. (Velani, ora 15:45)

- Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj zhvillon homazhe te varrezat e Familjes Jashari. (Kompleksi Memorial  në Prekaz, ora 16:35)

- Në kuadër të Akademisë Verore ‘’Arbën Xhaferi"  mbahet akademi përkujtimore për jetën dhe veprën e Arbën Xhaferit. (Pallati i Kulturës, "Hasan Prishtina", ora 19:30)